Turistët e huaj në Shqipëri
(Shkrime për turizmin nga viti 1925 – 1938 në shtypin shqiptar)
Nga Kastriot Kotoni
Studimi më i ri mbi Malësinë, i bërë prej shkencëtarëve, është ai i botuar në revistën Buletin i Shoqërisë Gjeografike Italiane, në Romë, ku shpalosen njëri pas tjetrit dy artikuj mbi Shqipërinë: 1. Vëzhgime të bëra gjatë një udhëtimi në Malësinë e Madhe më 1931, shkruar prej Z. Giovani Batista Florida; 2-“Gjurmë të periudhës së akujve në Malësinë e Pindit të Epirit”, shkruar prej Z. Aldo Setini. Revista në fjalë në numrin e saj të plotë, pothuajse i ka dedikuar vendit tonë, pasi të dy artikujt zënë 52 faqe. Ky artikull do të ishte shumë i gjatë po t’a përktheje të gjithë, me raportet shkencore e shënimet që janë si përgjigje e studimeve dhe komenteve të mëparshme, me të cilat revista merret hollësisht. Nga ana e saj kjo na hidhëron, që për arsye vendi, nuk mund të përshkruajmë rëndësinë e madhe që kanë malet tona,si nga pikëpamja shkencore, ashtu dhe nga pikëpamja turistike e alpinistike. Për të dhënë një ide më të qartë mbi këtë çështje, duhet vënë në dukje fakti që mbushen dy shekuj, që Malësia e Madhe është bërë objekt studimi, me të famshin Novack, pa harruar dhe Madame de Cizancou. Instituti i Gjeologjisë së Milanos si dhe Ministria e Bujqësisë së Italisë krijuan një bazë të mjaftueshme të dhënash të cilat u kthyen në një kontribut të madh, për shkencëtaret.
Pse është i nevojshëm zhvillimi i turizmit në Shqipëri dhe si duhet zhvilluar?
Bilanci tregtar i Shqipërisë është jashtëzakonisht pasiv, aq pasiv sa pasiviteti i tij është dy deri tre herë më i madh se sa i gjithë eksportit shqiptar. Duke mos hyrë në bilancin e pagesave (i cili paraqitet edhe më i rëndë) vetëkuptohet duhet me kërku një mjet që gjendja të përmirësohet. Në vështrim të gjendjes ekonomike së përgjithshme të saj, është e nevojshme që kjo mundësi të japë rezultate në një kohë sa më të shkurtër. Është e vërtetë që qeveria shqiptare është përpjekë me i dalë përpara kësaj gjendje deri diku me mjaftë sukses, por qëllimi është gjithmonë larg e nevoja është shumë e shpejtë. Pas masave që duhen marrë për prioritetin e bujqësisë shqiptare dhe në krijimin e industrisë, nji prej mjeteve efikase, më i shpejtë e më i fuqishëm, padyshim është krijimi i turizmit. Shumë prej miqve të mi shqiptar më pyesin, po si ta zhvillojmë këtë turizmin. Për çdo veprim racional, ose me mirë me thënë, për çdo veprim që kërkon sukses nevojitet nji plan i studiuar mirë e me themel. Hapi i parë i këtij plani është zbërthimi i disa çështjeve të këtyre themeleve. Cilat janë themelet për turizëm? Fillimi dhe themeli për krijimin e cilitdo turizëm është në radhë të parë dora e njeriut. Prandaj, duhet më hetu para së gjithave nëse bukuritë natyrore dhe veprat e njeriut në Shqipëri janë me një pamje të përshtatshme për zhvillimin e turizmit shqiptar. Shumë shpesh ndigjojmë se Shqipëria është e pasur me bukuri natyrore. Bukuritë natyrore. Një kuptim relativ ky. A thua se kjo bukuri do të japë diçka origjinale, diçka që ta tërheqi