Të lumtur që janë vrarë në Siri

Numri i fotove të shqiptarëve të vrarë në Siri, të cilët dalin buzëqeshur se kanë rënë Shehidë (dëshmor në rrugën e Allahut) është shtuar ndjeshëm dhe ato foto po bëhen forma më bindëse për të nxitur rrugëtimin drejt vendit të luftës. Të rinj nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Bosnja dhe Sanxhaku i Serbisë, shqiptarë dhe sllavë të besimit islam po lënë shtëpitë e tyre dhe në mënyrë gati të padukshme për pjesën tjetër të popullësisë po i bashkohen “shtetit islamik të Irakut dhe Shamit”.

Diamant Rasha është padyshim një nga të rinjtë myslimanë që pasi u vra në Siri, po shndërrohet në shembull dhe po lavdërohet nga besimtarët e tjerë për Xhihadin (luftën e shenjtë) e tij dhe për faktin që ra Shehid.

Ndërsa nga Kosova, Maqedonia dhe Serbia, numri i shehidëve është vërtetë i madh. Ata janë të rinj, një pjesë e të cilëve kanë patur një përvojë ushtarake gjatë luftës në Kosovë 1998-1999 apo në Maqedoni 2001 dhe në Bosnjë. Por pjesa më e madhe duket se janë thjeshtë besimtarë që janë brumosur me thirrjet për Xhihad dhe për jetën e Xhenetit që mund ta sigurojnë vetëm duke rënë Shehid në luftë. Deri më tani, ata nuk kishin gjetur mënyrën për të realizuar idealin e tyre dhe me luftën civile në Siri, shansi erdhi. Ajo luftë është duke eksportuar krizën përtej rajonit dhe nuk po gjen zgjidhje, megjithë kërcënimet amerikane se do bombardohet regjimi i Bashar Al Asadit. Krijimi i shtetit islamik të Irakut dhe Shamit, solli shansin e artë për këta të rinj që të zgjidhnin rrugën e Xhihadit.

Shehidët

Diamant Rasha është një nga shqiptarët, banues në Tiranë, që humbi jetën në konfliktin sirian. Në muajit shkurt të vitit 2013, Diamanti la shtëpinë e tij në rrugën “Siri Kodra” për të ikur në Siri nëpërmjet Turqisë. Më 8 janar televizioni A1Report intervistonte prindërit e shehidit nga Tirana, të cilët shpreheshin të kënaqur që djali i tyre dha jetën për kauzën islame. “Na kërkoi të ikte, i indinjuar nga masakrat në Siri. Bëri detyrën për të mbrojtur myslimanët, ne e nderojmë”, thonë prindërit e tij në intervistën televizive. “Që kur kanë lindur fëmijët, jam munduar t’i udhëheq të besojnë Zotin dhe gjatë gjithë jetës së tyre të sillen me një drejtësi absolute për ta kënaqur Allahun”, të tregon Xhemilja duke shtuar se Diamanti ishte brumosur me besimtari. “Unë kam vendosur të sakrifikohem për Allahun. Mos më ndalni asnjë sekondë se më plas zemra. Të vdes pa pikën e idealit nuk ka kuptim, ndërsa kështu është ndryshe. Aq të qartë na e ka bërë Allahu e djali, sa më duket sikur e shoh në qiell fytyrën e djalit”, të thotë ajo.

Babai i Diamantit, Shabani thoshte se i biri ka qenë i përgatitur 12 vjet rresht dhe ndiqte në internet çdo lajm që vinte nga Siria. “Shihte gratë që u dhunonin fëmijët, që prisnin kokën si një kokërr maceje, dhe ai vinte dhe fuste duart në mjekrën e tij që e kishte sa një luan dhe thoshte: O ba, si mund të qëndrojmë këtu, kur atje vriten fëmijë, dhunohen burra, gra, pleq. A rrihet këtu?! Jo ba, mos më mbaj. Të lutem mos më pengoni të shkoj në atë tokë të bekuar. Sikur të shpëtoj qoftë dhe një fëmijë të vetëm unë siguroj xhenetin”. Edhe familja e Diamantit jeton tani në Siri. Shabani tregon se nipi lidhte shaminë si muxhahedin duke thënë “o gjysh unë jam muxhahedin dhe do luftoj me gjithë babin në të mirë të muxhahedinëve”. Dhe në fakt në faqen facebook të Diamant Rashës është fotoja e djalit të tij me një armë lodër në duar. Por të ndalemi tek pjesa e rrëfimit të babait të Shahidit nga Tirana, pikërisht kur pohon se “për 12 vjet ai ndiqte lajmet në internet”.

Facebook dhe rruga për Xhihadin

Ata që ikin nga Kosova dhe Maqedonia, kanë një rrugë që nuk është aspak e ndryshme nga rruga që zgjedhin të rinjtë nga Shqipëria. Por mjeti kryesor me të cilin ata lidhen, komunikojnë, komentojnë dhe përhapin idelogjinë e tyre të luftës është interneti dhe vecanërisht Facebook.

