Tatimet vënë nën sekuestro 11 bashki dhe 14 ish-komuna
Njësitë e reja vendore po kalojnë një tranzicion të thellë riorganizimi si rezultat i reformës së re territoriale, teksa janë në krizë të gjetjes së burimeve financiare për të qeverisur territoret e reja. Një proces auditi me ekspertizën e donatorëve që ka përshirë të 373 ish-njësitë vendore ka zbardhur deri më tani një detyrim të panjohur më parë që kalon vlerën e 35 milionë eurove sipas të dhënave nga ekspertët që po merren me auditin. Por shuma pritet që të jetë edhe më e lartë për shkak se procesi nuk është finalizuar. Borxhet e trashëguara nga komunat te njësitë e reja vendore (61 bashkitë) janë shndërruar në një rrezik serioz për mbijetesën e tyre. Shoqëritë përmbarimore, të cilat më parë nuk kishin asnjë mundësi të arkëtonin detyrimet që ish-komunat kishin krijuar ndaj të tretëve tani janë drejtuar te bashkitë e mëdha duke sekuestruar likuiditetet. Si rezultat i kësaj situate, Bashkisë së Shkodrës iu sekuestrua pak kohë më parë fondi mbi 150 mijë euro nga përmbaruesit si detyrim i njërës prej komunave që i është bashkangjitur asaj pak kohë më parë.
Situata alarmante e zbuluar në keqadministrimin e komunave nuk vë në rrezik vetëm qëndrueshmërinë financiare të bashkive të reja, por edhe të qeverisë qendrore. Fondi Monetar Ndërkombëtar, në rishikimin e pestë dhe të gjashtë të marrëveshjes me Shqipërinë para pak ditësh renditi borxhet e pushtetit vendor si një ndër katër rreziqet fiskale më të mëdha që i kanosen vendit.
Borxhet
Kriza e vitit 2008 bëri që në vitet e mëvonshme, qeveria qendrore të rishikonte me ulje edhe fondet për pushtetin vendor në mes të vitit. Kështu shumë njësi vendore, sidomos komuna po edhe bashkitë, akumuluan detyrime ndaj të tretëve duke çuar në faliment disa prej tyre.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka renditur 14 ish-komuna dhe 11 bashki në listën e zezë të tatimpaguesve. Përfshirja e tyre në këtë listë do të thotë se ndaj tyre ka nisur mbledhja me forcë e detyrimeve dhe se praktikisht njësitë e renditura kanë falimentuar. Në listën e zezë të Tatimeve ndodhet edhe Bashkia e Kavajës, Fushë-Krujës, Krujës, Përmetit etj., dhe 7 të tjera.
Por teksa bashkitë e reja ende nuk kanë shoshitur bilancet e tmerrshme të trashëguara nga komunat, janë në emergjencë për të gjetur mënyra se si do të zëvendësojnë të ardhurat që mungojnë nga heqja e taksës së biznesit të vogël. Në fund të vitit 2015, të ardhurat nga biznesi i vogël ishin mbi 2 miliardë lekë. Kjo e ardhur tashmë e munguar për këtë vit po e deformon politikën fiskale të njësive të reja. Në përpjekje për të rritur të ardhurat, bashkitë po rrisin tarifat dhe taksat për disa shërbime. Bashkia e Tiranës, më e madhja në vend që administron 28% të popullsisë, shumëfishoi taksën e zënies së hapësirës publike dhe gjithashtu dyfishoi tarifat e pastrimit për kategorinë e mesme dhe VIP të biznesit. Zyrtarët e saj argumentuan se, rritja e tarifave u bë në kushtet e handikapit që krijoi heqja e tatimit mbi biznesin e vogël që, vetëm për Bashkinë e Tiranës krijon një gropë prej 600 milionë lekësh në vit.
E teksa me reformën e re territoriale, bashkitë do të kenë gjithnjë e më shumë kompetenca që do të prekin në thelb koston e jetesës së qytetarëve, qeverisja vendore duket se ende nuk ka ekspertizën e nevojshme për t’iu përgjigjur nevojave të reja. Sot e kësaj dite, buxhetet dhe ndryshimet e tarifave dhe taksave nga bashkitë miratohen pa asnjë transparencë, mbahen të papublikuara dhe pa asnjë studim paraprak. Vetëm Bashkia e Tiranës, nëpërmjet vendimit numër 59 të këshillit bashkiak, me rritjen e taksës së hapësirës e ka çuar ngarkesën fiskale te një biznes i vogël sa 40% të xhiros.
25 njësi vendore në faliment
Në Shqipëri, deri tani, praktika ka njohur falimentin vetëm në sektorin privat. Edhe pse në vështirësi të mëdha financiare, kompanitë publike ia kanë dalë të mbijetojnë me taksat tona, por ajo që ka ndodhur vitet e fundit është e pazakontë. Mbi 25 njësi vendore, 14 ish-komuna kishin falimentuar kur u transferuan te bashkitë e mëdha dhe aktualisht 11 bashki në të gjithë vendin janë në prag të falimentit. 11 njësitë vendore, Bashkia e Kavajës, Fushë-Krujës, Krujës, Sukthit, Përmetit, Divjakës, Poliçanit, Rrogozhinës, Memaliajit, Libohovës dhe Tepelenës janë në sekuestro tatimore, të përfshira tashmë në listën e zezë të subjekteve debitore. Gjithashtu në këtë listë janë edhe 14 komuna, që kishin shpallur aftësinë mospaguese të detyrimeve.
Në listën e zezë të tatimeve, ku janë të përfshirë të 25 bashkitë dhe ish- komunat, listohen tatimpaguesit me detyrime të papaguara në afat, ndaj të cilëve administrata tatimore, në zbatim të nenit 91 të ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, ka vendosur marrjen e masave të sigurimit mbi të gjithë pasuritë për ekzekutimin e detyrimeve dhe se ka filluar procedura e mbledhjes me forcë të tyre.
Publikimi i listës nga tatimet bëhet që personat e tretë të marrin dijeni për fillimin e këtyre procedurave dhe që organet apo institucionet, të cilët kanë bërë regjistrime të pasurive të luajtshme apo të paluajtshme të tatimpaguesve debitorë, të regjistrojnë detyrimin tatimor të papaguar si barrë mbi këtë pasuri dhe të mos lejojnë kryerjen e transaksioneve për transferimin e pasurive të tatimpaguesve debitorë, deri në momentin që detyrimi tatimor i papaguar të arkëtohet. Sipas burimeve në tatime, një pjesë e këtij borxhi vjen nga mospagesa e kontributeve për punonjësit e stafeve të bashkive dhe të ndërmarrjeve në pronësi të tyre.
Ministri për Çështjet Vendore, Blendi Çuçi, është shprehur për mediat më parë se reforma e re territoriale ka shpëtuar nga falimenti një pjesë të konsiderueshme të njësive vendore. – “Monitor”