Trump ftoi Ramën për Bordin e Paqes, Taulant Balla thirrje opozitës: Doni të bëjmë reformën, ejani në Komision
Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla tha fjalën e tij në seancën e parë për 2026, tha se mazhoranca nuk do të ndalet nga puna e saj, pavarësisht veprimeve të opozitës. Po ashtu i bëri thirrje opozitës që të bashkëpunojnë për reformat ose në të kundërt mazhoranca do të vijojë punën.
”Sa i përket objektivave, dëgjojeni! Kohë për të humbur me ju kemi zero. Doni të bëjmë reformën, ejani! Nëse deri javën e ardhshme nuk paraqiteni në Komision, do bëjmë ndryshimet. Edhe për Reformën Zgjedhore, nëse nuk vinin deri në javën e ardhshme. Mbajini mend: zgjedhjet e ardhshme lokale dhe zgjedhjet e përgjithshme”, tha kreu i grupit socialist.
Për më tepër Balla nënvizoi edhe se kryeministri Edi Rama është partner i besueshëm për SHBA, teksa presidenti amerikan, Donald Trump i dërgoi një ftesë zyrtare që Shqipëria të marrë pjesë në Bordin e Paqes për Gazën.
”Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot në sesionin e dytë, në një moment pozitiv për vendin. Shqipëria është ftuar të marrë një rol të rëndësishëm ndërkombëtar, pas ftesës personale të presidentit të SHBA, Donald Trump, për kryeministrin Edi Rama që t’i bashkohet Bordit të Paqes. Ky është një moment krenarie për Shqipërinë, që do të duhej vlerësuar edhe nga opozita.
Fatkeqësisht, ndaj këtij lajmi të mirë u ngritën sërish zëra mohues. Fillimisht u mohua ftesa, më pas u relativizua, edhe pse fakti mbetet se asnjë lider tjetër i Ballkanit Perëndimor nuk është ftuar. Shqipëria nuk është pjesë e këtij procesi vetëm si anëtare e NATO-s, por sepse kryeministri Rama është partner i besueshëm i SHBA. Koha për polemika ka mbaruar. Nëse opozita dëshiron të kontribuojë në reformën administrative dhe territoriale, është e mirëpritur; përndryshe, ndryshimet do të vijojnë”,-tha Balla.
KOHA JONË SONDAZH

