Të mbrojmë familjen nga “ortekët” destruktivë…

Nga Gëzim Tushi-

Besoj se duke parë me kujdes zhvillimet kaotike mund të konstatojmë sociologjikisht se situata dhe statusi social i familjes shqiptare, asnjëherë më parë nuk ka qenë kaq i tronditur dhe i paqartë si sot. Kurrë më parë ajo nuk ka qenë “vatër kundërshtish” dhe organizim social i dalluar për mungesë stabiliteti social sa në ditët tona. Asnjëherë më parë kontradiktat e shfaqura, shpesh herë  brutalisht midis pjesëtarëve të saj, nuk kanë qenë kaq të thella, të vazhdueshme dhe me vështirësi për t’i zgjidhur në rrugë humane.

Po pse është kjo situatë në familjen e sotme shqiptare? Në shoqërinë për shkak të ndikimeve duket e vështirë për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur me këtë organizim të jetës sociale dhe mbi të gjitha cila është perspektiva dhe roli i saj në të ardhmen?

Ka një pafundësi shkaqesh dhe një numër të madh arsyesh pse familja shqiptare sot po kalon një situatë të qartë krize ekzistenciale dhe mungese të stabilitetit strukturor që e kanë bërë atë vatër të nxehtë të dhunës, konflikteve, mungesës së kohezionit social dhe komunikimit qytetar. Pasojat janë nën ndikimin e situatave turbulente të sjella në gjirin e saj prej liberalizimit të “roleve” dhe ndryshimit të “pozicioneve” sociale, si pasojë e zgjerimit të individualizmit që është padyshim “ideologji” e natyrshme e stadit postmodern të zhvillimeve të saj.

Në këto rrethana është e kuptueshme pse sot në familjen shqiptare është krijuar një kaos konceptual dhe real për raportet e ndryshuara midis familjes si institucion bazë i jetës dhe strukturë themelore e organizimit të jetës shoqërore dhe rivlerësimit të rolit të njeriut si individ, i parë dhe vlerësuar nga pozitat e një modeli ideologjik ultrapersonalist, që tashmë ka filluar të bëhet limfë sociale edhe për jetën në familjen dhe shoqërinë tonë.

Kjo është arsyeja më thelbësore krahas atyre me natyrë ekonomike e kalimtare që ka bërë që në familjen tonë të ndryshojnë raportet e vjetra, mbi të gjitha mënyrat tradicionaliste të ndërtimit të raporteve dhe marrëdhënieve midis familjes si institucion bazë i organizimit të jetës sociale dhe individit si person.

Mirëpo problemet që kanë dalë si pasojë e këtij ndryshimi të thellë të strukturës dhe rolit të institucioneve sociale dhe tendencës për “inviduum të personalizuar” të individit, shoqëruar me zgjerim të pavarësisë individuale nga raportet e vjetra determinante dhe determinuese me familjen, gjërat kanë marrë forma dhe trajta të reja. Për pasojë në se në familjen tradicionale shqiptare, të pacenuar si tipologji e funksione sociale pothuaj deri në fund të viteve 90 të shekullit të kaluar, kur për shumë shkaqe e arsye qenësore institucioni i familjes ishte prioritar, me peshë të veçantë sociale, dhe në të njëjtën kohë individi brenda kësaj strukture (familjes) ishte pjesë përbërëse dytësore, përgjithësisht i detyruar për të respektuar familjen si institucion bazë, disiplinën e brendshme përgjithësisht me natyrë sociale dhe normat kulturore dhe edukative të saj.

Ndërkaq, sot për shkak të ndryshimeve të thella që kanë ndodhur në raportet e individit me shoqërinë dhe të personit me strukturat bazë të organizimit të jetës sociale në shoqërinë postmoderne shqiptare, duket sikur ky rol thelbësor i familjes është tronditur, zbehur, dobësuar për shkak të idesë dominante liberale e postmoderne, se në kohën e sotme rëndësi më shumë ka individi si identitet dhe entitet më vete, dhe që këto janë prioritare në raport me konvencionalitetet sociale e humane imponuara prej familjes.

