Tërmeti Brexit, vijon rënia e paundit britanik

Vijojnë pasojat e Brexit në tregjet financiare europiane e globale. Bursa e Londrës sot është hapur me 0.8 përqind ulje, ndërkohë që tronditja vijon edhe në Milano, Paris dhe Frankfurt.  Paundi britanik gjithashtu vijon të bjerë në raport me dollarin dhe euron. Kaosi ka përfshirë edhe tregjet aziatike, teksa shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar Christine Lagarde thotë se gjithça është nën kontroll  dhe nuk ka vend për panik.

Është hapur me 0.8 përqind ulje bursa në Mbretërinë e Bashkuar sot, teksa paundi ka rënë edhe më tej kundrejt dollarit, pas humbjes rekord të ditës së premte.

Sipas të dhënave nga FTSE 100,  bursa në Londër u hap me 6.092.19 pikë, teksa më ulje janë hapur edhe bursat në  Milano, Frankfurt e Paris.

Sterlina këmbehet sot me 1.3 dollarë, me një ulje prej 2 përqind, shumë afër shifrave të së premtes së konsideruar të zezë në tregjet financiare.

Ndërkohë  krahasuar me euron, paundi britanik këmbehet me  1.2, me një ulje prej 1.2%.

Në një deklaratë të lëshuar më herët gjatë hapjes së tregut të aksioneve, kancelari George Osborne tha se Britania e Madhe ishte gati për t’u përballur me të ardhmen nga një pozicion i fortë, duke shtuar se për momentin nuk është nevoja e përdorimit të buxhetit emergjent.

Osborne tha se ekonomia britanike ka nevojë për një rregullim, por sipas tij është e arsyeshme të pritet Kryeministri i ri i vendit pas largimit të David Cameron.

Tërmeti Brexit ka prekur gjtihashtu edhe tregjet aziatike, ku autoritetet po marrin masat për stabilizimin e tyre.

Të dielën Christine Lagarde,  shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar tha se vota e britanikëve për të dalë nga Unioni i kishte kapur tregjet në befasi.

Por pavarësisht kësaj, Lagarde tha se nuk ka vend për panik dhe se tregjet fiannciare janë nën kontroll.

SHKARKO APP