Transporti ajror, rritet numri i fluturimeve, bie numri i pasagjerëve
Shqiptarët “braktisin” avionët e shtrenjtë dhe zgjedhin të udhëtojnë më shumë përmes detit dhe tokës…
Falimenti i kompanisë së fluturimeve ajrore, Belle Air ka krijuar jo pak anomali në tregun e fluturimeve ajrore. Sa ishte në funksion kompania ofronte çmimet më të lira të udhëtimit, ndaj dalja e saj jashtë tregut duket se ka frenuar tendencën e shqiptarëve për të udhëtuar me avion jashtë.
Sipas shifrave të INSTAT numri i fluturimeve ajrore në tremujorin e parë 2015 u rrit me mbi 7% ndërsa numri i pasagjerëve ka rënë me 0.04% krahasuar me të janar-mars 2013.
Numri i pasagjerëve ka pësuar uljen më të madhe në daljet jashtë vendit, ku gjatë tremujorit të parë udhëtuan më avion për jashtë vendit 1.7 % më pak shqiptarë.
Udhëtimet me avion janë ulur, ndërkohë që daljet jashtë vendit të shqiptarëve janë rritur, pasi ata kanë braktisur avionët dhe I janë drejtuar rrugëve të tjera të daljes nga kufiri (tokës dhe detit). Sipas të dhënave të INSTAT për tremujorin e parë udhëtuan nga toka dhe deti rreth 25 mijë persona më shumë se e njëjta periudhë e vitit që shkoi.
Në tremujorin e parë numri i shoqërive ajrore që ofruan shërbimet e udhëtimit ishte 14 nga 16 të tilla në fillim të 2014./Monitor