Tatimorët, 190 mijë vizita në terren tek bizneset

Administrata tatimore ka zhvilluar vitin e kaluar rreth 190 mijë inspektime në terren. Duke marrë në konsideratë të dhënat zyrtare të tatimeve ku bizneset aktive janë vetëm 91 mijë, i bie që një biznes të jetë inspektuar së paku dy herë nga inspektoret tatimore.

Sipas të dhënave nga tatimet numrin më të madh të inspektimeve e ka pasur Tirana me afërsisht 54 mijë inspektime terreni dhe Durrësi me 33 mijë.

Nga moria e aksioneve vetëm 2,661 biznese ndryshuan përgjegjësinë tatimore nga të cilat 660 prej tyre ishin në Tiranë.

Veç inspektimeve në terren inspektorët tatimore zhvilluan edhe 50 mijë telefonata ndaj bizneseve në të gjithë vendin.

Siç shihet nga të dhënat e tatimeve kontrollet e terrenit duket se kanë përfshirë vetëm biznesin e vogël.

Në vitin 2015 në kuadër të luftës kundër informalitetit për tatimpaguesit e mëdhenj, si dhe të implementimit të modulit mbi menaxhimin e riskut u planifikuan për kontroll gjithsej 28 subjekte me risk, nga të cilat brenda vitit përfundoi  kontrolli për 15 subjekte me një vlerë totale zbulimesh prej 596 milionë lekë.  Procesi i kontrollit për 11  subjekte të mëdha të biznesit i planifikuar më 2015 u zhvendos për këtë vit.

Ministri i Financave Arben Ahmetaj lajmëroi rinisjen e aksionit për kuponin tatimor në fillim të muajit tjetër.  Kontrollet i terrenit këtë vit do të fokusohen në zonat turistike të vendit, ku bizneset e këtij sektori janë targetuar me nivel të lartë informaliteti.

Ministri Ahmetaj ka premtuar se inspektimet e terrenit do të jenë të qeta dhe gjoba është elementi i fundit që do të merret në konsiderate.

SHKARKO APP