Tregtia me Greqinë zë 7.3 % të vëllimit të përgjithshëm

Shkëmbimet tregtare me Greqinë në muajin korrik të 2016-ës zunë 7.3 % të totalit të gjithë tregtisë. Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave, INSTAT, në muajin korrik eksportet u rritën me 23.9 %, ndërsa importet me 18.3 %.

Referuar të dhënave, importet e mallrave nga Greqia në Shqipëri, gjatë periudhës janar-korrik 2016 arritën në rreth 25.994 milionë lekë, kur një vit më parë (2015) u importuan 25.835 milionë lekë.

Në vlerën e mallrave të importuara nga shteti fqinj, vendin kryesor e zënë grupi i mallrave “ushqim, pije dhe duhan” në vlerën 8.466 milionë lekë i ndjekur nga grupi “produkte kimike dhe plastike” në vlerën 4.591 milionë lekë dhe grupi “materiale ndërtimi dhe metale”. Importi i kësaj kategorie arriti për këtë periudhë vlerën e 3.824 milionë lekëve.

Ndërsa eksportet drejt Greqisë për këtë periudhë kanë shënuar një rritje të lehtë. Referuar të dhënave, eksportet shqiptare gjatë shtatëmujorit të këtij viti drejt Greqisë llogariten në vlerën e 6.562 milionë lekëve. Në vitin 2015 në periudhën janar-korrik, eksportet nga Greqia llogariteshin 5,528 milionë lekë. /ATSH/

SHKARKO APP