Thika e një shqiptari dhe kufiri i lirisë së mendimit

 

Eksponentë të partisë ultrakonservatore zvicerane SVP gjobiten me kusht për shkak të diskriminimit racial të shqiptarëve në Zvicër. Ky është lajm i mirë, sepse tregon se drejtësia funksionon. Por këtë lajm e lënë në hije lajme të tjera: një shqiptar që ia plaçkit 300 mijë franga një plake 87-vjeçare, një gocë shqiptare që e mashtron dhe e keqtrajton «dashnorin» duke ia grabitur 14 mijë franga dhe një kriminel që pasi ka vrarë dy gra në Zvicër dëshiron ta vuajë dënimin në Kosovë

Nga Enver ROBELLI

Më 15 gusht 2011 dy shqiptarë nga Kosova u futën në një restorant në qytetin Interlaken të Malësisë së Bernës dhe sulmuan një zviceran 45-vjeçar. Njëri nga shqiptarët nxori thikën dhe lëndoi rëndë zviceranin. Viktima nuk ishte një zviceran sa për të thënë: ai ishte njëri nga pehlivanët më të njohur të Zvicrës. (Këtu pehlivanit i thonë Schwinger. Është një sport tradicional zviceran, që kultivohet me fanatizëm sidomos nga shtresat që merren me bujqësi). Ky incident i rëndë mori menjëherë konotacion politik pasi viktima ishte politikan lokal i Partisë Popullore të Zvicrës (SVP). Kjo është partia më e madhe politike në Zvicër, më e zëshmja për ashpërsimin e ligjeve për të huajt, kundërshtare e integrimit të Zvicrës në Bashkimin Europian dhe mbështetëse e neutralitetit strikt zviceran.

Incidenti në Interlaken për SVP-në ishte një rast i mirë për instrumentalizim politik. Kjo parti shpejt lansoi një shpallje pllakative me titullin: «Kosovarët therin zviceranin». Edhe për ata që ishin të mësuar me fushatat e egra të SVP-së kundër të huajve kjo shpallje kalonte kufijtë e ballafaqimit politik. Atëbotë, pas publikimit të shpalljes në gazeta, protestuan jo vetëm politikanët e majtë zviceranë. Konferenca e Ipeshkëve të Zvicrës e kishte quajtur shpalljen «nxitëse të urrejtjes», duke shtuar se krimi i një personi shndërrohet në krim të një grupi të tërë etnik dhe kështu nxitet urrejtja ndaj këtij grupi. Teologë të krishterë kishin nënvizuar se kjo shpallje ishte thyerje e një tabuje në kulturën politike të Zvicrës. Duhet shtuar se jo të gjitha mediet e patën botuar atëbotë shpalljen e SVP-së.

Javën që shkoi në lidhje me këtë rast foli drejtësia. Një gjykatë në Bernë e quajti shpalljen të palejueshme, sepse ajo, si e tillë, e shkel dinjitetin e një etnie, në këtë rast të komunitetit shqiptar në Zvicër, i cili llogaritet se numëron së paku 200 mijë pjesëtarë. Për shkak të shkeljes së ligjit kundër racizmit sekretari i përgjithshëm i SVP-së dhe zëvendësja e tij u gjobitën me kusht. Në rast se përsërisin deliktin e ngjashëm ata duhet të paguajnë gjoba në lartësi prej 17’400 dhe 23’400 franga. Pas publikimit të vendimit të gjykatës eksponentë të SVP-së protestuan kundër gjoja kufizimit të lirisë së mendimit. Por gjykatësja Christine Schaer ishte e qartë: sipas saj shpallja e SVP-së shkel dinjitetin e një komuniteti. Të thuash se të gjithë pjesëtarët e një komuniteti janë kriminelë është tejet denigruese, shtoi ajo. Në këtë mënyrë përgjegjësit që lansuan shpalljen kishin ngjallur një atmosferë armiqësore. Shpallja ishte lansuar si pjesë e fushatës për mbledhjen e nënshkrimeve për iniciativën kundër «ardhjes masive të të huajve në Zvicër» (Masseneinwanderungsinitiative). Kjo nismë drejtohej në radhë të parë kundër ardhjes së shtetasve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, pra nuk kishte të bënte direkt me Kosovën, e cila nuk është pjesë e BE-së. Por kaq thellë nuk kishin menduar eksponentët e SVP-së. Për ta ishte me rëndësi që duke (keq)përdorur një therje me thikë në Interlaken të zhvillojnë një fushatë të egër, emocionale kundër të huajve duke përzier «mollat me dardha».

