Të enjten mblidhet Këshilli Bashkiak i Tiranës, vendim për shpërblimin e zjarrfikësve
Kryetari Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi, ka thirrur për të enjten mbledhjen e Këshillit Bashkiak që do të shqyrtojë një sërë projektvendimesh të rëndësishme të propozuara nga Kryebashkiaku Veliaj.
Në mbledhjen e të enjtes, Këshilli pritet që të marrë vendim për shpërblimin e të gjithë punonjësve të ekipit zjarrfikës si rezultat i punës së mirë në kryerjen e detyrës dhe përballimin me sukses të situatës së zjarreve gjatë stinës së verës.
Gjithashtu, do të miratohet edhe kërkesa e Bashkisë së Tiranës për akordimin e fondeve të menjëhershme nga fondi i programit për “Emergjencat Civile”, planifikuar në buxhetin e vitit 2017 në Ministrinë e Punëve të Brendshme me destinacion marrjen e masave parandaluese si pasojë e situatës emergjence të krijuar nga rrëshqitja në rrugën “Haki Stërmilli” në Kombinat.
Vendime të rëndësishme pritet që të merren edhe sa i takon trajtimit të studentëve si dhe për fuqizimin e rolit të grave dhe nxitjen e sipërmarrjes.