Të djathtët në botën e çudirave
Nga Edvin Kukunja
Çudirat ndodhin! Dhe mrekullitë gjithashtu! E fakti që ndodhin dhe çudirat, edhe mrekullitë, në të vërtetë nuk dimë të themi në përbën më çudi.
Është e zakonshme, dhe e urueshme, që kur një forcë politike dështon dhe vijon të dështojë në vazhdimësi, zërat kritikë brenda saj të zgjohen dhe kërkesa për reformim të bëhen më insistuese. Ky fakt, pra, nuk përbën më çudi!
Çka është çudi janë emrat që rradhiten në bllokun e lëvizjes “të opozitarëve të opozitës”. Çudi është deri diku sepse gjithsesi dikush do të duhej ta bënte dhe këtë punë. Interesant është fakti që në këtë lëvizje mund të përfshihen me soj e sorollop personazhe “të spikatur” të maxhorancës së djeshme, sot opozitë. Po pse jo xhanëm?! Pse jo kur soji dhe sorollopi gjendet i përfshirë si në privelegjet e pushtetit të djeshëm, ashtu si dhe në vështirësitë e jetës opozitare sot, pse të mos përfshihet sidomos kur dhe e tregojnë me gisht.
Një e vërtetë është thënë në debakllin e këtyre ditëve breda opozitës! Një e vërtetë që vjen prej gjirit të opozitarëve të opozitës. Kjo e vërtetë qëndron në pohimin mbi pamundësinë për të reformuar të djathtën shqiptare, ose e thënë ndryshe, pareformueshmërinë si karakter gjenetik i forcës kryesore të së djathtës shqiptare.
Prej më shumë se çerek shekulli në krye të kësaj force vazhdon të qëndrojë po i njëjti personazh. Po ai si personazh, person dhe simbol. E prej më shumë se çerek shekulli e djathta vazhdon të tregojë dobësinë, plogështinë e saj gjenetike për të bërë përpara, për ta tejkaluar të kaluarën e saj, për t’u reformuar. Kjo për një arsye shumë të thjeshtë. E kaluara e saj, që është dhe e tashmja e saj, i ka rrënjët të hedhura në thellësitë e errëta të 50 vjeçarit të diktaturës. Është e kaluar e hershme, si ato që rrëfehen përrallash të moçme me bajloz e heronj.
Shumë e vërtetë është! E djathta shqiptare, kështu siç është, kështu dhe do të mbetet. E ky pohim nuk është asgjë më shumë e asgjë më pak se pranimi i një dështimi të madh. Ky pohim nuk ka pra forcën të përfaqësojë pikënisjen e ndryshimit por është dhe mbetet pranimi i dështimit. Të mos ndihen krenar! Askush, as nga ata në rradhët e opozitës ndaj opozitës, të mos ndihet krenar për këtë pohim.
Ky pohim i heq veç perden formales dhe e shfaq për atë që dhe është. Nëse Diktatori ishte tragjik, dhe Berisha tragji-komik, ju të dashur do të jeni veç komik nëse Gënjeshtrën e madhe në krye të Opozitës e zhvishni thjesht e vetëm për ta bërë më të pranueshme për të gjithë.
Jo se jam i shqetësuar veçanërisht e personalisht për fatin e opozitës së sotme. Ajo fatin e ka të shkruar në gen që në ngjizjen e saj dhe do të ndjekë fatin e “udhëheqësit” të saj shpirtëror, këtij shtataniku historik. Por dua të them që çuditë ndodhin, ashtu si dhe mrekullitë.
Gjithashtu, dua të theksoj që nuk e kam me ju! Thjesht më çuditi thjeshtësia e këtij pohimi dhe pamundësia e mrekullimit të veprimit tuaj përpara vërtetësisë së thjeshtë të kësaj të vërtete kaq tragjike për ju dhe për vendin.