Thirrja e Adriatik Lapajt: Të bashkohemi pa flamuj partiakë, Rama nuk ikën me molotov
Adriatik Lapaj thotë se Edi Rama nuk rrëzohet nga pushteti me molotov, marrë shkas nga protesta kombëtare e PD-së që u mbaj për disa orë ditën e hënë (22 dhjetor) para Kryeministrisë. Sipas tij nuk është koha të mendojmë për partinë, por të luftojmë për të çliruar Shqipërinë.
”Kur para 16 ditësh nisa me një karrige të dilja këtu te Kryeministria, ju jeni dëshmitarë që asnjë protestë nuk ishte në qytet, edhe pse vendi po dëshmonte një nga vjedhjet më barbare që mund të imagjinohej.
Në këto 16 ditë që kanë kaluar është rritur intensiteti i të gjitha grupimeve politike, por edhe grupeve shoqërore në organizim të aktiviteteve qytetare përballë hajdutërisë. Është intensifikuar debati publik dhe është kthyer në qendër të vëmendjes reagimi për këtë çështje. Unë mendoj që tashmë i gjithë fokusi dhe vëmendja publike është orientuar aty ku duhet dhe presioni tashmë duhet të rritet.
Ne mund të mos e duam njëri-tjetrin, por e vërteta e madhe është që ka një kohë për t’u zënë, ka dhe një kohë për t’u bashkuar kundër një të keqe më të madhe. Koha kur mund të më sulmojnë mua si Adriatik, edhe ata që janë në opozitë, nuk është tani, është më vonë. Sot është koha që secili të shtrijë dorën dhe të bashkohet në një front të madh qytetar kundër hajdutërisë së madhe që ka kapur vendin”,-thotë Lapaj.
KOHA JONË SONDAZH