të huajin nga vendet e tjera. Mendoj se edhe mbi këtë pyetje, një pjesë e madhe mund të përgjigjet pozitivisht. Shqipëria ka male shumë të bukur e tërheqës, mes të cilëve dallohet me bukurinë e me formën e tij, veçanërisht Tomorri. Por edhe malet e tjera nuk rrijnë fort pas. Ka edhe lugina të bukura të thella, plot pyje, shkëmbinj dhe lumenj të këndshëm. Liqeni i Shkodrës në nji anë dhe liqenet e Ohrit e të Prespës, nga ana tjetër, bashkë me liqene të tjerë më të vegjël, krijojnë një atraksion turistik të klasit parë, të cilit i shtohet vlera kur merret parasysh se këto atraksione janë një pasuri e përbashkët krahasuar me një vend deri diku më të përparuar në turizëm, siç është Jugosllavija. Brigjet Shqiptare, në pamjen e pare, nuk paraqesin ndonji gjë tërheqëse, me përjashtim të bukurisë së egër të brigjeve të jugut prej Vlorës e tutje. Po kjo pjesë e Shqipërisë, që në pamje të parë, nuk duket interesante fshef në vend pasuri të madhe turistike e ndoshta, edhe një madem floriri të cilin duhet ta vemë në lëvizje për shfrytëzim. Aty kemi plazhet që nuk gjendjen në tërë Detin Mesdhe e ndoshta në tërë Evropën. Format e mrekullueshme, të prera dhe të ndarat e brigjeve jugosllave me ishujt e panumërt, fjordet me shkëlqimin e linjave të tyre dallohen në barabijte në bregun e cekët e të rrafshët të Shqipërisë veriore e të mesme. Ky breg, monoton në pamje të parë, me rërën e mëndafsht, me cektësinë e gjerësinë e madhe të tij jep plotësimin më të mirë të brigjeve të egra romantike të Kroacisë, Damalcisë e të Malit të Zi, nga ana e brigjeve të Shqipërisë së Jugut dhe të Greqisë. Nga ana tjetër forma e këtij duhet shfrytëzuar pa vonesë, që kështu, nga kjo zhvillohet dicka që në kohë të tjera të jenë më të mira se sa Ostenda,Lidosa e plazhet franceze të veriut. Por Shqipëria me liqenet e saj, lëndinat si dhe kodrat e saj fshehin shumë gjëra të tjera interesante e tërheqëse, të cilat natyra nuk i ka krijuar, këto janë vepër e dorës së njeriut. Duhen përmendur disa qytete piktoreske të zbukuruara e me famë si Shkodra kreshnike e me histori të vjëtër qysh prej kohërave të lashta, çerdhen e shqiponjës trime të Skënderbeut, Krujën, kryeqytetin e saj perëndimor e të ri Tiranën dhe vendet romantike të Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut, siç janë Korca, Berati e Gjirokastra.
Por nuk duhen përmendur vetëm qytetet e saj dhe vendet më të mëdha; aty kemi edhe gërmadhat e kohës së vjetër e të mesme, në kulla e kala qytetesh[Butrinti,Pojani] e shumë monumente të tjerë, veçanërisht ndërtime artistike, si janë në radhë e parë xhamitë edhe kishat e objekte të tjera arkitektura të shekujve me influenca të ndryshme, të cilat duhen studiuar e zbuluar që të munden me u bë faktor i fuqishëm i turizmit shqiptar. Ndërmjet të tjerash një gjë, për evropianin e perëndimit e jo për ballkanasit, që ka interes është orienti ballkanik i yni, i cili në Shqipëri ka shumëformësinë e kulturave me një kolorit si askund në botë e me nji tolerancë fetare që sjell një dobi të vlerave morale e kombëtare.
