Transporti detar, tradita e harruar shqiptare
Nga Sadedin Çeliku
Në vendin tonë kanë ekzistuar forma shumë primitive mjetesh lundrimi. Në bregdetin e Himarës është përdorur si mjet lundrimi koshi i thurur me shufra dhe i veshur nga jashtë me lëkurë . Nganjëherë koshi vishej nga brenda me argjil që të mos depërtonte uji. Me kalimin e kohës kjo mënyrë lundrimi u zhduk nga përdorimi. Në Ulqin janë përdorur barkat njëtrungëshe deri rreth vitit 1570. Në ujërat e brendshme kjo mënyrë lundrimi përdoret dhe sot mbi lumin Bunë. Himarjotët me mjete të tilla primitive, lundronin gjatë bregut, deri në Kepin e Gjuhëzëz (Karaburunit), ku prej këtej drejtoheshin për në perëndim, në det të hapur. Gjatë lundrimit kapedanët orientoheshin ditën me anë të diellit, ndërsa natën me anë të yjeve. Mënyra praktike e orientimit ishte e thjeshtë: në të djathtë dhe në të majtë të bashit (pjesa e përparme e anijes). Në fillim të mjetit të lundrimit vinin shenja konvencionale që i përgjigjeshin një skele të caktuar. Detari i cili qëndronte në kiç, pjesa e prapme e anijes, mbante në një vijë të drejtë shikimin e tij në shenjën konvencionale dhe në shenjën diellore gjatë gjithë udhëtimit të tij.
Rritja e mjeteve të lundrimit u bë e mundshme pasi filluan ti visheshin nga jashtë me dërrasa. Detarë të përmendur në periudhën e lashtë kanë qenë fiset ilire Japodë të cilët më vonë u zëvendësuan me Liburnët dhe mjetet e tyre u quajtën Liburnite dhe ishin të madhësisë mesatare, të gjata, të holla, të mprehta në pjesën e përparme e të pasme të tyre. Me këto mjete Liburnët lundronin gjatë gjithë Adriatikut dhe Jonit. Veprimtaria detare e liburnëve ishte transporti tregtar, në peshkim dhe në luftëra për zotërimin e detit. Ky fis Ilir, në shekullin e VIII-të para krishtit e kishte nën kontrollin e vet të gjithë Adriatikun. Në këtë kohë grekët lundronin në detin Egje dhe romakët në detin Tiren. Pas liburnëve, për veprimtari në det u dalluan Ardianët dhe Daorset. Mjetet e tyre quheshin Lembe dhe transportonin secila rreth 50 vetë. Lufta iliro-romako, e cila zgjati për rreth një shekull, përfundoi me fitoren e Romës. Kështu, pushtuesit morën nga ilirët jo vetëm anije të gatshme të ndërtuara sipas stilit tyre por dhe teknikën e ndërtimit. Gjatë mesjetës mori zhvillim të madh forcat prodhuese dhe shkëmbimet tregtare. Në këtë kohë, detaria mori një hop të madh në të gjithë bregdetin tone, që nga Tivari e deri në Vlorë. Në këto kohë u ndërtuan anije të mëdha dhe shiteshin në tregje të huaja jashtë vendit. Gjatë mesjetës Republika e Venedikut luajti një rol të rëndësishëm në transportin detar ku veprimtaria e saj kryhej dhe në Adriatik. Lënda drusore për ndërtimin e anijeve venedikase, vinte nga bregdeti ynë. Në Tivar, Ulqin, Shkodër, Lezhë, Rodon, Durrës, Vjosë e Vlorë, lulëzuan kantierët detarë që ndërtonin anije për Venedikun. Nga llojet e shumta e anijeve venedikase, përmenden shpesh emrat Griv, Griba, Kripa, Kripina të cilat përdoreshin në përgjithësi për transportin e kripës. Në vitin 1368, Gjegj Balsha, i cili kishte nën pushtetin e tij Shkodrën, Ulqinin e Tivarin, synonte të formonte një flotë të fuqishme detare dhe lëshoi në det disa anije të armatosura. Venediku dërgoi anijet e tij për të djegur ato të Balshës, por më në fund u arrit kompromisi, që ky i fundit të mbante një numër të kufizuar anijesh. Balsha vazhdoi të ndërtonte anije, deri në kërcënimin e Venedikut. Po në vitin 1368, Karl Tapia, në Durrës, donte të krijonte flotën e tij dhe përsëri për këtë pengesë ishte Venediku.