Në këtë klimë skepticizmi për familjen dhe rolin e saj në kushtet e shoqërisë postmoderne, rriten dhe zhvillohen në të njëjtën kohë dhe paralelisht dukuri e fenomene kontroversale me natyrë pozitive, sidomos në aspektin e emancipimit të individit si njeri në raport me determinimet e familjes si strukturë sociale. Por nga ana tjetër dhe në të njëjtën kohë kjo tendencë e pakontrolluar, anarkike dhe e dalë nga shinat e normalitetit social është bërë faktor degradues për rolin, funksionet sociale dhe edukative të familjes shqiptare.

Kjo duhet parë dhe vlerësuar me kujdes, pa synuar që të tentojmë të rikthejmë familjen autoritariste tradicionale me role dhe funksione të tepërta sociale, pa e pranuar idenë e familjes si “çerdhe despotizmi”, por në të njëjtën kohë duke përballuar valët e destruktivitetit që përplasen pa pushim mbi familjen shqiptare, duhet të vlerësojmë faktin negative që ato po dobësojnë vazhdimisht dhe pa ndërprerë vlerën dhe autoritetin e saj social si strukturë bazë e jetës edhe në shoqërinë postmoderne.

Megjithatë ajo që bën më shumë përshtypje, është fakti se në shoqërinë tonë ka filluar të zbehet koncepti për rolin, funksionet edukative e sociale, përgjegjësitë edukative e kulturore të familjes, në emër të shikimit të njëanshëm të detyrës sociale të “rishikimit të vlerave” të familjes tradicionale shqiptare.

Pak me stil dhe herë në mënyrë timide e spontane në shoqërinë tonë po qarkullojnë ide të deformuara për familjen e djeshme, të sotme dhe të nesërme. Padyshim në krye të sulmit kundër familjes dhe rolit të saj janë ultraliberalët dhe ideatorët e ekscentrizmit individualist, të cilët në emër të modernitetit e kanë drejtuar sulmin total kundër gjithë mangësive e vlerave të familjes tradicionale shqiptare. Kjo stratagjemë që po ndodh para syve tanë mund të mos kuptohet në përditshmërinë e jetës sonë nga njeriu i zakonshëm, që jo vetëm nuk ka kohë për analiza sociologjike por dhe nuk ka shumë dëshirë të përfshihet në analiza teorike.

Nga ana tjetër ajo që po ndodh është se shpesh nuk shfaqet hapur ana e errët e spostimit të rolit social dhe vlerave morale të familjes shqiptare, sepse akoma nuk kemi në qarkullim teorik ide të sofistikuara, që duan të maskojnë dhe kamuflojnë thelbin e këtij sulmi antisocial e kundër familjar përmes sjelljeve dhe veprimeve që në mënyrë të qëllimshme kanë mundur dhe gradualisht kanë spostuar rolin social, kulturor dhe edukativ të familjes shqiptare.

Është padyshim e vërtetë që familja tradicionale shqiptare nuk ka qenë e përkryer. Nuk ka qenë institucion i jetës demokratike, nga që nuk mund të ishte e tillë kur demokracia as nuk ekzistonte as funksiononte. Madje deri në vitet 90 ajo ka qenë institucion social me shumë probleme e të meta, të cilat të para me optikën e sotme të liberalizmit, individualizmit dhe nevojës së demokratizimit të saj nuk mund të mohohen.

Idolatrizimi i modelit tradicional të familjes shqiptare në kohën tonë është teorikisht konservatorizëm dhe praktikisht një pengesë reaksionare për zhvillimin e mëtejshëm të saj sipas parametrave të qytetërimit postmodern. Por pa mohuar të metat thelbësore dhe sidomos ambalazhet e saj super moralizuese, ne duhet të shikojmë atë që është racionale dhe që duhet ta trashëgojmë nga familja tradicionale, aq sa vlen dhe në ato përmasa që na duhet dhe i shërben kohës dhe ruajtjes së shëndetit të familjes së sotme nga patologjitë dhe lajthitjet skizofrenike të koncepteve të “familjes së hapur”, të shthurur, pa strukturë të qëndrueshme dhe disiplinë sociale.

