Transformimi i Tiranës, Veliaj nderohet në “qytetin” e Bashës

Në hapjen e Javës së Gjelbër të BE-së, u zhvillua sot në Utrecht të Holandës takimi i kryebashkiakëve të Evropës, ku i ftuar special ishte dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ky i fundit u përzgjodh për të folur rreth ndryshimeve rrënjësore që ka pësuar kryeqyteti shqiptar këto 3 vite dhe nismave të marra për shtimin e sipërfaqeve të gjelbra, sidomos në revolucionin e mbjelljes së mbi 120 mijë pemëve.

 Por, ajo që spikati në këtë vizitë ishte vlerësimi që iu bë kryebashkiakut Veliaj nga autoritetet holandeze, ku të pranishëm ishin edhe përfaqësues të qeverisë dhe të BE, pikërisht në Utrecht, që për shqiptarët njihet ndryshe edhe si qyteti ku kryetari i PD, Lulzim Basha studioi dhe jetoi së bashku me familjen e tij.

 Edhe pse Lulzim Basha pati fatin të drejtonte institucionin e Bashkisë së Tiranës për 4 vite, një vlerësim i tillë mungoi nga autoritetet holandeze.

 Ndërkohë sot, ndryshe nga paraardhësi i tij, kryebashkiaku Veliaj u përzgjodh për të ndarë me personalitetet e larta nga vende të ndryshme të Europës histori frymëzuese se si ndërhyrjet e realizuara në më pak se tre vite të mandatit të tij, kanë pasur ndikime të drejtpërdrejta në shoqëri, qoftë në aspektin e kohezionit social, pjesëmarrjes së qytetarëve, mirëqenies së përgjithshme dhe cilësinë e jetës.

 Të pranishëm në këtë event të rëndësishëm për qytetet në ndryshim ishin edhe Komisioneri i BE-së për Mjedisin, Karmenu Vella, Drejtori Ekzekutiv i UNEP-it, Erik Solheim, kryetari i Bashkisë së Utrecht-it, Jan van Zanen, si dhe përfaqësues të qeverisë dhe parlamentit holandez.

 Kryebashkiaku Veliaj prezantoi politikat mjedisore që po ndjek Tirana dhe se si qyteti është bërë më miqësor me fëmijët, të rinjtë dhe të gjithë ata që duan natyrën. “Është kënaqësi e veçantë që jemi në Utrecht, ku Tirana u përzgjodh si një nga qytetet që po bën revolucion në gjelbërim dhe ekonominë e qëndrueshme. E them këtë sepse sapo filloi java evropiane e qyteteve të gjelbërta dhe fakti që Utrechti prezantoi Tiranën si dy nga qytetet që kanë bërë një revolucion në botë, Utrechti në vitet ‘60, ‘70, ‘80 dhe Tirana në vitet e fundit, na bën të ndjehemi vërtet krenarë”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.

 Ai theksoi se ky vlerësim më së shumti shkon për qytetarët e Tiranës, të cilët kanë përqafuar politikat mjedisore të Tiranës, siç ishte edhe aksioni për mbjelljen e pemëve.

 Gjatë takimeve që pati me përfaqësuesit e qeverisë dhe parlamentit holandez, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, u kërkoi autoriteteve holandeze të shohin me dashamirësi hapjen e negociatave me Shqipërinë. Sipas tij, kjo do të sillte një avancim të reformave të nisura nga qeveria shqiptare.

 “Unë besoj se qeveria shqiptare ka prezantuar një argument shumë të mirë të mënyrës se si kemi reformuar vendin, shtetin, por edhe ne si kryetarë bashkie se si kemi reformuar qytetet. Për shumë nga përfaqësuesit e qeverisë holandeze apo edhe të Komisionit Europian që ishin këtu sot, teksa shikojnë se si po reformohet shteti ynë nga qeveria shqiptare dhe qytetet tona nga bashkitë, besoj që kanë parë filizat e çfarë do të thotë krijimi i një qyteti dhe një shteti realisht evropian. Nëse do të vazhdojmë të tregojmë historinë e transformimit të shtetit dhe qyteteve tona besoj që do e kemi më të thjeshtë teksa negociojmë anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimit Europian”, tha Veliaj.

 Projektet transformuese të Tiranës që e kanë kthyer shndërrimin e kryeqytetit shqiptar brenda një kohe të shkurtër në një kartolinë të bukur europiane, po vlerësohen gjithnjë e më shumë nga autoritete shtetërore dhe organizma prestigjioze ndërkombëtare.

SHKARKO APP