Të larguarit nga administrata do marrin 1-3 paga
Nisja e punës së 61 bashkive të reja në vend, do të shoqërohet me shkurtime të forta të administratës.
Më shumë se 30 përqind e punonjësve aktuale të komunave dhe bashkive do të largohen nga puna, për shkak të strukturës së re por edhe riorganzimit që do të kenë bashkitë e dala nga zgjedhjet e 21 qershorit, raporton Ora News.
Referuar ligjit, punonjësit që do të largohen nga puna, konform ligjit, do të marrin nga 1-3 muaj pagën pas shkarkimit.
Ndërkohë, që qeveria ka parashikuar një fond prej 2 miliardë lekësh të cilat bashkitë e reja do t’i kenë në dispozicion deri në dhjetor për përballuar bashkimin e territorit dhe shtimin e ngarkesës me komunat e reja.
Ndërkohë sa i përket sistemit të taksave në bashkitë e reja, sipas një udhëzimi që i është dërguar bashkive te reja, rekomandohet bashkimi i paketave fiskale të ish-komunave, duke krijuar një paketë të vetme, pa ndryshuar nivelin e tyre sipas njësive administrative.
Ndryshimi i nivelit të taksave dhe tarifave në mes të vitit do të sillte kaos në përllogaritje, do të cenonte qytetarët dhe bizneset në planifikimet e tyre vjetore si dhe do të kërkonte kohë dhe ekspertizë për të pasqyruar ndryshimet në buxhetin e bashkisë si dhe në realizimin e shërbimeve dhe kontratave të nënshkruara.