Të jesh deputet nder apo mëkat?!

Nga Sadedin Çeliku/Është fakt se për t’u bërë deputet duhet të investosh, të filtrosh apo ta kesh mirë me kryetarin e partisë sepse siç do ta shikojmë  është punë me leverdi dhe ja vlen. Thonë se ka nga ata që paguajnë shuma të mëdha parash për t’u futur në lista. Kjo është një arsye që zgjedhja e sistemit zgjedhor bëhet me lista të mbyllura që gjithçka ta ketë në dorë kryetari i partisë. Por kjo është dhe një e drejtë e partive të mëdha se ndryshe bëhet një pazar i madh dhe i ofrohen Parlamentit dhjetë parti vetëm për zullume janë.

Kështu siç kemi vënë re, në Parlament venë njerëz jo përfaqësues,pa dinjitet dhe me performancë të dobët. Kjo duket qartë se në foltoren e Parlamentit diskutojnë gjithsej dhjetë vetë dhe pjesa tjetër janë numërorë topi dhe vlejnë veç për të mbushur sallën dhe për të ngritur kartonin sa herë ju kërkohet nga shefi. Parlamentarët shqiptarë ndahen në disa kategori dhe klasifikohen si më poshtë:

-Në deputetë biznesmenë që tregtinë, fitimet dhe transaksionet e tyre i kanë të lidhura pazgjidhshmërisht me mandatin e deputetit.

-Në deputetë politikbërës që bëhen shkelësit e parë të ligjeve që miratojnë po ata vetë.

-Në deputetë me rekorde kriminale, trafikantë, hajdutë pse jo dhe vrasës.

-Në deputetë pa nivel, pa dinjitet, mashtrues dhe injorantë që zënë karriget kot.

-Në deputetë pa arsimin e lartë,me diploma universitare të dyshimta dhe të marra në Shkodër, Strugë, Tetovë apo në vende të tjera.

-Si dhe deputetë që duan të duken e të bëhen njerëz publik duke u shfaqur në ekranet televizive vend e pa vend edhe pse niveli tyre nuk performon.

-Sigurisht që ka dhe deputetë vërtetë të ndershëm por ata janë të pakët në numër pse jo dhe të pa përfillshëm.

-Sipas kategorizimit të tyre dhe interesave që përfaqësojnë ndahen dhe zonat e influencës. Kështu kemi deputetë “të ndershëm” që ju pëlqejnë të merren me supermarkete të mëdha e gjigante, miniera, fshatra turistike, disa me ndërtime, të tjerë me naftën, por ka nga ata që merren me transportin rrethqytetas dhe me peshkun sepse janë qejfli të këtyre specieve, por ka dhe që hanë shumë pulat se i bën ato të lumtur, pije alkoolike dhe gjithfarë aktivitetesh tregtare.

Por ka dhe nga ata që hiqen si demagogë e të ndershëm që paratë e tyre  i kanë investuar jashtë vendit. Disa që janë “mentarë” ju pëlqen të ngrënë universitete jo publike se s’kanë ku i çojnë paratë. Më dembelët parlamentarë janë ato që paratë e tyre të krimit i kanë depozituar në banka të huaja jashtë Shqipërisë.

Pra, shkurt muhabeti deputetët e mbajnë mandatin për të fituar para,për të marrë tendera dhe për t’u pasuruar në kurriz të popullit. Këto përfundime e konkluzione nuk janë personale, por janë vërtetuar dhe nga deklaratat e raportet e organizatave ndërkombëtare dhe të diplomatëve të huaj të akredituar në vendin tonë.

Një raport i ditëve të fundit dhe i hartuar nga Transparency International dhe që mat eksperiencat e qytetarëve me korrupsionin në 42 vende të Europës dhe Azisë Qendrore, tregon se në Shqipëri, qytetarët vlerësojnë se deputetët e tyre janë shumë të korruptuar. Qytetarët nga Ukraina, Shqipëria, Bosnja e Hetzegovina, Rumania etj., në shumicë mendojnë se deputetët janë të korruptuar.

Në kontekstin që po e analizojmë nuk është nder të jesh deputet përkundrazi është mëkat. Populli dhe teleshikuesi në përgjithësi shikon se çfarë ndodh në atë palo Parlament i cili nuk do drejtësi, as veting, gjykim, transparence, nuk do të hapen dosjet e tyre e gjithçka tjetër. Ata duan të shijnë si deri më sot, duan padrejtësi, korrupsion dhe asnjëherë integrim në strukturat euroatlantike.

Të qënit njeri publik dhe vendimmarrës, ka kosto personale dhe publike. Vendi ynë ka shumë pak njerëz publik,por për shkak të keqinterpretimit konceptual dhe substancial të fjalës “publik” duket sikur janë shumë. Të jesh deputet e njeri publik është përgjegjësi, angazhim dhe përkushtim ndaj popullit, ndaj atyre që të japin besim e votën e tyre. A ndjejnë kështu deputetët tanë? Kurrë, ndaj tranzicioni politik nuk ka të mbaruar.

SHKARKO APP