Tërheqja e Ramës, fituesit dhe humbësit e vërtetë

Nga Ardit Rada*

Partia Socialiste ka tërhequr nga kalendari i punës së Kuvendit dy projektligjet që priteshin të ngjallnin debat. Në fakt, kreu i Grupit Parlamentar teksa njoftonte tërheqjen, bëri të ditur se “Dekoratat” dhe “Mbetjet” do të kalonin mëparë në një diskutim me qytetarët. Sigurisht që ky hap “prapa kthehu” i kursen vendit një sjellje arrogante të qeverisë nga popullit, por edhe protesta e reagime të ndryshme.

Debati për heqjen e dekoratave të ish-zyrtarëve komunistë u sulmua fillimisht nga opozita përmes një manipulimi të datave e fakteve. Për ta sfumuar vullnetin anti-Enverist të qeverisë Rama, PD solli në shtator shembjen e kullës së Prek Calit që kishte ndodhur në gusht. E gjithë kjo për të krijuar përshtypjen se heqja e medaljeve për komunistët e dekoruar nuk ka vlerë për aq kohë sa qeveria po zhduk me rrënjë trashëgiminë fizike të heronjve anti-komunistë.

E njëjta gje do të ndodhte edhe me temën e importit të mbetjeve, ku me gjasë Partia Demokratike do të gjente një ngjarje si kundërpeshë. Qoftë edhe nga e kaluara e largët. Por çfarë po ndodh realisht teksa mazhoranca tërhiqet nga projektligje që vetë i harton, vetë i propozon dhe po vetë mund t’i miratojë?

Duket se Partia Socialiste po teston në opinionin publik nismat e saj së pari duke i propozuar. E gjitha kjo për ta shmangur arrogancën që rrezikon ta përfshijë përmes shumicës parlamentare që ka sot.

Dhe fatkeqësisht, Shqipëria ka njohur shumë mazhoranca arrogante. Nga ajo që dhunonte të verbërit gjatë një proteste te dera e Kryeministrisë dhe nuk pranonte të ndryshonte një nen në ligj.

Një qeveri që tërhiqet nga nisma mbase edhe të gabuara dhe që kanë sensibilitet të lartë publik, për hir të së vërtetës duhet përgëzuar. Së pari sepse jep një shembull krejt të kundërt nga shumicat e mëparshme që kanë drejtuar vendin. Dhe së dyti, sepse tregon përgjegjshmëri dhe seriozitet teksa kërkon përfshirjen e qytetarëve në debat.

E vetmja që shqetësohet nga tërheqja e “Dekoratave” dhe e “Mbetjeve” është opozita. Sepse për projektligjin e parë priste të fërkonte duart teksa elektorati tradicional i PS, veteranët dhe pasardhësit e tyre, i kundërviheshin Ramës. Sa për mbetjet, nuk do të ketë protestë qytetare ku të dërgojë deputetët e saj si solidarë, apo kauzë për ta “vjedhur” e për ta trumpetuar në ekrane si gjetje sezonale.

*JavaNews

SHKARKO APP