Të gjithë dakord për të “zhvatur” bizneset me energjinë!

 


Nga Zef Shtjefni

U bënë prapë ndryshime në ligjin për energjinë. Qeveria dhe Ministri Gjiknuri synojnë të shtrëngojnë më shumë masat kundër atyre që guxojnë akoma të vjedhin, ose të mospaguajnë energjinë. Siç duket ka akoma shumë syresh. Ministri kërkoi sekuestrim shtëpish e pronash për debitorët. Por Parlamenti e pranoi këtë vetëm për bizneset dhe jo për popullatën. Popullata së shpejti do të votojë dhe ka në dorë fatin e politikanve. Ndërsa bizneset kanë më pak vota. Mbase është kjo llogaria që bëjnë rëndomë politikanët. Por nga ana tjetër, dihet botërisht se është biznesi ai, që ka në dorë si popullatën dhe politikën, ka në dorë Qeverinë, Parlamentin e gjithë ekonominë e vendit. Është pikërisht biznesi që ia mbush apo zbraz arkën dhe buxhetin Qeverisë. Ndonjërit nga qeverisësit tanë dje dhe sot mbase nuk i hyjnë në sy paratë që i jep biznesi buxhetit të shtetit, pasi organizma ndërkombëtare financiare i kanë mësuar keq, duke u dhënë kredi pa hesap. Kështu, mund të kenë krijuar koncepte dhe ide të gabuara se punët e Qeverisë mund të ecin mirë vetëm me para të marra hua! Harrojnë çuditërisht se të gjitha kreditë duhet të kthehen një ditë dhe paratë për të likujduar kreditë dhe interesat, prapë nga biznesi do t’i kërkojnë. Por, kur vjen puna për ta ndihmuar biznesin e sidomos prodhimin vendas, rrallë e për mall dëgjon ndonjë zë në Qeveri e Parlament, bile dhe në media! Këtu akoma bën lajm politika dhe skandalet dhe jo ekonomia, puna dhe jeta e njerwzve!

Kësaj here përsëri u mor një masë tjetër shtrënguese për bizneset, që nuk arrijnë të paguajnë energjinë. Mbase vërtetë ndonjëri prej tyre e ka tepruar dhe i shkon mendja të bëj biznes dhe të mos paguaj shpenzimet. Por, ajo që unë shoh jashtë nëpër Europë në raste të ngjashme, nuk është aspak si kjo që po bëjnë ligjbërësit tanë. Ja, po ju jap një shembull: në një biznes në Venezia, një mëngjes, punonjësit njoftuan se dritat ishin zbehur e bërë si dritë qiriu. Menduan se ka rënë një fazë dhe vrapuan të njoftojnë ENEL-in. “Jo zotërinj, u përgjigjen nga ana tjetër e telefonit, nuk ka asnjë rënie në fazë, por thjeshtë nuk keni paguar faturën e muajit”. Unë e kuptoj se këtu tek ne, me këtë sistem shpërndarje të mjeruar që na lanë Qeveritë e Saliut dhe Fatosit, OSSH-ja nuk i komandon dot dritat nga larg online, që të na i reduktojnë si dritë qiriu, kur nuk paguajmë. Por nuk e kuptoj pse atyre bizneseve që nuk e paguajnë energjinë këtë muaj, nuk ua fikin muajin tjetër, por duan t’u sekuestrojnë pronën e biznesin! Ky ndryshim ligjor mua më duket se mban erë të keqe, sepse ka dhe një kontradiktë të madhe brenda, deri në kufijtë e paligjshmërisë. Ta zëmë se një biznes ka asete që i kalojnë disa herë vlerat e papaguara të energjisë. Çfarë do të bëjë Qeveria me të? Do ta sekuestrojë “për dhjam qeni” biznesin , duke u kthyer nga e vjedhur për një faturë të vockël të energjisë, në një vjedhëse të madhe të një pasurie të paluajtshme!? Asnjë investitor i vendit dhe i huaj nuk ka faj nëse trembet nga ky ligj i sekuestrimi tw bizneseve dhe ia mbath nga vendi. Ky ligj i shtohet telasheve të tjera të mëdha që çdo biznes këtu ka me energjinë.

Javët e fundit asistova në një mbledhje me bizneset në Ministrinë e Gjiknurit. Me ndryshimin e çmimeve të energjisë biznesi po paguan një kosto të rritur 17-20%. Për këtë arsye bizneset në atë takim kërkuan me këmbëngulje uljen e tarifave të konsumit të energjisë natën. Kërkuan dhe përmirësimin e cilësisë së saj, pasi luhatjet në rrjet po u shkaktojnë fabrikave dhe bizneseve dëme shumë të mëdha, për të cilat nuk çan kokën njeri. U premtua se këto kërkesa do të bëhen realitet gradualisht. Pra, biznesi priste këto përmirësime nga Qeveria. Por në vend të përmirësimit, prapë shtrëngime të tjera! Kështu, të krijohet ideja se të gjithë e kanë mendjen vetëm për të zhvatur biznesin dhe aspak për të përmirësuar klimën e tij. Në çdo vend europian energjia që konsumohet natën, paguhet më lirë. Ka një logjikë të madhe brenda kjo. Natën pak kush ka nevojë për energji, ndaj kërkesa për te bie. Rrjedhimisht edhe çmimi. Përfitojnë nga kjo industria dhe shumë biznese që punojnë 24 orë pa ndërprerje. Gjiknuri me shokë bëjnë sikur nuk dëgjojnë me këtë vesh. Për mua ishte gabim i rëndë dhe do të ketë kosto elektorale edhe rritja e çmimit të energjisë për bizneset, në të njëjtën kohë me aksionin e domosdoshëm të ndalimit të vjedhjeve të energjisë. Kush thotë se nuk ka rritje çmimi, gënjen. Shihni faturat e çdo biznesi para ndryshimit të çmimit dhe pas tij, se nuk kanë nevojë për asnjë koment. Tani u fut edhe sekuestroja për bizneset! Të duket se për të “rrjepur” biznesin të gjithë qeveritarët dhe parlamentarët tanë bien shpejt dakord. Por harrojnë se po u prishe me biznesin, je prishur me Zotin dhe këtë Saliu e provoi dhe pësoi keqas. Mbase pësimi duhet të përsëritet shumë herë në këtë vend, deri sa qeverisësit tanë të fillojnë të kuptojnë. 

SHKARKO APP