The New York Times: Shqipëria ndër 5 vendet ish-komuniste, që krijoi një ekonomi kapitaliste të suksesshme

Opinionisti David Brooks, e mbështet shkrimin e tij për vendet e ish-bllokut lindor në  analizat e Branko Milanovic, ekonomist në Universitetin e Nju Jorkut, i cili i ndan vendet ish-komuniste në katër kategori.

Në vend të fundit janë vendet, për të cilat Milanoviç thotë se do u duhen edhe  50 ose 60 vjet të tjera të arrijnë një rritje ekonomike, që të kapërcejë shifrat e viteve kur ishin ekonomi nën komunizëm, Sipas tij këtyre vendeve do u duhet më shumë kohë sesa vitet e komunizmit për të kapërcyer “varfërinë”. Në këtë grup gjendet Serbia, Ukraina, Gjeorgjia dhe  Bosnja, të cilat nuk kanë shënuar rritje në nivelin e të ardhurave  me atë që kanë pasur para vitit 1990. Në këtë gjendje ndodhet 20%  e  popullsisë së vendeve ish-komuniste.

Grupi tjetër përfshin ato  vende që kanë thjesht dështime të moderuara, me ritmet e rritjes ekonomike për frymë nën 1.7 për qind në vit. Këtu hyjnë vendet si Rusia dhe Hungaria që vazhdojnë të bien në mënyrë konstante në krahasim me  Perëndimin.  Në këto vende jeton rreth 40 për qind e  popullsisë së botës post-komuniste.

Grupi i tretë përfshin ato vendet  që e kanë rritjen ekonomike midis 1.7 për qind dhe 1.9 për qind.  Këto vende, si Republika Çeke dhe Sllovenia, po mbajnë një rritje të qëndrueshme me pjesën tjetër të botës kapitaliste.

Në fund radhitet grupi i vendeve, të cilat ia kanë dalë të zhvillojnë një ekonomi të suksesshme pas rënies së komunizmit. Në këtë grup hyjnë Polonia, Azerbajxhani dhe Kazakistani. Por Milanovic thekson se shumë prej këtyre kombeve  janë në  fazën e rritjes ekonomike për shkak të burimeve të tyre natyrore, sidomos të naftës.

Vetëm pesë vende ia kanë dalë të krijojnë ekonomi të suksesshme kapitaliste  pas shëmbjes së komunizmit, sipas analizës së botuar në New York Times dhe këto vende janë  Shqipëria, Polonia, Bjellorusia, Armenia dhe Estonia.

Për ta thënë në mënyrë më të thjeshtë, vetëm 10% e njerëzve që jetojnë në vendet ish-komuniste janë duke jetuar në vende që e kanë kaluar në mënyrë të suksseshme periudhën e tranzicionit nga komunizmi në kapitalizëm.  90% e njerëzve jetojnë në vende, të cilat kanë dështuar përgjatë tranzicionit të kalimit të ekonomive të tyre nga komunizmi në kapitalizëm për arsye të ndryshme. Ky fakt tashmë  duket edhe në politikën agresive që po zhvillojnë vende si Rusia apo Hungaria, të cilat po formësojnë shekullin e 21.

Sipas analizës, komunizmi ka lënë plagë të rënda në  vendet ish-komuniste dhe ka dëmtuar psikologjikisht  viktimat e tij, ndaj shërimi nga këto plagë është gradual dhe progresi nuk është i garantuar.

SHKARKO APP