Trump e shkarkon prokurorin e përgjithshëm amerikan
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka larguar nga detyra kryeprokurorin amerikan, Jeff Sessions, të mërkurën.
Largimi i Sessions përbën fundin e një bashkëpunimi që ishte i tendosur pothuajse që nga fillimi i administratës, dhe i cili u degjenerua në një prej përplasjeve më të hidhura publike në historinë moderne amerikane ndërmjet një kryekomandanti dhe një zyrtari të lartë të kabinetit.
Dorëheqja e Sessions, e bërë me kërkesë të presidentit, i është dorëzuar John Kellyt, shefit të stafit të Trumpit, raporton The New York Times.
Largimi i kryeprokurorit ka ardhur vetëm një ditë pas zgjedhjeve të mesmandatit, në të cilat demokratët morën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve – por suksesi i republikanëve në mbajtjen e kontrollit në Senat dhe shumica e ngushtë e tyre mund t’ia bëjnë më të lehtë Trumpit zgjedhjen e një pasardhësi të Sessionsit.
“I dashur zotëri President, me kërkesën tuaj, po ua paraqes dorëheqjen time”, ka shkruar Sessions në letrën e tij.
Matthew Whitaker, shefi i stafit të Sessionsit, do të zëvendësojë përkohësisht atë si ushtrues detyre i kryeprokurorit, ka bërë të ditur Trump.