Transferimi i çmimit, qasja e KLSH ndaj praktikave më të mira audituese
Aga Albana Agolli dhe Brunilda Zeneli, KLSH
Transferimi i çmimit përbën sot një temë të rëndësishme në të gjithë sistemet tatimore të Komunitetit Europian dhe në mbarë botën. Globalizimi i ekonomisë solli në skenë kompani ndërkombëtare dhe fenomene të reja ekonomike. Kompanitë të cilat zhvillonin aktivitet ndërkombëtar, filluan të shfrytëzojnë dizavantazhin e provincializmit, kontakteve dhe dijeve të pakta të sistemit tatimor. Kompanitë globale gjetën situatën kur, ndonëse sistemet tatimore ishin shumë të zhvilluara në nivel kombëtar, territori midis njëri-tjetrit ishte një “tokë e lirë”, ku rregullat dhe kufizimet ishin shumë të pakta. Mendohet se dukuria e transferimit të çmimit për të kryer evazion fiskal, ka lindur së bashku me globalizimin. Disa rregullime në lidhje me të u prezantuan që në vitet 30-të të shekullit të kaluar në disa sisteme tatimore të vendeve më të zhvilluara. OSBE dhe SHBA nxorën disa udhëzime të para në 1979, ndërsa një dokument i plotë nga OSBE u botua në 2010. Këto rregullime u aplikuan disi me vonesë dhe aktualisht janë prezantuar dhe në vendin tonë, si pjesë e rregullimeve ligjore të legjislacionit tatimor në vitin 2014, me anë të Udhëzimit të Ministrisë së Financave nr. 16, datë 18.06.2014. Ky Udhëzim mbështetet në dokumentin e OSBE-së të vitit 2010 “Mbi Transferimin e Çmimit”. Në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve është krijuar dhe një sektor i veçantë, i cili merret me administrimin e transferimit të çmimit.
Në funksion të rëndësisë që i është kushtuar procedurave të transferimit të çmimit në të gjitha sistemet tatimore të Komunitetit Europian, por edhe të përmirësimeve ligjore të kryera nga Ministria e Financave, edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka kushtuar një vëmendje të veçantë njohjes dhe thellimit të njohurive mbi procedurat e transferimit të çmimit. Për këtë arsye gjatë vitit 2015 janë kryer trajnime të veçanta mbi këtë temë, duke u bazuar në praktikat më të mira të SAI-t Holandës.
Gjithashtu, në Workshop-in e zhvilluar nga Departamenti i Auditimit të të Ardhurave të Buxhetit të Shtetit në KLSH, “Mbi performancën dhe impaktin e veprimtarisë audituese të Departamentit për vitin 2015”, u prezantuan tema specifike të realizuara gjatë vitit 2015, ku me interes të veçantë u prit tema “Transferimi i çmimit bazuar në përvojën e Gjykatës së Llogarive të Auditimit të Holandës”.
Një rast i evazionit fiskal që kryhet nëpërmjet transferimit të çmimit, është kur një kompani ndërkombëtare shet në dy sisteme tatimore, p.sh në sistemin A me normë 10% dhe në sistemin B me normë 15%, si më poshtë:
Norma e tatimit | Treguesit | Vendi A | Vendi A për B
|
Vendi B | |
A | B | ||||
10% | 10% | Sasia: 100,000 (njësi)
Fitimi: 20,000 Tatimi: 2,000 |
Sasia: 50,000 (njësi)
Fitimi:10,000 Tatimi: 1,000 |
Fitimi: 0 Tatimi: 0 |
Sasia: 50,000 (njësi)
Fitimi:10,000 Tatimi: 1,000 |
10% | 15% | Sasia: 100,000 (njësi)
Fitimi: 20,000 Tatimi: 2,500 |
Sasia: 50,000 (njësi)
Fitimi:10,000 Tatimi: 1,000 |
Fitimi: 0 Tatimi: 0 |
Sasia: 50,000 (njësi)
Fitimi:10,000 Tatimi: 1,500 |
10% | 15% | Sasia: 100,000 (njësi)
Fitimi: 20,000 Tatimi: 2,250 |
Sasia: 50,000 (njësi)
Fitimi:10,000 Tatimi: 1,000 |
Sasia: 5,000 (njësi)
Fitimi:5,000 Tatimi: 500 |
Sasia: 45,000 (njësi)
Fitimi: 5,000 Tatimi: 750 |
Kompania mëmë në vendin A rrit artificialisht fitimin e saj nga 10,000 lekë në 15,000 lekë, duke ulur fitimin në kompaninë e kontrolluar që ushtron aktivitetin në vendin B. Detyrimi tatimor total bie nga 2,500 në 2,250 lekë. Kjo realizohet duke aplikuar çmimin e shitjes më shumicë 45,000 lekë i cili është një çmim fiktiv dhe bën të mundur transferimin e fitimit prej 5,000 lekë nga vendi B në vendin A. Kjo është arsyeja se pse ligji synon të pengojë marrëveshjet mes kompanive të lidhura, ekzistenca e të cilave krijon mundësinë e transferimit të çmimit.
