Testi i ADN-së nuk ndryshon mënyrën e jetesës
Tundimet për t’iu larguar praktikave të shëndetshme gjenden kudo, që nga pirja e duhanit, e pijeve alkoolike dhe tek llojet e shumta të ushqimeve. Po sikur një test ADN-je të konkludonte se një nga këto do të shkaktonte një sëmundje të caktuar? A do të ndryshonit praktikat për të ulur rrezikun? Jo domosdoshmërisht, thonë një grup shkencëtarësh në Universitetin Cambridge.
Në një raport të botuar në revistën “BMJ Journal” pasqyrohen përfundimet e 18 studimeve të ndryshme të njerëzve të cilëve iu dhanë konkluzione të bazuara në testin e tyre të ADN-së.
Studimet zbuluan se njerëzit të cilëve iu tha se janë të prirur për të zhvilluar një sëmundje të caktuar, nuk i përmirësuan praktikat e tyre pasi rezultoi shumë e vështirë ndryshimi i zakoneve të përditshme.
Një ndër studimet ishte për diabetin e tipit 2. Autori, Job Godino, nuk është i befasuar nga rezultati.
“Nuk u befasova pasi këto lloj sjelljesh janë tepër të vështira për t’i ndryshuar. Janë shumë komplekse. Janë shndërruar në zakone dhe ndodhin përgjithësisht në mjedise që nuk lidhen me të qenit aktiv fizikisht apo me një dietë të shëndetshme. Është shumë më e lehtë të bësh jetë sedentare. Në shoqërinë e sotme është shumë më e thjeshtë të ushqehesh me një dietë jo të shëndetshme. Prandaj, nuk mjafton informacioni për riskun, që të ndryshosh këto zakone”, thotë Job Godino, asistent profesor në Universitetin e Kalifornisë në San Diego.
Tashmë njerëzve do të jepet një mundësi më e lehtë për t’u informuar rreth përbërjes së ADN-së së tyre.
Industria e testimit gjenetik mori një hop të madh në muajin prill, kur një kompanie iu dha liçensa e parë për të testuar ADN-në në nivel konsumator.
James Lu është bashkëthemelues i kompanisë “Helix”, e cila ofron testimin e ADN-së për të zbuluar risqe të caktuara gjenetike. Ai thotë se duhet arsimim dhe mbështetje për njerëzit.
“Nëse dëshiron të ndryshosh praktikat e njerëzve, duhet t’i përfshish në një proces shëndetësor të personalizuar. Të gjitha studimet duhen zhvilluar për më shumë kohë. Duhen mbajtur njerëzit nën vëzhgim më gjatë dhe duhet të jemi më fleksibël për mënyrat se si do të ndërhyjmë për persona të caktuar”, thotë zoti Lu.
Këshilltari për testimin gjenetik, doktor Robert Green, thotë se megjithatë edhe vetë procesi i testimit shërben për t’u kujtuar njerëzve të kujdesen për shëndetin e tyre.
“Është interesante që më shumë ndikon procesi i testimit, se sa mesazhi që marrin nga konkluzionet. Thjesht përjetimi i eksperiencës, si p.sh,. i dërgimit të pështymës për t’u testuar, në njëfarë mënyre i motivoi personat të mendojnë më shumë për shëndetin e tyre dhe rreziqet”, thotë doktor Green, nga Fakulteti Mjekësor i Harvardit.
Këtë eksperiencë e përjetoi vetë edhe Doktor Francis Collins, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetit në Shtetet e Bashkuara.
Ai mban me vete një model yndyre prej 2.3 kilogramësh për t’i shërbyer si kujtesë të rreziqeve shëndetësore.
Disa vjet më parë, doktor Collins bëri tre teste ADN-je, të cilat treguan se ai rrezikohet 50% më shumë se një person i zakonshëm për të zhvilluar diabetin e tipit 2.
“Ishte si një shkundje që më zgjoi duke më kujtuar se nuk jam i pavdekshëm dhe se ndoshta ka disa gjëra që mund të ndryshoj për mirë”, thotë doktor Collins.
Që atëherë, ai filloi një program më të shëndetshëm të të ushqyerit. Duke e kombinuar me ushtrime fizike, ai deri më tani ka arritur të humbasë rreth 16 kilogramë peshë.
Ai thotë se megjithatë varet nga individi. Megjithëse informacioni i ADN-së nuk po ndryshon stilin e jetesës të njerëzve, për disa mund të shërbejë si një motivim i fuqishëm.