Sado të liberalizohet familja shqiptare ajo ka nevojë të ketë Kushtetutën e saj e cila duhet të jetë bazë për ndërtimin e lidhjeve dhe marrëdhënieve brenda saj. Ndryshimet që kanë ndodhur brenda familjes shqiptare, janë të lidhura edhe me atë që ka ndodhur jashtë saj apo në marrëdhëniet e saj me faktorët e jashtëm. Nuk duhet neglizhuar fakti që në të kaluarën shteti ishte faktor me rëndësi, që jo vetëm ishte brenda familjes por dhe ndërhynte në mënyrë direkte e indirekte në punët e saj. Ndërsa sot zhvillimet politike dhe transformimet e thella sociale, kulturore e morale kanë krijuar kushtet që jo vetëm shteti nuk është më faktor brenda familjes por dhe familja si strukturë sociale është tërësisht jashtë dhe pothuaj e pavarur nga shteti, punët dhe rolet e tij.

Megjithatë jemi në momentin kur ka një varg shqetësimesh e problemesh që kanë dalë përballë si sfidë për familjen shqiptare për sot dhe për të ardhmen. Në mënyrë të përmbledhur mund të sintetizohen përmes këtyre pyetjeve:

Cilat funksione sociale do t’i mbeten familjes, si do të jenë lidhjet biologjike dhe përgjegjësitë morale, sociale dhe relacionet ekonomike brenda saj? Çfarë strukture kompozicionale, lidhje sociale do të ketë midis brezave, sa e madhe do të jetë dhe si do të ecë procesi postmodern i ristrukturimit të saj, si do të evoluojë përgjegjësia në raport me fëmijët, të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara? Sa kënaqësi do të vazhdojë të japë familja për anëtarët e saj?

Në shoqërinë tonë, këtij proces shpesh shtypi, politika, media dhe opinioni publik i vendos etiketime të nxituara emocionale duke u udhëhequr nga standarde e paragjykime të vjetra konservatore, që nuk kuptojnë dhe nuk pranojnë ndryshimin e tipologjisë së familjes shqiptare, ose nga qëndrime moderniste dhe ekzibicioniste, të disa të tjerëve, që të udhëhequr nga epidemia e modës liberale të familjes së lirë dhe me sa më pak detyra dhe funksione të kondicionuara, mbivlerësojnë edhe dukuritë e “reja”, të cilat në thelb nuk ndihmojnë për qëndresën humaniste të saj, si institucioni i parë i shoqërisë njerëzore.

Familja shqiptare sot ka shumë probleme të diskutueshme organike të saj, duke filluar nga problemet e konceptimit dhe ndërtimit deri tek motivet dhe qëllimet e ekzistencës së saj.  Sipas mendimit tim, çështjet që shqetësojnë familjen shqiptare duhen diskutuar në dy plane: së pari duke vlerësuar faktin që në mënyrë të natyrshme nga pikëpamja psikologjike abstrakte vlera e familjes rritet, ndërsa duke e gjykuar nga pikëpamja e vjetër si strukturë me vlerë ekonomike, roli i saj, vjen duke u zvogëluar. Duke u nisur nga këto këndshikime, studiuesit e familjes, shikojnë si funksion kryesor të saj, aftësinë për të edukuar dhe “përshtatur individin” me veten dhe shoqërinë.  Familja është një grup i vogël dhe në këtë kontekst, ajo është një bërthamë që i jep kënaqësi individit, duke i siguruar atij, relacionet biologjike, psikologjike dhe humane të sigurimit, mbrojtjes dhe njohjeve që krijohen brenda saj. Duke u nisur nga tendencat dhe prirjet evolucioniste të familjes shqiptare, bashkohem me mendimin e sociologëve dhe studiuesve të ndryshëm, të cilët janë të mendimit se familja sa më moderne dhe bashkëkohore do të bëhet, aq më shumë do të reduktohen madhësia dhe funksionet e “vjetra” të saj. Ajo do të bëhet gjithnjë e më shumë simbolike, me strukturë më të lehtë, me lidhje ekonomike gjithnjë më të vogla. Por ekzistenca dhe rolet e saj janë krejtësisht e domosdoshme. Askush nuk mund të guxojë ta verë këtë të vërtetë në dyshim!

SHKARKO APP