Pak ditë më parë ish shefi i Shërbimeve Sekrete Shqiptare Fatos Klosi komentonte se këta të rinj ose ata që po i organizojnë, kanë edhe përfitime financiare apo synime të tjera, por në të vërtetë ajo që po stimulon këtë kryengritje me armë është besimi i tyre. Vite më parë, tha Klosi, SHISH kishte shpartalluar disa celula me radikalë islamikë që propogandonin luftën dhe ktheheshin në rrezik, por tani situata ka ndryshuar shumë më për keq në këtë drejtim. Celulat për të cilat ai flet ishin thjesht arabë të ardhur në Shqipëri, lehtësisht të identifikueshëm ndërsa në vend nuk ekzistonte asnjë grupim njerëzish që përkrahnin ideologjinë e tyre. Dikur SHISH dhe shërbimet e tjera sekrete kishin rekrutuar agjentë që survejonin xhamitë e grumbullimet e tjera të tyre, por tani situata është tërësisht e ndryshme. Komunikimi me anë të facebook-ut është bërë në të vërtetë xhamia e re. Në faqet personale të shumë të rinjve qarkullojnë video të përkthyera në shqip ku tregohet se si luftëtarët e ushtrisë së Allahut në shtetin e Irakut dhe Shamit ndihmojnë popullin, japin ushqim falas, përqafojnë gjithë gëzim banorët të cilët tregojnë me gojën e tyre se janë të lumtur që këta të huaj, çeçenë, marokenë, sudanezë, shqiptarë e arabë janë bërë zotër në tokën e tyre. Propaganda, lavdërimi dhe dhënia e shembujve tani bëhen nëpërmjet internetit. Në një rrjet lidhjeje dhe komunikimi që kalon përtej kufijve, por që kufizohet vetëm nga gjuha. Në facebook ka shumë faqe si “Krenaria Islame Ponos Islama”, një faqe në shqip dhe serbo-kroatisht për shqiptarë e sllavë e cila propogandonte dhe përhapte lajme që vinin nga Siria dhe lufta e Muxhahedinëve atje. Faqja u mbyll pas përmendjes në media. Por në facebook janë me mijra faqe të tjera në gjuhën shqipe ku gjen pa fund video për Osama Bin Ladenin, fjalime nga zëdhënësi i ISIS (shteti islamik i Irakut dhe Shamit), fjalime të liderit të rebelëve të Irakut, apo letra e Al Zavahirit (lideri i Al Kaedës) drejtuar popullit të Shamit (Sirisë). Këto video ushqejnë çdo ditë të rinjtë islamikë që forcën e besimit të tyre e ndërlidhin me predikimet e disa dijetarëve islamë që i shtyjnë në këtë luftë në Siri. Më pas, kur gjejnë besimin, rruga për të shkuar për në Siri kalon përmes Turqisë. Policia turke në një operacion në shkallë të gjerë arrestoi 25 persona që me anë të organizatave bamirëse organizonin dërgimin e shqiptarëve në Siri. Ashtu si Diamanti, edhe besimtarë të tjerë marrin familjet e tyre dhe shkojnë në këtë vend me besimin se në shtetin e ri islamik që për ligj ka vetëm Kuranin, do qëndrojnë dhe jetojnë. Por realiteti dhe e vërteta janë shumë larg idealit. Shumë prej tyre humbën jetën në luftë ndërsa familjet, gratë e fëmijët kanë mbetur vetëm në një vend ku jeta është në kufijtë e të pamundurës edhe për vetë vendasit. Dritare për informacionin e asaj që po ndodh në Siri, zëri i radikalëve islamikë ku ndodhen edhe shqiptarët, është bërë faqja botaislame.com. Ndërsa Osama Bin Laden nuk përdorte kurrë internet apo celular për të mos u gjurmuar, xhihadistët shqiptarë kanë një dëshirë të papërmbajtshme për të reklamuar, për t’u lavdëruar dhe treguar se çfarë po bëjnë. Dhe ajo që është pika e tyre më e fortë e komunikimit, është edhe pika e tyre më e dobët. Me shaka përmendet se më të flaktit e komentuesve në fakt nuk janë thjesht besimtarë të revoltuar, por kurthe për të zbuluar ekstremistët. Facebook është bërë rruga se si ata po gjurmohen nga shërbimet sekrete dhe policia. Në Maqedoni e Kosovë ku fenomeni i xhihadistëve është shumë më i vjetër ka nisur edhe kundër-reagimi nga ana e shtetit. Në Kosovë, edhe drejtuesit e Komunitetit Mysliman dalin zyrtarisht duke thënë se lufta në Siri nuk është Xhihad. Myftiu Naim Tërnava është bërë objekt talljesh dhe kritikash në facebook nga ana e ithtarëve të xhihadit në Siri. Ndërsa policia në Kosovë ka ndërmarrë aksione dhe shumë prej personave me prirje shumë ekstremiste janë nën përgjim dhe ndjekje, njofton revista Klan.

Emiri i Muxhahidëve

Kaçanikasi Lavdrim Muhaxheri i datëlindjes 1989, është ndër të parët shqiptarë që ka shkuar luftëtar në Siri. Karriera e tij është kurorëzuar me emërimin komandant (emir) i muxhahidëve shqiptarë atje, që luftojnë në grupimin radikal islamik “Al Nusra”. Kjo konfirmohet në mediat sociale në faqet personale të shqiptarëve të Kosovës. Emri tjetër i tij është Ebu Abdullah el Albani. Së fundi, Muhaxheri bëri xhiron e medias online me kërcënimin e tij ekstrem ndaj një gjenerali amerikan që punon pranë shtabit të opozitës siriane jo-islamike. Për ironi të fatit, sipas gazetës së Prishtinës Express Muhaxheri ka punuar për KFOR-in amerikan në kampin “Bondsteel” në Ferizaj të Kosovës, dhe për NATO-n në Afganistan.

SHKARKO APP