Tragjedia e avionit në Francë, kërkohet kontroll psikologjik i pilotëve në Europë

Tragjedia e avionit francez vazhdon të mbetet mister, ndërkohë që hetimet dhe mediat përpiqen të hedhin sadopak dritë. Pas deklaratave të hetuesve francezë se Airbusi A320 me 150 persona në bord është rrëzuar qëllimisht nga Andreas Lubitz, vëmendja tani po përqendrohet tek kontrollet e bëra të pilotëve. Lufthansa, kontraktuesja e Germanëings, pretendon se nuk ka pasur asnjë element të mëparshëm që t’i linte vend qoftë edhe thjesht dyshimeve se 28-vjeçari ishte i paqëndrueshëm mendërisht.

Trajnimi i tij në vitin 2009 qe ndërprerë për pak kohë, por kishte rifilluar pas një rigjykimi të vlefshmërisë së tij si kandidat. Shefi ekzekutiv i gjigantit ajror gjerman, Carsten Spohr, nuk e bëri publike arsyen e ndërprerjes së këtij trajnimi, me argumentin se një gjë e tillë nuk i lejohet. Por, ai pretendon se kur Lubitz u kthye sërish në trajnim, performanca e tij ishte pa të meta dhe nuk kishte asgjë shqetësuese në sjellje.  Megjithatë, natyra e pashpjegueshme e veprimeve të 28-vjeçarit ka vënë sot në fokus të gjithë mënyrën e vlerësimit psikologjik të pilotëve.   Shumë pasagjerë mendojnë se personi që po drejton avionin i ka kaluar me sukses kontrollet mendore duke u siguruar kësisoj se ka temperamentin dhe karakterin e duhur për të mbajtur mbi vete përgjegjësitë e qindra jetëve.

Por, a është vërtet kështu?

Spohr-it duket se i ka shpëtuar një pohim në deklaratat e tij për gazetarët. Shefi ekzekutiv i Lufthansës, sipas BBC-së, e ka pranuar se në Europë nuk ka një test specifik të detyrueshëm psikologjik për pilotët.   Nga sa pohon zëdhënësi i Autoritetit të Aviacionit Civil britanik, shumica e pilotëve në Mbretërinë e Bashkuar i fillojnë mësimet në një shkollë stërvitore fluturimi. Kandidatët në shkolla të tilla ama, nuk i nënshtrohen testeve psikologjike. Tek ata thjesht verifikohet aftësia për të fluturuar. Kur piloti siguron një punë në një kompani ajrore, përpara se të fluturojë me pasagjerë, atij i bëhet një kontroll mjekësor, proces ky që përfshin një element të vlerësimit psikologjik.   Kandidatët pyeten mbi origjinën e tyre, përfshirë interesat dhe marrëdhëniet familjare dhe u kërkohet të tregojnë nëse kanë vuajtur nga depresioni apo kanë menduar vetëvrasjen. Problemi është se kontrollet nuk shkojnë më tej, por mbështeten vetëm tek përgjigjet e kandidatëve dhe gjykimi i personit që i ka marrë në shqyrtim

SHKARKO APP