Tregu/Euro vijon pa u ndalur rivlerësimin, në rënie leku
Euro ka vijuar të forcohet edhe gjatë ditës së djeshme në tregun e brendshëm, për të dytën javë radhazi.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye me 133.5 lekë, 0.29 lekë më shumë se një ditë më parë.
Ky është niveli më i lartë që nga 14 qershori i këtij viti, që përkon me kohën përpara se të zhvilloheshin zgjedhjet dhe që më pas u shoqërua më një rënie të fortë të euros, që kulmoi në 27 qershor, duke arritur në 131.98 lekë, niveli më i ulët në 9 vjet.
Euro është rritur gjatë ditës së djeshme, edhe pse në bursa është zhvlerësuar, duke treguar për një kërkesë relativisht të fortë për të në tregun vendas. Rritja e euros në tregun e brendshëm ka tërhequr dhe dollarin, i cili i është larguar nivelit më të ulët të tre ditëve të fundit, të arritur pak ditë më parë.
Një dollar u këmbye me 112.29 lekë, 0.77 lekë më shumë se një ditë më parë. Në bursa, euro ka humbur pikë ndaj monedhës së gjelbër, duke zbritur në 1.185 USD, duke rënë nga niveli më i lartë i gati dy viteve, prej 1.2 USD që arriti një ditë më parë.