Teuta Hoxha rrëfen ditën e vdekjes së diktatorit Enver Hoxha

 

Në librin “Enveri në kujtimet e mia”, gruaja e djalit të diktatorit Enver Hoxha, Teuta, ka sjellë edhe ditën kur ai ndërroi jetë.

Ajo përshkruan se çfarë ndodhi atë ditë.

Pjesa nga libri është sjellë nga gazeta Dita.

Më poshtë, pjesa e librit ku flitet për ditën e vdekjes së diktatorit:

11 PRILL 1985

Ajo, sё cilёs ne i trembeshim aq shumë, ndodhi më të hyrë të 11 prillit në ora 02 e10’, kur zemra eTij pushoi së rrahuri. Eshtë e vështirë të përshkruash tronditjen që pësoi gjithsecili prej nesh. Mamaja e pёrjetoi shumё, shumё rёndё. Mё kujtohet qё nuk qёndronte dot nё kёmbё. E ulur nё njё karrike, rrinte me sytё mbyllur dhe Kostandina e mbante me kompresa nё ballё e nё qafё. Nuk qante, mёrmёriste fjalё me vete, dhe vetёm emri Enver kuptohej kur e shqiptonte. Shpirtin ia mundonte dhimbja e patreguar…

Ishte njё humbje e pazёvёndёsueshme. Ajo humbi shokun e jetёs, burrin e shtёpisё, ne humbëm njeriun e dashur, babain, gjyshin e fëmijëve, ndaj dhimbja ishte shumё e madhe. Mua m’u duk se kishte ndodhur njё gjё e tmerrshme, pasi ishte vdekja e parë që e pёrjetoja kaq afёr. Nё atё gjendje nuk e pёrfytyroja dot se si mund të ikte pa kthim nga shtёpia një nga njerëzit e tu tё dashur. Më ka mbetur akoma në sy imazhi kur babai doli për herë të fundit nga shtëpia, por këtë herë në arkëmort për të mos u kthyer kurrë më.

Paskëtaj, Ai do t’i përkiste gjithë popullit, ne nuk do të mund ta qanim e ta përcillnim siç bëjnë të gjithë.

Më kujtohet kur bënim homazhe pranë trupit të Tij në Presidiumin e Kuvendit Popullor, ndjeja një ftohtësi, diçka që më largonte dhe m’i thante lotët. Atëherë unë kuptoja që kishim humbur edhe Udhëheqësin.

Pra këto janë përjetime që unë, edhe sot, pas kaq vitesh, i kujtoj me dhimbje.

Tashmë janë të njohura për publikun filmimet dhe fotografitë e shumta të ditëve të zisë kombëtare, ku janë fiksuar në celuloid, aq shumë lot dhe dhimbje.Për ne familjarët,kuptohet që ishte një ngushëllim i madh, pjesëmarrja e mijëra-mijëra vetë në këtë mort kombëtar.Dhimbja e njerëzve ishte e papërshkruar. Më kujtohet që në disa raste u detyruam ne pjestarët e familjes të mund të ngushëllonim dhe të qetësonim njerëzit në hidhërimin e madh që i kishte pushtuar.

Pavarësisht që me ndryshimin e sistemit,u hodh shumë baltë mbi figurën e Enver Hoxhës, unë përsëri kam bindjen, se kanë qenë lot të sinqertë. Vargani i pambarim, vaji dhe dhimbja ishin nga njerëzit e popullit, të cilët kishin humbur Udhëheqësin e tyre. Enver Hoxha ishte dhe do të mbetet në kujtesën historike Bir i Vegjëlisë.Prandaj sot, kur rishoh në televizor ceremonitë, më vinë ndër mend, fjalët e presidentit Abraham Linkoln që thotë: “Mund të mashtrosh një pjesë të popullit përgjithmonë, mund të mashtrosh edhe të gjithë popullin për një fare kohe, por nuk mund të mashtrosh të gjithë popullin për gjithë kohën”.

