TIRANË/ Vijon numërimi për 50 kutitë e fundit. PS i rimerr PDIU mandatin e 18, Idrizi mbetet jashtë Kuvendit

Në qarkun e Tiranës që është edhe më i madhi në vend, për shkak se dalin 34 mandate deputetësh janë numëruar deri tani 1148 nga 1198 kuti votimi ne total.

Nga kutia në kuti prodhohen surpriza dhe lëvizin mandatet, siç ishte rasti i LSI-së që po lufton “dhëmbë për dhëmbë” me PD-në për të marrë 1 mandat, po ashtu edhe fakti që rritja e votave për partitë e mëdha e ka rritur dhe pragun e marrjes së mandatit që tani është bërë mbi 3%. Konkretisht nga numërimi i kutisë të 1148-të të Qarkut, PDIU humbi sërish mandatin e rifituar pak më herët përballë PS që arriti 18 mandate. Tani PDIU nuk ka asnjë mandat, gjë që bën që kryetari i kësaj partie, Shpëtim Idrizi të ngelet jashtë parlamentit.

Kjo luftë “dhëmbë për dhëmbë” pritet të vazhdojë edhe në kutitë e mbetura të panumëruara, ku priten me interes votat e secilës nga partitë që do të jenë përcaktuese për Idrizin nëse do ta rimarrë ose jo mandatin.

Në bazë të rezultatit paraprak të numërimit, Qarkun e Tiranës e udhëheq PS me 191212 vota ose 18 mandate, e ndjekur nga PD që ka 122650 vota ose 11 mandate deputetesh. Nga numërimi i deritanishëm LSI ka 53902 vota ose 5 mandate dhe sipas këtij rezultati paraprak nënkryetari i kësaj partie, Luan Rama, i renditur i 5-ti në listën e LSI arrin të hyjë në Parlament.

Ndërkohë LIBRA e Ben Blushit ka siguruar momentalisht 8974 ose 0 mandate për shkak se nuk po e kalon dot pragun 3%. Kurse PDIU ka marrë 11788 vota ose 0 mandate, që do të thotë se sipas këtij rezultati paraprak kryesuesi i listës së Tiranës, Shpëtim Idrizi, mbetet jashtë Parlamentit pasi nuk ka kaluar pragun 3% të Qarkut.

SHKARKO APP