Tregu valutor paraqitet i qëndrueshëm, asnjë ndikim nga zgjedhjet

Një ditë përpara zgjedhjeve vendore që do të mbahen nesër më 21 qershor 2015 në vendin tonë, tregu i këmbimit valutor vendas paraqitet i qëndrueshëm, me luhatje thuajse të papërfillshme të lekut  në këmbim me valutat kryesore euro dhe dollar.Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, euro këmbehet të shtunën me 140.84 lekë ose 0.04 lekë më pak se një ditë më parë dhe dollari amerikan ka fituar 0,93 lekë duke u këmbyer me 124.54 lekë.Ekspertët e fushës shprehen se, në përgjithësi tregu vendas reflekton ecurinë në bursat ndërkombëtare, por arsyet e brendshme që lidhen kryesisht me transferimin e fitimeve të kompanive të huaja jashtë dhe karakteri sezonal i importeve i japin euros dimensione të tjera këmbimi në tregun vendas që shpesh është në raport të zhdrejtë me tregun ndërkombëtar. Sipas tyre nën presionin për daljen e mundshme të Greqisë nga Eurozona, monedha e përbashkët euro ka nisur të luhatet ne tregun ndërkombëtar të këmbimit, por jo në tregun vendas.“Faktori psikologjik e ndikon kursin e këmbimit në Shqipëri më pak se, në vende të tjera. Ndërkohë që konsumatorët europianë janë në panik për të mbajtur euron si mjet për kursimet e tyre, në Shqipëri ende nuk ka nisur të ndjehet kjo frikë”, thonë ekspertët, të cilët evidentojnë se kursi valutor luhatet brenda parashikimeve të Bankës Qendrore.

 

SHKARKO APP