“Transparency International” klasifikon vendet në bazë të korrupsionit – Shqipëria në rrethin e 6-të
“Transaprency International” ka publikuar së fundmi një raport me titull; njerëzit dhe korrupsioni; zëri i njerëzve nëpër botë. Ky raport fokusohet në gjetjet e barometrit global të korrupsionit.
Transparency International i kategorizon shtetet e botës në 9 rrethe, po aq sa ç`janë edhe ato të ferrit të Dantes.
Shqipëria rezulton në rrethin e gjashtë, si asnjë vend tjetër i rajonit. Serbia dhe Bosnje Hercegovina janë në rrethin e 5-të.
Maqedonia dhe Kosova në të tretin dhe Mali i Zi në rrethin e katërt. Në Europë ndërkohë, Rusia dhe Ukraina janë në të njëjtin rreth me ne, ndërkohë që Moldavia është në të shtatin.
Rrathët i referohen përqindjes së qytetarëve që kanë paguar ryshfet në administratën publike në 12 muaj e fundit. Rrethi i gjashtë, ku edhe klasifikohet Shqipëria, i referohet një përqindje nga 30% deri në 40%, që është relativisht e lartë dhe flet për një nivel korrupsioni alarmant.
Transparency International është një ndër organizmat më prestigjioz në nivel global për matjen e korrupsionit dhe ofron çdo vit të dhëna mjaft interesante që mundësojnë edhe krahasimin mes vendeve të ndryshme të botës për një ndër plagët më të mëdha të shoqërisë sonë; korrupsionin.