Ceremonitё e varrimit filluan nё datёn 12 prill, në orën 9.00. Arkivoli me trupin e Enver Hoxhës u vendos në sallën e Presidiumit të Kuvendit Popullor. Në sfondin kryesor ndodhej një portret i madh i Enver Hoxhës, nё pikturё ku ishte shkruar 1908-1985, ku dukej dhe shiriti i zi. Mbi jastëkët e kuq, ishin vendosur dekoratat e larta “Heroi i Popullit”, “Hero i Punës Socialiste” dhe urdhrat e shumta që Presidiumi i Kuvendit Popullor i kishte akorduar Enver Hoxhës. Ndër to shquhej edhe dekorata “Suvorov”, që iu ishte dhënë gjithë Udhëheqësve të vëndeve të Aleancës Antifashiste të Luftës së II Botërore.

Më kujtohet që kishte shumë kurora lulesh, por ato që të emociononin më shumë, ishin tufat e thjeshta me lule mali e fushe, që njerëzit i kishin mbledhur për Komandantin, siç e quanin shumë prej tyre.

Nga 12 deri më 15 prill gjthë familja u vendos në një dhomë pranë sallës së Presidiumit të Kuvendit Popullor, ku u zhvilluan ceremonitë e homazheve. Disa herë në ditë ne qëndronim para trupit të Tij. Në sallë dëgjohej muzika funebre, që mbytej nga dënesat e vajit.

Ktheheshim përsëri për të pritur përfaqësues nga të gjitha rrethet e vendit. Erdhën edhe shumë miq e shokë nga jashtë, që kishin ardhur t’i jepnin Enver Hoxhës lamtumirën e fundit. Ato ditë kishte shumë momente emocionuese si p.sh. kur një grup nxënësish, kishin sjellë një tufë lulesh dhe një nxënëse shkëputet dhe ia dorëzon Nexhmije Hoxhës duke i thënë : “Vendoseni në zyrën e xhaxhit Enver, ne do ti sjellim gjithmonë lule të freskëta sepse Ai mendoi dhe punoi aq shumë për ne fëmijët e Shqipërisë”.

Emocionet ishin të pandalshme, kur dëgjoje vajin e nënave, që e qanin me ligjërime, punëtorët që betoheshin para trupit të Tij, pionierë me shallin e kuq, që i jepnin fjalën xhaxhit Enver, që do të mësonin, e deri tek ushtarakët që me grushtin lart, betoheshin për një Shqipëri të lirë që nuk do të lejonin ta prekte askush.

Më datën 14 prill, pranë trupit të Tij, si çdo ditë, bënë homazhe anëtarët e Byrosë Politike dhe Nexhmije Hoxha. Ishte një çast solemn kur Ramiz Alia, i vendos medaljen përkujtimore të 40-vjetorit të Partisë.Ndërsa Nexhmije Hoxha afrohet e emocionuar, dhe duke vendosur stemën me flamurin kombëtar mbi trupin e shokut të saj të shtrenjtë të jetës, të luftës e të punës, thotë: “Enver, po të vë këtë flamur në zemër nga ana e kosovarëve, sepse ashtu siç i kishe Ti ata në zemër, gjithë kosovarët dhe shqiptarët e tjerë, ashtu edhe ata të kanë Ty. Kam marrë me qindra telegrame dhe prandaj, besoj se plotësoj një dëshirë të tyre. Merre dhe këtë me vete”.

Të huajt për Enverin

Kur kujtoj ato ditë, nuk di të veçoj se kush kanë qenë emocionet më të mëdha. Çdo ditë, çdo orë e minut ishte emocion më vete.Ndarja ditën e fundit padyshim që kishte peshën më të rëndë. Nuk jam në gjendje të flas për atë ditë. Unë vetëm mund të them, që Enver Hoxhën më shumë se dhèu, e mbuloi dhimbja popullore.

