Teknologjia përpiqet të eliminojë nevojat për ushqime shtazore
Duke përdorur përbërës bimorë, shkencëtarët po rikrijojnë artikuj ushqimorë që aktualisht përdorin prodhime mishi apo blegtorie
Ka njerëz që bëhen vegjetarianë për arsye të ndryshme: fetare, etike apo për shëndet. Kuzhinierë me imagjinatë kanë krijuar receta të ndryshme mjaft të shijshme për vegjetarianët. Tani teknologjia po përpiqet të gjejë zgjidhje për të ardhmen e rezervave ushqimore të njerëzimit duke u bazuar tek dieta bimore. Një numër kompanish në Kaliforni po përpiqen të zgjidhin problemet e përballimit të nevojave globale ushqimore duke u ofruar klientëve produkte novatore në dyqanet e ushqimeve.
Në këtë kuzhinë po realizohet një proces revolucionar: duke përdorur përbërës të thjeshtë ushqimorë, shkencëtarët duan të rikrijojnë artikuj ushqimorë si vezët.
“Eksperimentimi me përbërës ushqimorë që janë krejt të ndryshëm është i ngjashëm me ecjen e njeriut në Hënë. Këto janë gjëra që nuk janë bërë më parë, pra është diçka mjaft e vështirë,” thotë Chris Jones i kompanisë “Hampton Creek”.
Kompania “Hampton Creek” me qendër në San Francisko përdor shkencat robotike për të identifikuar burime bimore nga e gjithë bota që do të shërbejnë për të rikrijuar një variant vegjetarian të ushqimeve shtazore, si majoneza.
“Studiojmë karakteristikat molekulare dhe identifikojmë se si ndikojnë tek ushqimi që prodhohet: për shembull a e lejon brumin e kekut të fryhet, a i jep shije të mirë majonezës, apo nëse e bën kremoz gjalpin e kikirikëve,” thotë Josh Tetrick i kompanisë “Hampton Creek”.
“E gjithë kjo bëhet e mundur falë arritjeve të fundit në shkencat e analizimit dhe grumbullimit të të dhënave,” thotë Jim Flatt i kompanisë “Hampton Creek”.
Produktet e kompanisë tani i gjen në shumë dyqane ushqimesh në Shtetet e Bashkuara, Meksikë e Hong Kong.
Ky hamburger që duket se përbëhet nga mish i grirë në fakt e ka origjinën në një laborator në Los Anxhelos ku shkencëtarët kanë krijuar një substancë që ngjan me hamburgerin duke përdorur proteinën bimore të bizeleve dhe sojës.
Shkencëtarët tani po kërkojnë alternativa bimore për ato elementë ushqimorë që përmban dieta shtazore. Me këta elementë, shkencëtarët më pas rikrijojnë ushqimet tona të preferuara por me përmbajtje bimore.
“Ne marrim përbërës bimorë, i nxehim, i ftohim, ushtrojmë trysi në kushte laboratori për të lidhur proteinat që të marrin trajtën e indit të mishit të kafshëve,” thotë Ethan Brown i kompanisë “Beyond Meat”.
Produktet bimore mund të zgjidhin edhe problemin e rezervave ushqimore globale.
“Në Azi, në Afrikë, në Indi, kudo po shohim rritje të konsumit të proteinës shtazore. Nuk mendoj se planeti ynë mund ta përballojë këtë rritje kërkese,” thotë Brown.
“Sigurimi i rezervave ushqimore është bërë problem gjithnjë e më i madh si rezultat i ndryshimeve klimatike dhe sfidave të tjera. Nëse zgjerojmë alternativat për të ushqyer popullatën globale, mund t’i zvogëlojmë rreziqet,” thotë Josh Tetrick i kompanisë “Hampton Creek”.
Ky shqetësim global, thonë shkencëtarët, e bën punën e tyre për të gjetur burime alternative ushqimore një domosdoshmëri për të ardhmen.
/VOA