Pushtimi turk në shekullin e XV-të e shkretoi të gjithë vendin përfshirë dhe flotën detare. Tradita detare u godit rëndë. Me rënien e Himarës nën pushtimin turk në vitin 1479, dhe deri në pushtimin e dytë të Lezhës në vitin 1506, brënda një periudhe 27-vjeçare, i gjithë bregdeti shqiptar, që përfshihet brënda këtyre dy qëndrave, ra nën pushtimin turk. Popullsia bregdetare të zëmëruar nga turqit emigruan jashtë. Turqit në vitin 1468 kishin në Adriatik 300-400 mjete lundrimi, një pjesë e të cilave ishte inventar shqiptar. Me pushtimin e Durrësit nga turqit, flota e tyre u largua për në Ulqin e Tivar. Gjatë viteve 1700-1800, vjen gjallërimi i flotës dhe bregu ynë u pasurua me mjete të mëdha lundrimi. Ulqinakët ndërtuan dhjetë anije me 16 dhe 18 vela. Ndërtimi i këtyre anijeve tregonte fuqinë e madhe që ishte krijuar vëndi. Kështu detarët shqiptarë filluan të lundronin në detin Adriatik, Tiren, e deri në detin Balltik.
Venediku pësoi disfatë, pasi në detin Adriatik u shfaq Austria. Edhe flota shqiptare u ndodh përpara një kundërshtari të ri, që nuk e njihte më parë, ndërkohë perandoria turke kishte marrë tatëpjetën. Austro-Hungarezët kërkonin shkatërrimin e flotës shqiptare dhe ja arriti me ndihmën e turqëve të digjte rreth 400 anije të tonazheve të ndryshme.
Autorë të ndryshëm, si Pukëvil, Koraj, Hahn, Baldaci etj, kanë vënë në dukje fuqinë e madhe detare të shqiptarëve të Greqisë dhe veçanarisht, ato të ishujve të Jonianit. Sipas Pukëvilit, në vitin 1816 flota tregtare greke përbëhej, prej 615 mjetesh të lundrimit detar, me një kapacitet prej 153. 580 ton. Në këto shifra përfshihen edhe anijet shqiptare që ishin vendosur në Greqi. Në vitin 1816 vetëm shqiptarët kishin rreth 240 anije ose 40 % të inventarit të përgjithëshëm që kishte Greqia në atë kohë. Anijet shqiptare u bënë në këtë mënyrë bërthama kryesore e flotës greke. Përdorimi i gjuhës shqipe në transportin detar grek deri në në fillim të shekullit XIX-të tregon qartë rëndësinë e prezencës shqiptare atje.
Me kalimin e viteve dhe pikërisht në vitin 1831 , flota shqiptare filloi të rimëkëmbesh përsëri. Në vitin 1840 u blenë dy anije me kapacitet 120 tonësh të cilat u pasuan nga anije të tjera avullore. Në vitin 1850 inventari shkoi në 53 anije me një tonazh të përgjithshëm 3800 tonësh. Shumë firma të huaja preferonin transportin e mallrave me anije shqiptare sepse ishin më të lira në treg. Në vitin 1878 u bënë përpjekje për krijimin e një shoqate transporti por austro-hungarezët dhe turqit nuk e lejuan këtë.
