Tritan Shehu: Qeveria ka dështuar, qytetarët kanë arsye për të protestuar
Ish-deputeti i PD, Tritan Shehu thotë se qeveria ka dështuar me menaxhimin e situatës së krijuar nga koronavirusi. Në një intervistë për RTV Ora, Shehu shprehet se qytetarët kanë shumë arsye për të protestuar.
Shehu tha se qeveria po shkel të drejtat e njeriut, ndaj sipas tij rezikimi i demokracisë është shumë i madh se rreziku që vjen nga virusi
Tritan Shehu: Qeveria ka dështuar totalisht. Që në momentin që nuk ka një strategji, nuk paraqit asgjë, ka një amulli të plotë, nuk bën testime sipas rekomandimeve të OBSH dhe në momentin që paraqiten disa kurba me ulje ngritje krejtësisht të pasigurta dhe kërkon të bëjë hapje pa u bazuar në të dhëna objektive, padyshim që kjo qeveri ka dështuar. Njerëzit kanë shumë arsye të protestojnë. Arsye e parë është shkelja e madhe e të drejtave të njeriut.
Beti Njuma: Për çfarë protestash flasim sot kur njerëzit nuk lejohet të dalin nga shtëpia, kur bizneset janë të mbyllura?
Tritan Shehu: Njerëzit kur protestojnë dalin nga shtëpia duke respektuar distancimin fizik, si protestohet në SHBA dhe në shumë vende të tjera demokratike. Njerëzit protestojnë kur shikojnë që shkelen veçanërisht principet, të drejtat e njeriut. Rrezikimi i demokracisë është shumë i madh se rreziku që vjen nga virusi. Regjimet autokratike kudo përfitojnë në këto raste për të konsoliduar pushtetin e tyre, për të forcuar pushtetin e tyre për të mbajtur njerëzit nën terror.