Tragjedia, vdesin në aksident ajror tre kampionë të sportit francez
Tragjedi në sportin francez. Kampionia olimpike e notit, Camille Muffat, velistja Florence Arthaud dhe boksieri Alexis Vastine humbën jetën, në një aksident ajror në Argjentinë pas përplasjes së dy helikopterëve në lokalitetin La Rioja. Ata ndodheshin në njërin prej mjeteve fluturues pasi ishin pjesëmarrës në një spektakël televiziv të kanalit TF1. Përplasja ndodhi në orën 17:00 më orën lokale dhe bashkë me ta humbën jetën edhe 7 persona të tjerë mes të cilëve dy pilotë argjentinas dhe 5 anëtarë të stafit drejtues të spektaklit. 5 sportistët e tjerë të përfshirë në projektin televiziv mes të cilëve edhe ish sulmuesi Sylvain Ëiltord ndodheshin në hotel, duke i shpëtuar tragjedisë. Sipas informacioneve zyrtare, nuk dihen ende shkaqet e përplasjes së dy helikopterëve. Formati televiziv në të cilin po merrnin pjesë sportistët do të transmetohej gjatë kësaj vere në Francë. Xhirimet kishin nisur rreth një javë më parë dhe sipas drejtuesve të TF1, ky format parashikonte jetesën e sportistëve në natyrën e egër të Amerikës Jugore. 25 vjeçarja Muffat fitoi medaljen e artë në 400 m stil i lirë, argjendin në 200 metra stil i lirë dhe bronxin në stafetën 4X200 të olimpiadës “Londër 2012”. Ajo kishte fituar gjithashtu 4 medalje bronxi në botërorin e Barcelonës, ndërsa në Korrikun e vitit të shkuar njoftoi largimin nga sporti për t’iu dedikuar jetës private. 57-vjeçarja Florence Arthaud ishte një prej kampioneve më të mëdha të sportit të velave. Në vitin 1990 ajo përshkoi e vetme Oqeanin Atlantik, ndërsa 28-vjeçari Alexis Vastine fitoi medaljen e bonxit në Olimpiadën e vitit 2008.