Tremujori II 2017, Produkti i Brendshëm Bruto rritet me 4,06% – Ndërtimi favorizon rritjen
Ashtu siç lajmëroi kryeministri Edi Rama pak para publikimit të të dhënave zyrtare të INSTAT, produkti i brendshëm bruto në tremujorin e dytë të këtij viti ka shënuar një rritje prej 4,06%.
Ndërtimi është dega kryesore e ekonomisë që ka ndikuar në këtë përmirësim me 1,84 pikë përqindje.
Po ashtu edhe sektorët që kanë marrë një prioritet të veçantë nga qeveria në pjesën e parë të vitit, kanë kontribuar pozitivisht. Kështu, “Industria, Energjia dhe Uji” kontribuoi me 0,69 pikë përqindje në rritjen e PBB, ndërsa “Tregtia, transporti, akomodimi dhe restorantet” kanë kontribuar me 0,52 pikë përqindje.
Këto tre degë kanë qenë dhe nxitësit e kësaj rritjeje. Pozivisht kanë ndikuar po ashtu edhe “Administrimi publik, Arsimi, Shëndetësia” me 0,43%; “Aktivitetet financiare dhe të sigurimit” me 0,27%, “Taksa neto” me 0,29% dhe “Bujqësia, pyjet e peshkimi” me 0,16%.
Degë me ndikim më të vogël kanë qenë “aktivitetet real estate” dhe “informacioni e komunikimi”, me nga 0,05 pikë përqindje kontribut në rritje.
Ndërkohë, kanë ndikuar negativisht në Produktit e Brendshëm Bruto sektorët e “argëtimit, artit dhe çlodhjes”; si edhe “Aktivitetet profesionale e administrative”. Këto degë kanë ulur PBB përkatësisht me 0,11 dhe 0,13 pikë përqindje.