Ndër majave të panjohura të Dukagjinit
Iniciativa e një grupi turistik italian, që një vit më parë e kaluan verën majave të Cukalit, kah lindja e Shkodrës, i dha nji hov të shpejtë zhvillimit të turizmit shqiptar sidomos ndër këto anë. Grupe pas grupesh kanë ardhë këndej, me kërku naltësitë e afërta të Shkodrës si Bog, Rrazna në Vrithë, Theth, Pult etj. Gjithkush shijonte natyrën sipas mënyrës së vet, shumë shkruajtën për visaret e panjohura deri tani në alpet e veriut. Kujtimet e tyre entuziaste na gëzojnë edhe ne kur pamë se me çfarë zelli ndiqej turizmi, prej të gjitha klasave të shoqërisë, si punëtorë, zejtarë, studentë, zyrtarë, privatë, mësuesa por pa harruar ca grupe familjare që patën marrë guximin për herë të parë në Shqipëri me u ngjit në shtegun e Dhenve e më pas ne u drejtuan për nga Thethi, qendra e natyrshme e turistave. Të gjitha këto me arrdhjen e turistave të huaj, na japin shpresa më të mira, se në të ardhmen turizmi në Shqipëri do jetë një ekonomi e domosdoshme e me fitim. Një ndër grupet e një viti më parë mbrritën më 17 korrik në orën 4 të pasdites në Prekal, një katund me afro 229 frymësh, të pajisur me çadra kanopë, harta e aparate fotografikë e me altometra. Në këtë udhëtim 11 orësh kaluam së bashku me turistët italianë në Fushën e Shtojit, ku katundet e reja të hotjanëve e kosovarëve emigrantë japin një shembull të gjallë pune e përparimi në një tokë që përpara ishte djerrë. Në të aguar të ditës tjetër e lamë Prekalin e u drejtuam për nga Guri i Kuq i njojtur për një terren tepër të vështirë malor. Për një orë kalojmë bri Kirit tërthorazi maleve të veshura, ku agimin e ditës e shijojmë dyfish me ajrin e freskët.
Djalëria, fuqia organizuese e turizmit të ardhshëm Shqiptar
Porsa afrohet korriku,vapa e madhe bëhet e padurusehme. Në Shkodër rinia përshpejton me veru në ndonjë breg deti apo në një cep të bjeshkëve. Edhe ndër ne nuk është gjë e jashtëzakonshme me pa undësa e tregëtarë të pasur e lekci, të dalin me veru në bjeshkë me kursimet e vitit, me kalu dy muaj larg zhurmave e laparisë. Ata që shkojnë drejt bjeshkëve kanë ngelë përherë të kënaqur. Këtu dal e gjej rastin me shkruajt për ca shqiptarë, që i kalojnë pushimet në vendet të huaja e kursimet e tyre i çojnë jashtë. Jashtë, na thonë, kemi komoditet e kushte më të mira se në Shqipëri, por disa dalin me shit mendë, edhe për marrinë me u duk se diçka janë që nuk ju mjafton komoditeti i vendit. Kjo është një kob e madhe.
