Taulant Balla: Qazim Sejdini modeli i zhvillimi të Elbasanit
Kryesuesi i listës së PS në qarkun e Elbasanit për zgjedhjet e 25 qershorit, Taulant Balla i shoqëruar nga Kryetari Bashkisë, Qazim Sejdini, zhvilloi një takim elektoral në lagjen “Brigada 17 Sulmuese” në qytetin e Elbasanit.
Në fjalën e tij, Balla theksoi se Partia Socialiste është sot alternativa e vetme. “Per çfarë arsye duhet t’i japi Elbasani voten Lulit. Në 2009 në Elbasan PD-ja e mori e mori të drejtën për të qeverisur dhe 4 vite të tjera, Elbasani ishte qarku që caktoi se në ç’drejtim do të shkonte Shqipëria në vitet 2009-2013. Në Elbasan asnjë investim nga qeveria qendrore. Shembulli më i qartë është ky. Në vitin 2013 bashkia e drejtuar nga Qazim Sejdini mori fonde për investime 46 mln lekë dhe si ka mundësi që një vit më mbrapa fondet u dhjetëfishuan, sepse në krye të qeverisë erdhi Edi Rama. Na duhet një kryeministër që Elbasanin e ka për zemer. Mjaft më me kryeministra që Elbasanin e kujtojnë vetëm për ballokume.”
Më tej gjatë fjalës së tij, deputeti Balla u shpreh se “Edi Rama kur po ndërtohej stadiumi, impianti i trajtimit të mbetjeve, kur po ndërtoheshin rrugët kryesore vinte bashkë me Qazimin në 2 të natës për të ndjekur punimet. “Ne kështu na duhet një kryeministër dhe kësaj radhe e kemi në dorë ne, sepse shumë gjëra nuk kanë funksionuar si kemi dashur ne, për arsye se në 2013 na u desh ta ndajmë pushtetin me disa partiçka, të cilët nuk kanë kurrë interesin e popullit shqiptarë, kanë interesin e vet”
Duke folur për rëndësinë e reformës në drejtesi, Balla theksoi se në asnjë lagje tjetër nuk ka kuptim me mire se te kjo lagje kjo reformë, sepse këtu ka shumë ish-pronarë pronash, të cilët kanë qenë pjesë e një loje cirku të turpshëm të gjykatave pa fund.
“Mos harroni që ata që janë kundër reformës në drejtësi edhe pse erdhën si pulat për të votuar komisionin, mund të ribëhen përsëri bashkë në shtator për ta bllokuar reformën në drejtësi. Me qesharakë se këta unë skam parë, të rrinë 3 muaj në çadër për të shtyrë 1 javë zgjedhjet vetëm Luli mund ta bëjë”.
Në përfundim të fjalës së tij, kryesuesi i listës së PS, Balla i bëri thirrje çdo demokrati se është koha që ta investosh votën tek PS, se dhe vetë PD-së i bën nder duke ja dhënë votën PS-së.