Ceremoninë e përshkruan bukur, antifashisti i madh grek, mik i Enver Hoxhës, Manolis Glezos, pjesmarrës në ceremoninë e varrimit: – Ishte një ceremoni tepër e thjeshtë, por madhështore, dhe nuk kishte aspak karakterin e një ceremonie të stisur, ishte jashtëzakonisht prekëse dhe pa ju shmangur zakoneve të popullit shqiptar. Pjesëmarrja e popullit ishte shumë e madhe. Në sheshin ku mbajti fjalimin Ramiz Alia ishin grumbulluar me mijëra njerëz nën shiun e vazhdueshëm që binte. Hidhërimi i madh i njerëzve dukej hapur. Ata shprehnin dhimbjen e tyre, pasi Enver Hoxha ishte për shqiptarët vazhduesi i   traditave të pavarësisë.

Pas varrimit, ne hapёm shtёpinё, siç bёjnё tё gjitha familjet shqiptare, pёr tё pritur ngushёllime. Mё kujtohet qё erdhёn qindra e qindra njerёz. Njerёzit prisnin nё rradhё tё gjatё. Pёr njё javё rresht, vizitat fillonin nё mёngjes dhe mbylleshin afёr orёs 8 tё mbrёmjes. Vizitat vazhduan dhe mё pas, por jo me intesitetin e ditёve tё para.

Ato ditё mё kujtohet qё nga personalitetet më të larta të 100 e ca shteteve, nga të pesë kontinentet, me të cilët kishim marrëdhënie diplomatike, ngushëllonin zyrtarët tanë, disa edhe familjen. Dua të përmend telegramin e ngushëllimit të Presidentit të Republikës Franceze, Fransua Miteran, që shkruante: “Shoku Enver Hoxha-personalitet i fuqishëm që ka vulën në historinë e Shqipërisë”. Ose Presidentin e Republikës Turke, Kenan Evren: “Shoku Enver Hoxha-burrë shteti i madh i vlerësuar nga mbarë bota”. Kancelari Federal i Republikës së Austrisë shënonte: “Shqipëria humbi një personalitet që ka hyrë në Historinë e Europës”.

Telegrame erdhën dhe nga shumë personalitete të tjerë të botës politike si, Xhulio Andreoti, Karolos Papulias, Roland Dyma e shumë të tjerë.

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) në mbledhjen e saj të rradhës mbajti një minutë heshtje për humbjen e Enver Hoxhës.

Gazeta të shumta të vendeve të ndryshme, agjenci lajmesh, radioja dhe televizioni i tyre, jepnin vazhdimisht, edhe pas ditëve të zisë,artikuj lidhur me vdekjen e Enver Hoxhës. Në komentet dilte në pah personaliteti i Enver Hoxhës, që e bëri Shqipërinë të lirë, të pavarur dhe me prestigj të lartë në botë.

Telegrame të shumta ngushëllimi erdhën nga partitë marksiste-leniniste, ku shprehnin ndjenjat e simpatisë së tyre për Enver Hoxhën.

Por shumë letra e telegrame erdhën nga shqiptarët e diasporas, nga të gjitha shoqatat e shqiptarëve në SHBA, të Amerikës Latine e deri tek ata të Australisë, nga emigrantët kosovarë nga shumë vende të Europës e deri nga arbëreshët e Italisë, arvanitasit e Greqisë etj.

Nga shumë vende të Europës, Azisë, Afrikës dërguan letra të ngrohta, me vlerësime të larta për Enver Hoxhën, edhe Shoqatat e Miqësisë mes Shqipërisë dhe atyre vendeve.

Të gjitha këto janë dëshmi që Enver Hoxhën, sado të mundohen nuk mund ta shuajnë kurrë nga Historia.

Ashtu si ka thёnё Profesori i nderuar Aleks Buda: “Enver Hoxha u rrit e u lartësua si pjellë e një historie të hidhur, të ashpër, sa dhe të lavdishme, shumëshekullore të një populli të vogël; me të u rrit dhe u lartësua edhe Shqipëria jonë socialiste dhe kombi ynë shqiptar, për t’u qëndruar për jetë e mot stuhive të kohës, shekujve të historisë…”.

SHKARKO APP