A thua lypset ndonjë komoditet i madh me kalu pushimet në alpet? Vëreni të huajt që kanë arrdh në këto anë, të cilët janë mësuar me një jetë më të rehatshme se e jona, udhëtojnë me këmbë prej vendeve të largëta, me ryçk-sachk-a të rëndë mbi shpinë për të vizituar bjeshkët krenare tona duke u bindur nga madhësia e bukurive të natyrës ndër vendet tona. E këta vijnë ndër bjeshkët tona me pak shpenzime e duke hequr keq ngjiten majave të thepisura deri tek dëbora e pashkrirë, nëpër sa e sa majave që ne nuk i dimë. Të huajt, në bazë të këtyre njoftimeve që kanë marrë prej këtyre udhëtimeve në vendin tonë, botojnë libra e artikuj duke përshkruar bukuritë e Alpeve të Shqipërisë, sa ne vetë nuk i njohim. Mund të thotë ndokush që ata janë mësuar ashtu me eskursione qysh në fimijëri.Turizmi ndër ato vende është pëhapur para disa vjetëve. Po, por ndërsa rrimë pa e organizu një punë përparimi, kurrë s’kemi për të pas guxim me u dhënë pas saj. Derisa përtacija të na pengojë në qytet, plot vapë e sëmundje, kurrë s’kemi me qenë të zotë me e shiju Turizmin, atë ëndje që çdo njeri, e sidomos çdo i ri e ka me e pa; vende e panorama të reja duke dominu kepa e maja, ku i duket njëri – tjetrit e pamundur me hip, ku këmba e njeriut nuk mundet me shklasë, posi dhi të egra e ku veç shqipja, mbreti hapësirave, munden të lëvizin lirisht. Kësaj shqipe djalëria shqiptare duhet t’ia ndjeki për tokë gjurmët, që kjo shkon duke fluturuar nëpër qiejt e lire e ku kthetrat e saja të kapen, aty ku këmba e djaloshit të qëndrojë pa u dridhë. Me iniciativë turizmi, bashkësitë e djemve aq të organizuar në shtete të tjera nën emrin boy-skauts. Kështu turizmi ka për të bërë këmbë edhe tek ne. Me një ndihmë të pakursyer të shtetit, që të organizojë këtë çetë sa më fort, prej të cilës vijnë aq të mira si në përparimin e vendit edhe ashtu dhe në dobinë ekonomike të tij. Këtej nevojave një klubi turistik shqiptar me udhëheqësa e me njerëz sa më të zellshëm të tërheqin vëmendjen e të huajve që vizitojnë Shipërinë krenare duke filluar më parë me frymëzimin e Djalërisë shqiptare me dëshirën e ëndjen e lëvizjeve turistike. Kjo Djalëri duhet të shohë të ngulur në secilën majë arbërore stemën e klubit ngjitur me emblemën e gjallë tonën. Flamurin tonë të shenjtë të thotë: “Shqiptari është me të vërtetë “Zogu i Shqipes””.
Shkodra duke mos e patur bregun e detit, të adoptuar për banja, ka filluar këto pesë vjetët e fundit, me e kalu me shije stinën e vapës ndër bjeshkët të larta me ajër të kulluar. Kush në Bogë e kush në Vrithë e Razmë e kush në Vermosh, dalin me veru me familjet e veta, madje disa janë duke ngritur vila mjaft të bukura. Kjo tregon se edhe ne kemi filluar me ia dijtë vlerën bjeshkëve tona. Sipas opinionit të vizitorëve të huaj këto bjeshkë janë si vendet më të shenjta të Evropës, mos po ja kalojnë. Por çfarë të mrekullon më shumë është zgjimi i Djalërisë shkodrane e cila ka filluar me u dhënë me zell mbas turizmit. Çeta – çeta, grupe – grupe, ngjiten majave të thepsisura, e ku i zë nata aty ngrehin çadrat e ndërsa përgatisin ushqimin janë të mbuluar prej qielli të yëjzuar ia thonë këngës me gëzim e hare. Sa harmoni, sa gaz e kënaqësi mbretëron në këto grupe a çeta prej djelmoshash shqiptarë shembuj të racës së shëndetshme Shqiptare. Studenta, punëtorë të pasur e të varfër me një vllazëri shembullore, kalojnë ditët duke qëndruar ndër hije të pishave, bregut të gurëve e afër borës së amshuar. Shembullin e djelmnisë Shkodrane, duhet ta ndjekin edhe dalëria e viseve të tjera të Shqipërisë, pse vendi ynë ka gjithkund bjeshkë të bukura.
Mësimi që na dhanë turistët francez
Bëri bujë të këndshme vizita që bënë në Durrës e në Tiranë, turistët francezë, aty nja tre javë më parë. Tirana e Durrësi muarën një fytyrë më të pasur atë ditë me ardhjen e atyre turistëve, që ishin më shumë se 500 vetë, të gjithë nga elita franceze. Midis tyre ishin intelektualë me shumë rëndësi, profesorë me fame, njerëz thuajse me autoritet në botën e mendimeve. Një djalosh shqiptar, që shoqëron dy profesorë nga këta midis të tjerave në një institut, më kallëzoi se drejtori i institutit, ndoshta për të treguar se e di mirë frëngjishten, u kish mbajtur një fjalim të gjatë mbi institutin që drejton. Kur shpëtuan dhe dolën jashtë, njëri nga profesorët i kish thënë përcjellsit të tyre. Kemi vënë re se këtu ndër ju shumë njerëz nuk janë në vendin e tyre….