Legjislacioni tatimor në vendin tonë identifikon të drejtën e administratës tatimore për të vjelë tatimin mbi çmimin që ajo e gjykon si të vërtetë. Tentativat e administratës konfigurohen përmes kufizimit ligjor të saj për të funksionuar mbi bazën e “parimit të tregut”dhe parimit të “krahasueshmërisë”. Legjislacioni është ndërtuar mbi bazën e parimit të vetëdeklarimit dhe synon kompanitë që kryejnë transaksione mbi 50 milionë lekë.
Tek ne në KLSH, koncepti i transferimit të çmimit dhe auditimit në lidhje me të u prezantua në vitit 2015, përmes dokumentit të Dhomës së Përfaqësuesve, Gjykata e Auditimit Holandë. Dokumenti “An in-depth audit of tax avoidance in relation to the tax rules and treaty netork 2015(Një auditim i thellë i shmangjes nga taksat në lidhje me rregullat tatimore dhe traktatin e rrjetit 2015) ”, u përkthye dhe u redaktua në KLSH. Për të, u organizuan takime me tema diskutimi dhe shkëmbime opinionesh mes audituesve.
Si pararojë e auditimit shtetëror në Evropë, Gjykata e Audimit të Llogarive në Holandë e sjell këtë material për të gjithë SAI-t partnere dhe ndan eksperiencën e saj të fituar nga auditimi i administratës tatimore hollandeze. Rekomandimet e saj për politikëbërësit janë a) informimi i Parlamentit nga organet tatimore, për masat e marra për parandalimin e keqpërdorimit apo përdorimit të padëshiruar të tyre, b) rritja e bashkëpunimit mes partnerëve ndërkombëtarë, duke rritur shkëmbimin e informacionit, duke parandaluar paqartësitë e legjislacionit për kompanitë që dëshirojnë të aplikojnë vetëdeklarimin në organet tatimore dhe duke ndihmuar në mënyrë aktive administratën tatimore, si dhe c) të përmirësojë informacionin e dhënë Dhomës së Përfaqësuesve, duke nxjerrë raporte monitorimi periodike mbi klimën e tatimore për kompanitë ndërkombëtare dhe se si përdoret ajo, shumat e parave të përfshira, dhe impaktin e masave për të të luftuar përdorimin e papërshtatshëm të rregullave tatimore dhe marrëveshjeve tatimore.
Në Nëntor 2013, Komisioni Evropian publikoi një propozim për një Direktivë të Këshillit, duke ndryshuar Direktivën 2011/96 / BE mbi sistemin e përbashkët të tatimit të zbatueshëm, në rastin e kompanive mëmë dhe filialeve të shteteve të ndryshme anëtare të BE-së, si dhe duke përfshirë propozimet për ndryshimin e Direktivave Mëmë-Filiali, me qëllim luftën ndaj shmangies së tatimeve.
Masa e dytë e propozuar nga Komisioni Evropian është për të parandaluar përdorimin e papërshtatshëm të pjesëmarrjes së skemave të përjashtimit, kështu që kreditë hibride nuk rezultojnë në mos-tatim të dyfishtë.
Konkluzioni i auditimit të kryer ndaj administratës tatimore dhe doganore nga Gjykata e Llogarive në Hollandë, ishte se administrata i kushton një pjesë të madhe të vëmendjes së saj korrektësisë së transferimit të çmimit, mbledh dokumentacionin e detajuar dhe i bazon vlerësimet e saj në konventën e modelit të OSBE-së dhe në rregullin e transferimit të çmimeve.
Së fundi është rritur dhe niveli i bashkëpunimit mes vendeve duke krijuar projektin “Inspektorë të Tatimeve pa Kufij”, bashkëpunim në të cilin merr pjesë edhe administrata tatimore Shqiptare.
KLSH është i vetëdijshëm që nga dukuria mjaft e përhapur e transferimit të çmimit edhe në vendin tonë, Buxheti i Shtetit humbet vlera të konsiderueshme në nivele edhe miliona euro në vit. Institucioni do të verifikojë me imtësi nivelin e informacionit dhe transparencës së administratës sonë tatimore, si dhe informimin e Kuvendit nga ana e administratës tatimore për marrëveshjet e lidhura. Menaxhimi, thellësia e saktësia e informacionit të mbledhur mbeten një problem për administratën tatimore shqiptare, në lidhje me transferimin e çmimit. Analiza e vetëdeklarimeve të këtyre kompanive pranë administratës tatimore, vlerësimi mbi kostot dhe transferimin e çmimit përbëjnë objekt auditimi të përhershëm nga audituesit tanë. Jemi të interesuar të kontrollojmë me shumë kujdes mënyrën se si është kryer dhe menaxhuar procesi i lidhjes së marrëveshjeve për shmangien e tatimit të dyfishtë, për të evidentuar çdo shmangie të mundshme nga detyrimet tatimore. Gjithashtu po shohim nëse ka patur procesi analiza lidhur me konkurueshmërinë e sistemeve tatimore, për të rritur dhe përmirësuar punën e administratës sonë tatimore në kufizimin e kësaj dukurie mjaft të dëmshme për interesat e taksapaguesve shqiptarë, e cila përbën problem dhe për buxhetet e vendeve të Bashkimit Europian.