Transaksione të dyshimta të partive politike? Drejtoria e Pastrimit të Parave, takim urgjent me bankat

Sipas burimeve konfidenciale, Drejtoria e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave ka thirrur sot në orën 14.00 një takim urgjent të gjithë drejtuesit e bankave të nivelit të dytë në vendin tonë.

Ky takim vjen pas një kërkesë që DPPPP u ka dërguar bankave. DPPPP ka kërkuar nga bankat të detektojnë dhe analizojnë transaksione me tregues anomalie të lidhura me partitë politike.

Edhe pse tema e sotme e takimit nuk është bërë e ditur, ka shumë mundësi të diskutohet për këtë çështje, aq më tepër kur jemi në kulmin e fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 qershorit. Në këtë kuadër, partitë politike janë në lupën e DPPPP-së që drejtohet nga Arlind Gjokuta.

Por çfarë kërkohej konkretisht në shkresën e DPPPP-së drejtuar bankave? Duke iu referuar ligjit nr 90/2017 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8580, datë 17.2.2000, “për partitë politike”, të ndryshuar” – qëllimi i të cilit konsiston në përmirësimin e rregullave për financimin e fushatës dhe të partive pjesëmarrëse në të, për të garantuar një proces transparent edhe për sa i përket financimit të tyre nëpërmjet fondeve publike apo private që Parlamenti e miratoi së fundmi, DPPPP thekson se ky sensibilitet në rritje për këtë çështje vjen si rrjedhojë e konkluzionit të gjithë pranuar që financimi i partive politike mund të bëhet edhe me fonde të rrjedhura nga aktivitetet kriminale, të dyshimta e të panjohura si evazioni fiskal, korrupsioni e madje edhe nga krimi i organizuar etj. me qëllimin fundor sigurimin nga donatorët të favoreve të paligjshme në vijim – veprimtari kjo që përmbush të gjitha kriteret për tu raportuar si raste të dyshimta në DPPPP.

“Evidentojmë se nisur nga mënyra e organizimit, funksionimit, financimit etj., Partitë Politike efektivisht duhet të klasifikohen si klient ndaj të cilëve zbatohet vigjilenca e zgjeruar ashtu si kurse OJF, ndër të tjera duke ushtruar monitorim të zgjeruar të marrëdhënies së biznesit dhe kuptuar plotësisht burimet e financimit dhe të shpenzimit të tyre.

Vlen të theksojmë se veprimtaria e pikasjes së rasteve të dyshimta të lidhur ame partitë politike, nuk duhet të nënkuptohet vetëm në kuadër të kryerjes së transaksioneve në llogaritë e vetë partive politike, por edhe 

–  transaksione të tjera të mundshme nga persona të tretë të kryera me qëllim shitblerjen e votës – veprimtari kriminale e dënueshme sipas dispozitave të Kodit Penal;

–  transaksione me anomali në llogari apo në favor të kandidatëve për deputet të partive politike.

Transaksione të kësaj natyre e qëllimi  është e pritshme që të hasen si transaksione në para fizike, por edhe transferta të copëzuara si blerje biletash, sponsorizim eventesh, pagesa kateringu etj”, theksohet ndër të tjera në shkresën e DPPPP-së dërguar bankave. Tirana Observer

SHKARKO APP