Tërhiqet Luis Figo nga gara: Zgjedhjet në FIFA, anormale
Ndryshime të papritura dhe të njëpasnjëshme në garën presidenciale të FIFA-s. Do të jetë Princi Ali, rivali i vetëm i presidentit aktual Sepp Blatter për zgjedhjet që do të zhvillohen më 29 Maj, në Zyrih. Pak orë pas tërheqjes së holandezit, Michael van Praag, të njëjtin vendim mori edhe Luis Figo, duke shpjeguar përmes një deklarate se arriti në këtë konkluzion për arsye personale, ndërkohë që lëshoi kritika të ashpra për mënyrën se si po zhvillohet procesi.
“Në muaj e fundit kam parë dëshirë për ndryshim dhe incidente në të gjithë botën për të cilat duhet të ndihen keq të gjithë ata që duan një futboll të lirë, të pastër e demokratik. Kam parë me sytë e mi presidentë federatash që një ditë i krahasojnë drejtuesit e FIFA-s me Djallin dhe ditën tjetër i krahasojnë të njëjtët njerëz me Jezus Krishtin. Kandidatët janë penguar që t’i drejtohen federatave në kongrese, ndërkohë që njëri nga kandidatët gjithmonë ka patur mundësinë të mbajë fjalime. Gjatë kësaj kohe nuk ka patur qoftë edhe një debat të vetëm publik ku të dëgjohen propozimet e secilit kandidat. Për këtë arsye besoj se më 29 Maj nuk do të ketë zgjedhje normale”, thuhet në deklaratën e portugezit.
Ndryshe nga Van Praag që deklaroi se do të mbështesë Princin Ali në vazhdim, Figo nuk specifikoi nëse edhe ai do të bashkojë forcat në frontin e atyre që janë organizuar kundër presidentit Blatter.