Tregtarët online të Bitcoin në Shqipëri; mbi 2000 transaksione të kryera, ja skema
Të blesh Bitcoin në Shqipëri nuk është aspak e vështirë. Disa tregtues të kësaj monedhe operojnë nëpërmjet faqeve të tregtimit, ku numri i transaksioneve është mbi 2000 dhe vlera e volumit tregtar e përllogaritur me çmim aktual të tregtimit të BTC në bursat ndërkombëtare e kalon shifrën 1.5 mln euro.
Në faqen LocalBitcoins janë të regjistruar shitës dhe blerës nga e gjithë bota, të cilët kryejnë transaksione të shit-blerjes së monedhës virtuale Bitcoin në monedhat tradicionale. Çmimi i këmbimit të BTC është qindfishuar vitin e fundit.
Pesë shitës shesin Bitcoin në këmbim të parasë kesh në Shqipëri, ‘Bitcoinremi’, ‘DragosWarrior’, ‘BtcExMtl’, ‘Nar75’ dhe ‘Excoins.me’. Sipas hartës që tregon faqja LocalBitcoin katër prej tyre veprojnë në qytetin e Tiranës dhe një në Gjirokastër.
Shitësit në qytetin e Tiranës operojnë në rrugën e Barrikadave, ndërsa njëri në periferi.
Në të dhënat e shitësve minimumi i vlerës për të hyrë në transaksion është 100 euro, por ka edhe shitës si NAR75 që vlera më e ulët për të hyrë në transaksion (për të dhënë para për të marrë BTC) është 350 euro. Ndërsa vlerë më e lartë e transaksionit shkon deri në 20 mijë euro, të cilën e ka shitësi excoins.me.
Për shitësin BtcExMtl numri i transaksioneve i kalon 1000 me 681 partnerë të ndryshëm. Ky shitës është i regjistruar në faqe prej tre vitesh e dy muajsh.
Shitësi i dytë me numrin më të lartë të transaksioneve është NAR75, i cili numëron mbi 500 të tilla të kryera në më pak se 1 vit.
Ky përdorues, identiteti i të cilit nuk dihet, përllogarit një volum tregtar prej 100BTC.
Një tjetër shitës i regjistruar në LocalBitcoin është DragosWarrior, transaksionet e të cilit përllogaritin një volum tregtar deri në 250 BTC.
LocalBitcoin është një faqe për këmbimin pa ndërmjetësues të monedhës virtuale Bitcoin. Sipas përshkrimit në faqe përdoruesit e regjistruar në të mund të blejnë dhe shesin Bitcoin me njëri-tjetrin. Përdoruesit, ndryshe shitësit, krijojnë reklama ku japin çmimin dhe metodën e pagesës që ata duan. Në faqe numërohen më shumë se 60 mënyra të ndryshme të pagesës.
Tregtuesit online VS tregtuesit vendas
Ka dy mënyra të ndryshme të tregtimit të monedhës virtuale në LocalBitcoin, me tregtarët vendas dhe tregtarët online.
Tregtarët online operojnë plotësisht nëpërmjet platformës pa u takuar me personin që po hyjnë në transaksion. Pjesa më e madhe e përdoruesve janë tregtar online.
Tregtuesit vendas takohen me individët që po hyjnë në transaksion. Në faqen LocalBitcoin sqarohet se kjo nuk është një mënyrë e sigurt për të paguar një nga shitësit me një nga metodat e pagesës online.
Metodat e të paguarit online janë transfertat bankare apo sistemet e tjera të pagesave.
Një nga shitësit vendas në Shqipëri shkruan se preferon që të takohet në vende publike (bar-kafe) dhe shkëmbimi mund të bëhet në vende publike, ndërkohë që ka vendosur dhe një numër kontakti.
Banka e Shqipërisë nuk ka licencuar asnjërin prej tyre
Banka e Shqipërisë nuk ka licencuar asnjë subjekt financiar në veprimtarinë e të cilit të përfshihet përdorimi i monedhave virtuale. Për rrjedhojë, çdo shoqëri e cila përfshihet në këtë aktivitet në Republikën e Shqipërisë nuk është e licencuar, e për rrjedhim aktiviteti i saj nuk i nënshtrohet kuadrit rregullues dhe atij mbikëqyrës nga ana e Bankës së Shqipërisë.
Si pasojë, në kushtet e mungesës së rregullave që do të disiplinonin aktivitetin financiar dhe mbikëqyrjen e tyre, veprimtaria e këtyre subjekteve karakterizohet nga një shkallë e konsiderueshme rreziku dhe pasigurie, pa garanci të plota për mbrojtjen e klientëve nga humbja në investim. Nisur nga ky këndvështrim, përfshirja e çdokujt në këtë lloj veprimtarie mbetet një veprim në përgjegjësinë individuale të çdo personi që e ndërmerr atë, ka paralajmëruar banka.
Të gjithë faktorët relevantë, kombëtarë dhe ndërkombëtarë, përfshirë Autoritetin Bankar Evropian dhe Bankën Qendrore Evropiane, janë duke punuar intensivisht për të vlerësuar të gjithë problematikën që lidhet me paranë virtuale, me qëllim rregullimin dhe mbikëqyrjen adekuate të saj./Monitor/