Trazirat e Ferguson-it ritregohen në dokumentarin e ri
Teksa Shtetet e Bashkuara vijojnë të debatojnë mbi fajtorët dhe pasojat e protestave në Charlottesville, Virxhinia, historia pas një tjetër përplasjeje të dhunshme është publikuar në kinematë amerikane.
“Whose Streets?” tregon një këndvështrim ndryshe nga ajo çfarë u prezantua në media gjatë protestave në Ferguson, Missouri, pasi policia vrau të riun afro-amerikan Michael Brown.
Dokumentari, që për herë të parë u shfaq në festivalin e filmit Sundance, përdor telefonët celularë dhe pamjet filmike të pjesëmarrësve në protesta, “për t’i vendosur shikuesit në vendin e personave që ishin atje,” sipas producentes Sabaah Folayan.
“Ne e shihnim natë pas nate, ishim në rrugë, gjërat ndodhnin në një mënurë dhe kur i drejtoheshim televizorit, shihnim një histori tërësisht kontradiktuese nga ajo që përjetonim. Ky film është përpjekja jonë për të treguar historinë e saktë të atyre netëve.”
Bashkë-producenti i saj Damon Davis foli më shumë për atë çfarë dokumentari prezanton tek publiku krahasuar me çfarë u shfaq në media.
“Tregimi i përbashkët që vazhdimisht përcillej në të gjithë mediat ishte se njerëzit ishin të paarsyeshëm, të zemëruar, të dhunshëm, injorantë ndaj fakteve. Thjesht njerëz të neveritshëm. Ata mësynë rrugët për të shkatërruar lagjet e tyre dhe ky nuk ishte aspak rasti.”
Materiali përqëndrohet tek personat e konsideruar si figura kyçe të protestave dhe eksploron jetën e tyre të përditshme si dhe arsyet për t’u përfshirë në ato demonstrata.
Foloyan pranon se personazhet kanë bërë një punë vërtet të mirë për të mishëruar idenë e një udhëheqjeje të decentralizuar dhe se si të gjithë mund të gjejnë një ndjenjë qëllimi e të marrin pjesë në të tilla organizime për të sjellë ndryshimin.