Tregu i fondeve të investimeve u zgjerua me 5.1 % në 2015-ën

Rënia e interesa të depozitave bëri që qytetarët t’i përdorin për produktete të tjera financiare kursimet e tyre, siç janë fondet e investimeve.

Sipas raportit vjetror të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, tregu i fondeve të investimeve, në lekë dhe në euro, ka vijuar dinamikën e zgjerimit, duke u shndërruar në tregun e dytë më të madh financiar pas tregut bankar, nga pikëpamja e aseteve.

Vlera neto e aseteve të tyre arriti në 66.99 miliardë lekë (479 milionë euro), në vitin 2015 që përfaqëson 4.7% të PBB-së, nga 4.6% në vitin 2014. Dinamika e zgjerimit të këtyre fondeve është rritur me rreth 5.1% kundrejt 2014, duke treguar interesin që kanë investitorët vendas për produkte të reja kursimi apo investimi.

“Një situatë e tillë favorizohet edhe nga mjedisi me norma të ulëta të interesit, që zbatohen për produktet bankare të kursimeve, mjedis i cili është mbizotërues prej disa vitesh. Nga kjo pikëpamje, kjo dinamikë zgjerimi është e mirëpritur, sepse nxit zhvillimin e tregjeve financiare, por njëherësh”krijon sfida të rëndësishme për t’u përballuar”, thuhet në raportin e AMF-së.

Në 2015 në Shqipëri operonin dy fonde investimesh, njëri në euro dhe tjetri në lekë, në pronësi të njërës prej bankave më të mëdha në vend, ndërkohë, këtë vit është hapur edhe një fond i ri nga një bankë tjetër. Tregu dominohet kryesisht nga investimet në obligacione qeveritare, të cilat përbëjnë 69.55 përqind të aseteve të fondeve.

SHKARKO APP