“Të dashur grekë, rrini me ne”
E përjavshmja gjermane “Die Zeit” u ka bërë thirrje – në gjermanisht dhe greqisht! – votuesve grekë të mos braktisin valutën e përbashkët europiane. Para referendumit në Greqi mbi programin e vendeve të eurozonës për kursime dhe reforma gazeta e njohur gjermane “Die Zeit” në numrin më të ri ka botuar një kopertinë të pazakonshme: komenti kryesor vjen në dy gjuhë – gjermanisht dhe në greqishte të re.
Autori i komentit u drejtohet grekëve me fjalë të kujdesshme, rendit gabimet që kanë bërë të dy palët (europianët e eurozonës dhe politikanët grekë), kritikon faktin se gjatë gjithë krizës greke është folur tepër për para dhe më pak për rëndësinë e valutës së përbashkët për unitetin europian. “Një vendim të tillë nuk ka qenë i shtyrë ta marrë askush para nesh dhe ne duhet të jemi të lumtur që kjo po ndodh tani. Nëse populli grek tani jep votën e tij, atëherë ai vendos jo vetëm për të ardhmen e vet. Ju, të dashur grekë, vendosni edhe për fatin e 500 milionë njerëzve në Europë. Ju votoni për atë se çfarë do të bëhet me të gjithë ne në të ardhmen”, shkruan “Die Zeit”. Gazeta që botohet në Hamburg komenton më tutje:
“Gjithkund në kontinent sot po hapen gropa, jo vetëm brenda unionit monetar: shumë britanikë duan të dalin nga BEja; kërkohet që shumë më pak refugjatë të vijnë në Europë; popullistët e djathtë ngjallin urrejtje kundër europianëve të tjerë; qeveria e Hungarisë planifikon një gardh të lartë katër metra në kufi me fqinjin e saj, Serbinë. Prandaj, nuk është vetëm vendim ekonomik nëse Greqia e mban euron apo jo. Këtu bëhet fjalë për më shumë. Nëse nuk vlen më premtimi për t’i ndihmuar njëritjetrit, atëherë kjo mund ta dërmojë kontinentin. Për këtë arsye ju tani keni një shans të madh: nëse vendosni për të mbetur në euro, atëherë nga kjo për të gjithë qytetarët e shteteve të tjera lind një përgjegjësi shumë e madhe.
Pastaj edhe ata duhet të bëjnë shumë më tepër për Europën. Ky është një moment i mrekullueshëm demokratik: ju mund të lidhni një pakt me shefat e qeverive të shteteve huadhënëse, shumë më drejtpërdrejtë se nëpërmjet të çdo zgjedhjeje. Edhe Angela Merkel dhe Wolfgang Schäuble do të jenë krejt ndryshe përgjegjës: nëse mbetet Greqia në euro, atëherë mbase duhet të ketë një shlyerje borxhesh dhe një program investimesh dhe të gjithë ne duhet të kemi durim me njëritjetrin, shumë më tepër se deri më tani. Për këtë arsye nuk është vendimtare vetëm ajo se si do të votojë populli grek. Por edhe si do të reagojnë europianët, përfshirë edhe ne gjermanët, ndaj vendimit grek”.