Teuta Hoxha rrëfen marrëdhëniet e familjes Hoxha me Mehmet Shehun
Lajme E Hënë, 19 Prill 2021 08:40
Prej disa ditësh, Teuta Hoxha, gruaja e djalit të diktatorit Enver Hoxha, Ilirit, ka nxjerrë një libër ku rrëfen marrëdhëniet brenda familjes Hoxha, sipas këndvështrimit të saj.
Libri i kushtohet diktatorit dhe mban titullin “Enveri në kujtimet e mia”.
Panorama ka zbardhur një pjesë nga ky libër ditën e sotme, që ka të bëjë me marrëdhëniet e familjes Hoxha me Mehmet Shehun.
Pjesa flet për fejesën e djalit të Mehmetit, Skënder Shehut, me Silva Turdiun.
Në këtë fejesë, çuditërisht Enveri nuk ishte ftuar, edhe pse marrëdhëniet e familjeve Hoxha-Shehu ishin shumë të ngushta.
Më poshtë rrëfimi i Teuta Hoxhës:
Nuk do të flas këtu për aspektin politik të kësaj ngjarjeje, e cila bëri bujë të madhe për kohën, por dua të sjell disa konstatime të miat, pasi jo vetëm e kam përjetuar nga afër, por edhe kam qenë vetë pjesë në një episod të saj. Me fëmijët e Mehmet Shehut, unë dhe Iliri kemi pasur marrëdhënie shoqërore mjaft të mirë, për më shumë që Iliri dhe Skënderi kanë qenë shokë klase, siç kam qenë edhe unë me Bashkimin.
Me Vladimirin marrëdhëniet ishin më të largëta për vetë moshën që ai ishte pak vite më i madh se Iliri. Me Ladin dhe Bardhën patëm një afrim kur edhe ata jetonin në Durrës, në të njëjtën kohë që Iliri punonte në Shkozet të Durrësit. Ruaj përshtypje të mira për ta. Ishin djem të zgjuar, të sjellshëm, megjithëse ishin pak të mbyllur brenda shoqërisë së tyre të ngushtë, por kjo nuk i bënte dëm kujt. Një ditë, sapo ishim kthyer nga puna, bie telefoni i shtëpisë. Iliri ngriti receptorin dhe vura re që po dëgjonte me shumë vëmendje. Dukej që kishte diçka serioze.
Me të mbyllur telefonin më tha: “Ishte Neli (Skënderi, T.H.) na fton sot në orën pesë të vemi në shtëpinë e tyre se do shkojë Silva (Turdiu, T.H.) të prezantohet me familjen e tij”. Unë mbeta e çuditur. Duke sjellë ndër mend ditën kur u bë prezantimi im në familjen e Ilirit, m’u duk pak e tepërt të merrnim pjesë në një ceremoni aq të ngushtë. Megjithatë, nuk bëra fjalë, duke menduar që ftesën me siguri e kishte bërë Mehmet Shehu, si për të treguar lidhjen e tij të ngushtë me Enverin.
Vëmendja ime u përqendrua te veshja, që si çdo grua në të tilla raste kërkon të duket sa më mirë. “Pse na lajmëruan kaq papritur”, i thashë Ilirit, gjithmonë duke qarë hallin tim, që nuk kisha kohë të shkoja as te parukierja. Iliri më qetësoi duke më thënë: “Mesa kuptova, takimi do të jetë familjar, ndaj nuk ka rëndësi të stolisesh shumë”.
Kur u bëmë gati, të veshur si për një rast të veçantë, Iliri tha: “Kthehemi pak nga babai, t’u tregojmë dhe atyre për Nelin”. E quajta me vend që duhej ta njoftonim sepse kjo nuk ishte një ftesë midis të rinjve. Pavarësisht se na ishte bërë ne të dyve, ajo ishte ftesë për t’i bërë nderim Enver Hoxhës.
Në ato dy orë që kishim marrë ftesën ishte koha kur Enveri rregullisht punonte në dhomën e gjumit. Gjithë kujdes u futëm në ambientet e tij dhe kur pamë që drita e dhomës ishte ndezur, hymë dhe babain e gjetëm akoma të pangritur nga shtrati. Sa na pa, me atë të qeshurën e tij, na tha: “U sa të bukur qenkeni bërë, nga kështu?”. Ne i treguam për ftesën. Më kujtohet që u gëzua.
“Gëzohem më shumë për Mehmetin,- tha; se e kishte shumë merak sa ta fejonte Skënderin”. Pastaj, më shumë sikurse pyeste veten, shtoi: “Si nuk na thanë asnjë fjalë?!”. E kishte fjalën për Mehmetin e veçanërisht për Fiqiretin, e cila me Nexhmijen ishin si motra.
Meqë ishim vonë, nuk e zgjatëm bisedën. Kur do të iknim na tha: “Urojini nga ana ime dhe e Nexhmijes, Mehmetin, Fiqiretin dhe çiftin e ri”. Atje na pritën shumë mirë. Ne bëmë urimet e rastit dhe pastaj u përcollën dhe urimet e Enverit dhe të Nexhmijes.
Mehmeti dhe Fiqireti u gëzuan shumë dhe iu bë qejfi për këtë. Më kujtohet Fiqireti me sytë e ulur përdhe, diçka mërmëriti nëpër dhëmbë, diçka si justifikim, që nuk i kishin vënë më parë në dijeni shokun Enver dhe Nexhmijen.