Në fundin e shekullit XIX-të, Spiri Ndrenika, nga bregu i Himarës kishte në pronësi një anije me kapacitet 1000 ton. Në luftën e parë botërore, nga rreth 500 anije që kishte flota shqiptare, mundën të shpëtonin vetëm shtatë. Në vitin 1927 flota jonë kishte 60 motoveliera dhe tre anije të blera jashtë si Shqipnia, Oboti dhe Skënderbeg. Këto anije realizonin një volum pune prej 75 mij ton mall. Më vonë tre anijet paten jetën e shkurtër sepse anija Oboti u mbyt në rrethana të panjohura, anije Shqipnia u sekuestrua nga italianët ndërsa anija Skënderbeg ju shit një shoqërie jugosllave.
Pas vitit 1920 e sidomos në periudhat e mëvonshme transporti detar filloi të zhvillohej. Në bazë të dokumentave që na sjell kronisti turk Elvia Çelebiu në librin e tij “ udhëtimet” thuhet se vëndasit merreshin shumë me gjuetinë e peshkut përgjatë bregdetit shqiptar. Inxhinieri Vladimir Peshkatari, një nga mjeshtrit e peshkimit, tregon se barka e parë kishte mbritur në vitin 1919 nga Ohri nga gjyshi i tij Maxhari. Ajo ishte 8 metra e gjatë 2, 5 metra e gjërë dhe 1, 2 metra e lartë. Në atë barkë punonin katër njerëz, tre lopataxhinj dhe një që mbante drejtimin e barkës. Thuhet se ustallarët e Ohrit filluan të prodhojnë barka dhe për fqinjët pogradecarë. Këto të fundit ju çonin dërrasat prej gështenje, ndërsa ato i ndërtonin dhe i realizonin anijet.
Varka e parë në qytetin e Pogradecit është prodhuar në vitin 1920. Ka qenë inxhinieri francez Albert Gariku, i cili solli projektin dhe pajisjet e ndërtimit të varkave. Zbatimin e parë të projektit të këtyre varkave e ka bërë mjeshtri Sotir Shkurti. Pas çlirimit e sidomos pas vitit 1952 flota shqiptare u fuqizua mjaft anije.
Kështu, flota tregtare numëronte rreth 40 anije respektivisht rreth 20 për transportin e jashtëm dhe 20 të tjera për transportin e brendshëm detar pa llogaritur dhjetra anije peshkimi. Vlen të përmendim anijet transoqeanike Arbëria 15. 000 tonshe, anijet Tirana, Shkodra dhe Vlora 12. 000 tonshe, anija Durrësi 4700 tonshe, anijet me të njëjtin kapacitet Partizani, Liria Skënderbeu dhe Gjirokastra 2700 tonshe, anijet Teuta, Saranda, Rinia Boshtova, 6 Shkurti etj. Ky inventor mjetesh detare kapte rreth 75 mij ton kapacitet dhe mbulonte rreth 20 përqind të volumit të punës së eksport-importit deri në vitin 1990. Kujtojmë se rreth viteve 1980 e më pas kantieri tonë detar prodhojë me sukses disa anije transporti duke plotësuar dhe freskuar ndjeshëm inventarin e flotës sonë tregtare. Sa i takon peshkimit Shqipëria numëronte një inventar prej 60 anijesh të cilat plotësonin nevojat e vendit në atë kohë mbasi deri në vitet 1952 peshkimi bëhesh në lagunat e liqeve natyrorë me sanalla me rrema pa motor si në Durrës, Vlorë, Lezhë, Himarë e Sarandë sepse me ato mjete nuk mundnin të peshkonin në det të hapur. Sot, Shqipëria pothuajse është pa flotë. Inventari i mjeteve detare është 14 anije gjithsej të cilat janë mjaft të vjetra, rreth 35 vjeçare të cilat realizojnë transport me kosto mjaft të lartë për shkak të moshës që ato kanë. Qeveritë njëra pas tjetrës vazhdojnë ta lënë në mëshirë të fatit transportin detar, kjo edhe për shkak se anijet e reja kushtojnë jo pak në tregun e huaj. Marrë me shkurtime nga libri “ Historia dhe Dinamika e Transportit në Shqipëri “ e autorit Sadedin Çeliku, ish zëvëndës Ministër transporti.