Trishtimi i Reshat Arbanës për Tiranën, pensionin 30 mijë lekësh dhe…vitet që ikin
Një një takim të zhvilluar disa ditë më Erion Veliajn, aktori i njohur Reshat Arbana shpërtheu për gjendjen në të cilën është katandisur Tirana.
Duke folur në një intervistë për gazetaren Entela Resuli të Ditës, ai thotë se Tirana e trishton shumë sot.
“Më vjen shumë keq për Tiranën që është degraduar në këtë far feje. Ndërtime pa fund, mungesë hapësirash të gjelbërta, mungesë parkimesh, ky nuk është një qytet normal.
Por, megjithatë mendoj se tironsi i sotëm, e ka të keqen me veten.
Ai grindet me të vëllain për hiç gjë dhe kur e zapton një tjetër, as nuk ndihet. Nuk do siklete për vete dhe për familjen e vet. Nuk mendoj se është aq në rregull, kjo”, thotë ai.
“Acarohem shumë kur nuk shkon diçka, por imagjinoni sa gjëra nuk shkojnë në këtë vend. Shpesh gruaja më thotë; pse more Reshat ti do e rregullosh këtë botë, po ja që unë jam i pandreqshëm, por ajo m’i ka gjetur telat. Është e qetë, e dashur…
Por di të kërkoj edhe falje kur e kuptoj që e kam gabim. E kam burrërinë ta bëj edhe këtë”, shprehet aktori i njohur.
Ai ndalet edhe tek situata e artit në Shqipëri:
“Kultura vetë më dhimbset. Mënyra sesi ajo paraqitet. Show më tremb dhe më dhemb nga mediokriteti. Fjalori i shëmtuar dhe komunikimi aspak dinjitoz më tremb, e habitem sesi publiku aty prezent i duartrokit, apo sesi qeshin.
Ndaj, Reshati pyet veten: Çfarë po ndodh?! Arti s’bëhet me grimasa dhe duke thënë fjalë të ndyra. Arti s’bëhet duke bërë kërcime si pelivan. Arti s’bëhet kurrë kështu”.
Kur pyetet nëse është i kënaqur me jetën, ai thotë:
“Jam. Jam shumë i kënaqur, jo për pensionin 300 mijë lekësh që marr, por për dashurinë që më japin njerëzit. Më ndalojnë, më kërkojnë edhe të pi një kafe me ta, ashtu kot, për muhabet. Kjo gjë më jep një kënaqësi të madhe. Vjen një moshë kur ke nevojë për njerëzit dhe mua kjo vëmendje nuk më mungon. Për këtë jam i lumtur, sepse mendoj se kam lënë diçka pas.
Në fund, ai ndjen keqardhje për vitet që po ikin, edhe pse thotë se nuk ka frikë:
“Burri kur arrin 70 vjeç, apo 75 vjeç, qoftë edhe 80 vjeç, duhet ta quajë trimëri që u bë kaq. Nuk e di se ku do shkojë më shumë. Do shkojë në një botë tjetër, po në fund kjo s’ka rëndësi. Është një cikël që do mbyllet, gjithsesi. Deri para dhjetë vjetësh s’më shkonte mëndja, por tani kur shikoj ndonjë varr dhe kujtoj se e kam njohur të zotin, më tretet vështrimi në sarkofagun e tij dhe mendoj sesi është transformuar. Nuk vuaj shumë për këtë. Dua ta mbyll me nder e faqe të bardhë dhe të thuhet se e la diçka ky njeri…”.