Telekom Albania prezanton lojën e re në celular “Sea Hero Quest”

Në kuadër të nismës për gjetjen e kurës për demencën, Telekom Albania prezantoi të hënën lojën “Sea Hero Quest”. Kjo lojë synon që me anë të zbavitjes të kontribuojë për një kauzë të mirë. Loja është e disponueshme edhe në gjuhën shqipe. Qëllimi i saj është mbledhja e të dhënave, të cilat do të lehtësojnë shumë punën kërkuese të shkenctarëve në avancimin e kurës për demencës.

Sea Hero Quest (Kërkimi i Heroit të Detit) është një lojë në celular e krijuar posaçërisht për të na ndihmuar të kuptojmë më mirë sensin e orientimin gjatë lëvizjes dhe si funksionon ky aspekt i trurit tonë. Kjo vjen si pjesë e përpjekjeve të koordinuara për të qenë një hap më pranë administrimit të kërcënimit gjithnjë e në rritje nga sëmundja e demencës.

Sipas raportit për Ndikimin Botëror të Demencës (2013-2050), 135 milionë njerëz në mbarë botën do të preken nga kjo sëmundje deri në vitin 2050. Demenca çrregullon krijimin e kujtimeve të reja duke i lënë shpesh personat e prekur të izoluar dhe të çorientuar. Për shumë njerëz që vuajnë nga sëmundja e demencës, një nga efektet e para që ata përjetojnë është humbja e vetëdijes për vendndodhjen, duke qenë se humbin aftësinë për t’u orientuar, madje edhe në vende apo ambiente që i njohin mirë.

Demenca është një sëmundje që i rrëmben njerëzve tanë të dashur aftësinë për të ndarë kujtimet e tyre me ne. Deutsche Telekom dhe Telekom Albania besojnë se teknologjia e avancuar dhe shërbimet e reja mund të jenë në gjendje të transformojnë për më mirë jetën e të gjithëve.

Një nga partnerët kryesorë të Telekom Albania në Shqipëri është Alzheimer Albania, e cila është e vetmja organizatë jo-fitimprurëse që merret me demencën dhe sensibilizimin e publikut për kërcënimin nga kjo sëmundje.

Menaxherja e Marrëdhënieve të Korporatës në Telekom Albania, Znj.Ornela Bego, u shpreh se “ne në Telekom Albania besojmë se çastet jetësore duhet të na lidhin me njëri-tjetrin. Gjithashtu, edhe teknologjia novatore duhet të na e përmirësojë jetën. Ne jemi pjesë e grupit Deutsche Telekom dhe për këtë e ndjejmë përgjegjësinë se rrjetin dhe kapacitetet tona njerëzore dhe teknologjike t`i vendosim në shërbim të shoqërisë”.

Një nga mjekët e specializuar në fushën përkatëse, pjesëmarrës në prezantimin e “Sea Hero Quest”, Prof. Doc. Jera Kruja u shpreh e kënaqur për një nismë të tillë. “Duke njohur më mirë këtë sëmundje sigurisht që mund ta përballojmë më mirë. Bazuar në dy studime të bëra në Shqipëri, prevalenca e demencës është shumë e lartë, kryesisht te gratë. Gjysma e popullatës shqiptare mbi 80 vjeç vuan nga demenca. Për këtë arsye, ne si mjekë duam të bashkojmë forcat me të gjithë faktorët e tjerë për ta njohur dhe shëruar këtë sëmundje”, tha Prof. Kruja.

Në një proces të udhëhequr nga “Saatchi & Saatchi” në Londër, çdo aspekt i “Sea Hero Quest” është hartuar nga krijuesit e lojërave dhe shkencëtarët për të dhënë informacione rreth mënyrës se si ne orientohemi çdo ditë. Teksa lojtarët çajnë përmes labirinteve të ishujve dhe ajsbergëve, çdo sekondë e lojës mund të përkthehet në të dhëna shkencore nga ekspertët. Dy minuta lojë në Sea Hero Quest është e barabartë me pesë orë punë kërkimore në mënyrën tradicionale. Nëse 100 mijë njerëz luajnë për dy minuta secili, ne mund të gjenerojmë sasinë ekuivalente të të dhënave të mbledhura nga më shumë se 50 vjet studime të këtij lloji në laborator.

Zj. Marseda Shtylla, përfaqësuese e Departamentit të Marketingut në Telekom Albania tha se: “Përmes kësaj loje, shkencëtarët duan të shikojnë se si njerëzit orientohen në ambientë të qarta dhe jo të qarta. Çdo nivel përbëhet nga tre hapa. Hapi i parë është memorizimi i hartës dhe kalimi i labirinteve.

Hapi i dytë dhe më i rëndësishëm është hedhja e raketave ndriçuese. Ndërsa hapi i tretë është vetëm argëtues. Të dhënat e tij nuk analizohen nga shkencëtarët”.

Të gjitha të dhënat e mbledhura nga loja do të jenë anonime dhe do të ruhen të sigurta në qendrën e të dhënave të T-Systems në Gjermani, me qëllim garantimin e integritetit dhe privatësinë e të dhënave sipas legjislacionit gjerman për sigurinë, një nga më të rreptët në Europë.

Sea Hero Quest është e disponueshme në të gjithë botën për sistemet iOS dhe Android dhe mund të shkarkohet falas nga App Store dhe Google Play duke ndjekur linkun: http://bit.ly/1W9Fcon.

Më shumë informacion rreth kësaj loje të veçantë, historinë e krijimit të saj dhe sëmundjen të cilën ajo synon të na ndihmojë ta kuptojmë më mirë, mund t’i gjeni në www.seaheroquest.com.

SHKARKO APP