Tremujori i parë 2015, të ardhurat nga turizmi 260 mln euro, rritja 13%

 

Shërbimet e udhëtimit që njihen ndryshe si hyrje –daljet e parave që shpenzohen për turizëm u mbyllën me një bilanc pozitiv prej 44 milionë euro në tremujorin e parë të 2015, kundrejt deficitit 22 mln euro në T1 2014.

Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, gjatë tremujorit të parë të 2015 eksporti i shërbimeve të udhëtimit i ka siguruar ekonomisë vendase rreth 262 milionë euro.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, shërbimet e udhëtimit zënë peshën më të madhe në të ardhurat dhe shpenzimet e shërbimeve, me përkatësisht 58% dhe 62% të totalit.

Gjatë periudhës, të ardhurat janë rritur me 13 %, ndërsa shpenzimet e udhëtimit kanë pësuar rënie 14%, kundrejt një viti më parë.

Rritja vjetore e të ardhurave gjatë kësaj periudhe ka ardhur kryesisht pasojë e rritjes së shpenzimeve mesatare (7%) dhe ditëqëndrimit mesatar (3%) të jorezidentëve në vend. Ndërkohë, numri i
vizitorëve të huaj është rritur me rreth 1%.

Nga ana tjetër, rezidentët kanë shpenzuar në udhëtimet e tyre jashtë vendit rreth 218 milionë euro ose 14% më pak se një vit më parë. Ndonëse, numri i rezidentëve dhe shpenzimi mesatar vlerësohen të jenë rritur përkatësisht me rreth 2% dhe 14 %, ditëqëndrimi në udhëtimet jashtë ka rënë me rreth 31%./Monitor

SHKARKO APP