A nuk është një shkurtim i thellë i gjendjes sonë… Por mësimin më të madh, turistët francezë na i dhanë me një xhest të tyre; shumica e tyre u veshën me qeleshe. Nuk munguan burra, gra e sidomos fëmijë të cilët veshën xhamadanë e opinga. Turistët francezë na treguan në dukje simpatinë për vendin tonë, duke u veshur plaçkat tona. Po, në realitet xhesti ishte kumptimplotë.
Ne që jemi të huaj e që jemi mësuar den babaden me kapele e me petka të ngushta, ja pse i donin të thoshin turistët, ja se si i pëlqejnë veshjet tuaja, që ju përpiqeni t’i hidhni poshtë. Nuk keni aspak të drejtë. Sendet me të cilat duhet të visheni ju, është malli i vendit tuaj, veshja juaj. Ju pse bëni siç bëjnë të tjerë atje ku është në dëmin tuaj? Gjyshërit tuaj me këto qeleshe e me këto opinga e kanë mbajtur Shqipërinë gjersa të vinit ju. Zakonet e institutet tuaja me këto veshje janë mbajtur deri më sot. E ju keni qejf t’i flakni tani këto gjëra. Mos jeni bërë të gjithë të çmendur? A nuk shihni se keni rënë në dekadencë duke i lënë mënjanë veshjet tuaja e duke u veshur me ato të të huajve. Ne po u japim shembullin se nuk është turp aspak, që njeriu të ve në kokë kësulën e vendit ku ndodhet. A nuk e shihni se me sa gëzim i mbajmë ne kësulat e xhamadanët me gjithë opingat tuaja? Ju, pra ju, që jeni vendas duhet t’i mbani, jo vetëm me shumë qejf, por mbi të gjitha me krenari. Veshjet tuaja, janë të mira, ekonomike e origjinale. Janë tuajat e të askujt tjetër. Pse nuk organizoheni me intelektualët që keni në një propagandë për mallin e vendit.
Ja, shikoni sa të këndshëm e të afërt ju dukemi neve me këto qeleshe? E ju, pse doni të largoheni nga vetvetja juaj. Gjynah…..Turp. Këto jua themi si njerëz me ndërgjegje të lartë që jemi, për të mirën tuaj. Po nuk na e vutë veshin, aq më keq për ju.E paçi veten më qafë. Këto na thanë turistët francezë. Po sa vetë i kuptojnë këto domethënie të veshjes së tyre me qeleshe e me opinga? S’ka dyshim se shumë pak. Shumicës prej nesh i janë verbuar sytë nga një jetë fallco për ne dhe nuk mund të shohim se po humbasim personalitetin tonë, dita me ditë dhe pa mundur, makari, që ta zevendësojmë me ndonjë personalitet tjetër. Duam të jemi edhe deve edhe shpend…… Gjynah……Turp
Turizmi në Shqipëri është parë me nji entuziazëm të paepur e me të drejtë si çdo pasuri e pamatë që do të ishte shpresa për të bërë një ekonomi të qëndrueshme e shpëtimtare. Tetëdhjetë vjet më parë e deri më sot, shumë projekte e plane ëndërrimtare kanë ngelur në letër. Pushteti politik në diktatura e kaloi në plan të dorës dytë, akoma më keq, rikthimi në ëndrrat epike për të gjitha qeveritë demokratike mbas viteve 1990 sa herë që fillojnë fushatat elektorale e shohin Eldoradon (turizmin) si pronë private të partive në pushtet.