Të ardhurat nga taksa e pasurisë – Ndryshimi i llogaritjes do të ndikojë në financat vendore

Një burim i rëndësishëm të ardhurash për buxhetin vendor përfaqësohet nga ajo nga taksa mbi pasurinë e paluajtshme. Sipas raportit  të publikuar për Financat Vendore,  në gjashtë muajt e parë të vitit 2017, të ardhurat nga kjo taksë regjistruan një vlerë prej rreth 2.6 miliard lekë, në rritje modeste me 2.5% në terma vjetorë.

Në të gjitha vitet e marra në analizë, taksa mbi ndërtesat përbën mesatarisht rreth 87.8% dhe të ardhurat nga taksa mbi tokën bujqësore zënë 10.2%, ndaj totalit të të ardhurave nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme.

Kështu në terma vjetorë, të ardhurat nga taksa mbi ndërtesat rezultuan në rreth 2.4 miliard lekë, në rritje me rreth 5.6% në gjashtë muajt e parë të vitit 2017. Në të kundërt, të ardhurat nga taksa mbi tokën bujqësore shënuan rënie vjetore të theksuar me rreth 20.6% krahasuar me një vit më parë. Taksa e truallit nuk rezulton të ketë regjistruar të ardhura në  këtë periudhë.  Nga analiza e këtij raporti, ky nivel mund të lidhet me problematikat e mungesës pothuajse totale të regjistrave të bazës së taksës dhe taksapaguesve.

Aktualisht, qeveria qendrore në këshillimin të vazhdueshëm me Fondin Monetar Ndërkombëtar,  ka propozuar  reformimin e taksës mbi pasurinë e paluajtshme. Veçanërisht, synohet kalimi nga taksa me bazë fikse (i aplikuar aktualisht), në aplikimin e taksës së ndërtesës mbi vlerën e tregut të pronës. Në vijim të krijimit të regjistrit qendror të bazës së të dhënave të pasurive të paluajtshme (kadastrës fiskale) dhe reformimit të taksës së ndërtesës, të ardhurat në buxhetin e njësive të vetëqeverisjes vendore pritet të pësojnë rritje të ndjeshme.

SHKARKO APP