Dhe kush përshtatet më së lehti për të manipuluar me emocione? Shqiptarët! Për ta mund të thuhet se pa dallim kanë prirje për krime. «Liria e mendimit është një e arritur e rëndësishme e demokracisë sonë dhe një e drejtë themelore kushtetuese. Por kjo porosi (e shpalljes së SVP-së, v.j.) nuk ka të bëjë asgjë me lirinë e mendimit. Secili njeri në Zvicër duhet të thotë mendimin e tij lirshëm, por askush nuk duhet që pa fakte ta thumbojë një grup të tërë etnik si kriminel të rëndë», shkroi gazeta «Landbote» në një koment pas dënimit të eksponentëve të SVP-së. Dënimi i tyre tregon se në Zvicër funksionon drejtësia, ndonëse nganjëherë mullinjtë e saj bluajnë tepër ngadalë. Vendimi i gjykatës në Bernë tregon se liria e mendimit nuk është e pakufishme dhe se shteti nuk toleron diskriminimin racial. Ky vendim duhet të gëzojë komunitetin shqiptar.

Por ky vendim nuk ndryshon faktin se shqiptarët shpesh «furnizojnë» mediet me delikte të llojllojshme dhe kështu njollsin imazhin edhe ashtu jo aq të mirë të komunitetit shqiptar në Zvicër. Një shikim në raportimet e mediave të ditëve të fundit e tregon këtë. Kështu javën që shkoi Gjykata e Lartë e Zürichut e dënoi pjesërisht me tri vjet burg një «shtetas zviceran me prejardhjes kosovare», i cili e kishte mashtruar një grua të moshuar dhe ia kishte marrë 300 mijë franga. Kosovari e kishte njoftuar plakën tani 87-vjeçare në fund të vitit 2006 dhe kishte ndërtuar një raport mirëbesimi ndaj saj. Plaka ia kishte besuar kosovarit kartelën e bankës. Ai kishte marrë nga banka 518 mijë franga, prej të cilave së paku 300 mijë për vete. Me këto para të plaçkitura kosovari tani 56-vjeçar kishte blerë disa vetura dhe kishte financuar të dashurën e tij.

Javën e kaluar u bë e ditur se një kosovar, i cili në gusht të vitit 2011 në një qytet afër Zürich-ut vrau bashkëshorten e tij dhe shefen e entit social të komunës, ka kërkuar që dënimin e tij të përjetshëm me burg ta vuajë në Kosovë. Zvicra dhe Kosova kanë një marrëveshje që mundëson që kosovarët e dënuar në Zvicër të vuajnë dënimin në Kosovë, por deri më tani asnjë i burgosur nuk është kthyer në Kosovë. Përkundër marrëveshjes duket se autoritetet zvicerane nuk u besojnë aq institucioneve të Kosovës.

Në të shumtën e rasteve autorë të krimeve janë meshkujt nga komuniteti shqiptar. Por gazeta «Limmataler Zeitung» në fund të prillit raportonte për një rast krejt tjetër: një gjykatë në qytetin e Dietikonit afër Zürich-ut e dënoi një vajzë shqiptare për plaçkitje. Në vitin 2013 vajza tani 19-vjeçare kishte njoftuar një burrë nëntë vjet më të vjetër dhe i kishte premtuar atij lidhje dashurie. Në fakt qëllimi i saj ishte t’i merrte atij sa më shumë para – për garderobë, kozmetikë, artikuj ushqimorë dhe cigare. Brenda një viti ajo ia kishte marrë «të dashurit» të saj 14 mijë franga – derisa paralelisht kishte një të dashur tjetër dhe në verë të vitit 2014 kishte mbetur shtatzënë. Në maj 2014 ajo e kishte sulmuar me thikë «dashnorin» e saj pasi ky s’kishte 800 frangë për t’ia dhënë. Dy javë më vonë vajza angazhoi edhe një shoqe dhe së bashku sulmuan viktimën duke i shkaktuar lëndime të ndryshme në fytyrë dhe bark – dhe duke ia grabitur një iPhone. Tek pas kësaj ngjarjeje viktima mori guximin dhe u paraqit në polici për të denoncuar «dashnoren» e tij agresive dhe plaçkitëse. Dy delikuentet e reja u dënuan për plaçkitje dhe mashtrim. Fajtorja kryesore duhet të kryejë 720 orë punë në shërbim të komunitetit dhe, mes tjerash, t’i paguajnë vitkimës 14 mijë franga dëmshpërblim.

SHKARKO APP