Trajneri Silhavy “qan” pikët e humbura ndaj Shqipërisë: Është turp, ne u befasuam…

“Është padyshim një humbje. Jemi të zhgënjyer”. Kështu e ka përshkruar trajneri i Çekisë, Jaroslav Silhavy barazimin 1 me 1 me Shqipërinë në Pragë.

Kuqezinjtë iu falën një supergoli nga Nedim Bajrami në të 66 minutë, për të marrë një pikë me vlerë kundër kryesuesve të grupit E, për të mbajtur gjallë shpresat për kalimin në finalet e Euro 2024.

“Sidomos në pjesën e dytë, ne kishim një shans, e përmirësuam lojën, shënuam dy gola, por fatkeqësisht vetëm njëri ishte i vlefshëm. Dhe më pas, pas gabimit tone, i ofruam një gol kundërshtarit. Nuk mund ta kthenim më në anën tonë. Është turp, duhet të kishim fituar. Fatkeqësisht kemi marrë vetëm një pikë, por gara për kualifikim vazhdon. Shqipëria luan me Poloninë më pas, ne shkojmë në Shqipëri pas kësaj, edhe kjo mund të tregojë shumë. Sa keq që nuk përfituam.

Ne u befasuam. U përgatitëm për ndeshjen, e dinim mirë se për çfarë bëhej fjalë, se ishte një duel i rëndësishëm. Më pas filluam të nervozoheshim, pa lëvizje, pa grintë. Pjesa e parë nuk na funksionoi. Më vjen mirë që e kemi përmirësuar në të dytën dhe kemi bërë një paraqitje më të mirë.”- tha ai.

SHKARKO APP