Turizmi, operatorët: Ja segmentet rrugore që duhet të përmirësohen

Në Buxhetin e vitit 2017 duhet të parashikohen fonde të investimeve në zonat turistike. Operatorët e këtij tregu thonë se infrastruktura publike është një nga elementet kryesorë që ndikon në sektorin e turizmit

Sipas drejtuesve të Shoqatës së Tur Operatorëve Shqiptarë, janë disa akse rrugore, nga veriu në jug, me impakt të rëndësishëm në turizëm, të cilët do të dëshironin të ishin pjesë e projekteve që do të financohen me projektbuxhetin e vitit 2017.

Ata, përmes një letre, u janë drejtuar drejtuesve të Ministrisë së Financave, Transportit, por edhe të komisioneve parlamentare, si atij të Ekonomisë apo Veprimtarive Prodhuese, duke listuar disa nga akset rrugore, përmirësimi i të cilave do të lehtësonte turizmin, që kohët e fundit ka njohur rritje të konsiderueshme.

Segmentet
• Segmenti Poçem-Bylis është një aks i rëndësishëm, pasi do të lidhte rrugën kryesore me një nga zonat arkeologjike më të rëndësishme në vend si Bylisi, i cili aktualisht gjëndet pothuajse i izoluar pas ndërtimit të rrugës së re Fier-Tepelenë.

• Këlcyrë-Ersekë është segmenti rrugor më i kërkuar për turet e Shqipërisë që lidhin jugun (Gjirokastrën) me zonën lindore të vendit (Korçën). Ky është segmenti rrugor më i vështirë dhe më i dëmtuar, në raport me segmentet e tjera rrugore të kësaj kategorie.

• Të përmirësohet infrastruktura rrugore dhe ura në Manastirin e Zvërnecit. Vlora nuk ka shumë zgjedhje për turistët e kulturës, ndaj dhe Zvërneci është një pikë që pothuajse sugjerohet nga të gjithë turoperatorët gjatë qëndrimit në Vlorë. Por rruga për në Manastir dhe ura e bëjnë të pamundur atë vizitë, duke e dëmtuar rëndë produktin kulturor të Vlorës.

• Vau i Dejës-Koman është ndoshta rruga më e keqe në Shqipëri, rrugë që na prezanton në një mënyrë jo të denjë para turistëve të huaj. Ajo është në gjëndjë pothuajse të pakalueshme për mjetet. Po ashtu ëshë e nevojshme ndërtimi i një platforme në Fierzë, që të plotësojë standartet minimale të ankorimit të anijeve, sepse ajo që është sot, është në gjëndje pothuajse primitive.

• Të përmirësohet rruga për tek Syri i Kaltër. Janë vetëm 2 km që prezantojnë imazhin e keq të vendit, në një nga destinacionet turistike më të vizituara nga të huajt. Ndërkohë, në të njëjtin qark edhe rruga për në Kalanë e Lëkursit lë shumë për të dëshiruar. Këto segmente rrugore kanë një impakt të rëndësishëm në zhvillimin e mëtejshëm të dy destinacioneve turistike të këtij qarku.

SHKARKO APP