Tropoja, një votë për projektin që nuk e ka!

 

Nga Pranvera Vatoci

Tropoja, në këtë prag fushate, ka shkundur pluhurin e harresës dhe, e shfaqur nga hiçi, krejt papritur, është kthyer në mejdanin e debatit politik. E them papritur, se, pasi mbaron numërimi i votave, rrethi më i bukur i verilindjes se vendit lihet në harresën e premtimeve, që i merr flladi i freskët i Bjeshkëve. Në gjithë këto vite të demokracisë, pasi i kanë marrë votën banorëve krenarë të kësaj krahine, askush nuk pyet më nëse ata që i votuan kanë bukë për fëmijet, apo rrugë për ti çuar në shkollë. Për të mos folur më pas për investime strategjike, për një zonë të mirëfilltë turistike, investime që pak, ose më saktë aspak, shikohen të japin fryte. Tani, në prag të zgjedhjeve, Bashkia, jo më e vogël, e Tropojës, është hedhur nga politika si plaçkë lufte në shesh, me aktorët e interesuar që synojnë të bëjnë të vetin këtë skaj të vendit. Këtu nis edhe halli i madh i Tropojanëve, që duhet të përballen me alternativa që natyrisht nuk i kanë përzgjedhur vetë, por që në fund të fundit do ti duhet ti asimilojnë si drejtuesit e tyre për 4 vitet e ardhshme. Prag 21 qershori është i debatueshëm në Bashkinë, e zgjeruar me të gjitha komunat, sipas ndarjes së re territoriale. Tashmë votuesit i kanë emrat e përcaktuar nga kryetarët e partive dhe janë përballë dy zgjedhjeve në dukje të njëjta. Tradicionalisht, Tropoja është votuar djathtas dhe kjo për shkak të lidhjes së ngushtë me liderin historik të PD-së, Sali Berisha. Pak rëndësi ka nëse ka të majtë, apo të djathtë, votuesit kanë zgjedhur gjithnjë tja besojnë votën e tyre demokratëve dhe kjo nuk ka ndryshuar në asnjë moment. Tani, pas 25 vjetësh, Sali Berisha nuk është më udhëheqësi i Partisë Demokratike dhe zgjedhja sigurisht nuk e ka me rrahjen e fortë të zemrës djathtas. Megjithatë, teorikisht, fitorja e kandidatit të përzgjedhur nga PD nuk mund të quhet një problem. Besnik Dusha la mandatin e deputetit për të synuar qeverisjen e Tropojës, në rivalitetin e kryetarit të komunës Margegaj, Rexhe Byberi, i bërë i njohur në media prej mrekullisë natyrore të Valbonës, të cilën kandidati i majtë ka ditur ta shfrytëzojë mirë për marketing. Ndërsa në mes, krejt papritur, shfaqet edhe në Tropojë fenomeni i kandidatit të pavarur, me Agron Demushin, i cili nuk e priti mirë moskonfirmimin nga PD-ja, në krye të Bashkisë që e ka drejtuar 4 vitet e fundit. Një përballje interesante, që mesa duket do ta bëjë po kaq interesante fushatën elektorale të qytetit verior. Deri tani kemi emrat, të zyrtarizuar, të debatuar dhe… ndoshta edhe të kuotuar. Ajo që nuk kemi, është më thelbësorja në një zgjedhje qeverisëse – projekti. Asnjë nga kandidatet nuk e ka të qartë kontratën me votuesin dhe beteja bëhet me idenë tipike politike “më bëni nuse, se e di unë si nuseëoj”. Pra kandidatët mesa duket po kërkojnë pikësëpari të sigurojnë votën, që llogjikisht sjell edhe karrigen, ndërsa në dore votuesve u lënë premtimin për një Tropoje ideale në të ardhmen. Sigurisht kjo mbetet për tu parë. Në fakt, në 25 vite banorët e Tropojës janë lodhur nga premtimet boshe dhe presin tashmë që diçka të ndryshojë, në favor të mirëqenies së tyre, e cila si gjithnjë, pas zgjedhjeve, vendoset në fund të listës së gjërave për tu bërë nga fituesi i garës. Për tu rikthyer në garën e qershor 2015 – kandidatet kanë favoret dhe disfavoret e tyre për të arritur suksesin. Besnik Dusha favor ka faktin që kandidohet nga PD, për arsyet e mësipërme dhe ky favor nuk është për tu anashkaluar. Disfavor ka mosimpenjimin sa duhet në mbajtjen e premtimeve gjatë mandatit të tij si deputet. Ndërsa i majti, Rexhe Byberi, ka eksperiencën drejtuese më vete, për 4 mandate në komunë dhe punën reklamuese për Valbonën në 2-3 vitet e fundit. Disfavor ka pikërisht atë që është favori i rivalit të tij: faktin që përballë ka PD, këtë herë jo në krah, gjë që në Tropojë historia ka treguar se të penalizon. Tashmë sfida sapo ka nisur. Thjesht Tropoja duhet të zgjedhë një nga ofertat e imponuara, nga dy forcat kryesore politike, ose të mbaje edhe për 4 vjet, të pavarurin tashmë, Demushi, që gjithesesi shanset i ka minimale. Deri më sot është politika që ka përfituar nga Tropoja, por tani ka ardhur koha që të gjithë të interesuarit të reflektojnë. Tropoja meriton më të mirën, vizionin e duhur për ta bërë “nuse” të Shqipërisë dhe për këtë duhet një projekt, që për momentin askush nuk e ka.

 

SHKARKO APP