Turizmi, Shqipëria dhe Kina, potencial i pashfrytëzuar bashkëpunimi

Shqipëria dhe Kina kanë një potencial gjigand të pashfrytëzuar për të bashkëpunuar në sektorin e turizmit, i cili është kthyer në një prioritet kryesor për qeverinë shqiptare. Kështu është shprehur drejtori i Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Ardit Çollaku, në një intervistë për agjencinë kineze të lajmeve, Xinhua.

Çollaku shprehet se një nga aspektet e bashkëpunimit, është mundësia që kanë kompanitë kineze për të investuar në sektorin e infrastrukturës. Shqipëria do t’i japë një rëndësi të veçantë ndërtimeve në këtë fushë, sidomos ato që lidhin zonat e thella me turizmin me impakt të lartë, por edhe për ekoresortet përgjatë bregdetit.

Duke folur më pas edhe për turistët kinezë që vizitojnë vendin tonë, Çollaku u shpreh se tur operatorët shqiptarë janë të mirëinformuar mbi kërkesat dhe shijet e tyre, ndaj kanë një atraksion të veçantë turistik për t’i ofruar tregut kinez.

“Ne na duket shumë tërheqës për tregun tonë interesi i turistëve kinezë drejt trashëgimisë kulturore, ku ne ofrojmë paketa të ndryshme që variojnë nga vizita e pikave të trashëgimisë botërore të UNESCO si Gjirokastra, Berati, Butrinti, e deri tek gastronomia e mrekullueshme si edhe plazhet magjepsëse të Rivierës Shqiptare”, tha Çollaku.

Sa i takon turizmit dalës shqiptar drejt Kinës, kreu i AKT i quajti paketat e disa tur operatorëve drejt vendit aziatik si shumë tërheqëse dhe të mirëpritura nga shqiptarët për shkak të çmimeve konkurruese.

“Shqipëria, duke qenë një treg që po lind, po eksploron rrugë të reja dhe do të ndërtojë ura me shtetet të cilat dikur dukeshin shumë larg, ndërsa tani shihen si vende tërheqëse për turizmin hyrës dhe dalës”, shtoi ai.

SHKARKO APP