Turqia nuk është pjesë e Europës

Vendosmëria për të parandaluar një tjetër luftë europiane është e admirueshme dhe është në qendër të të gjithë projektit, por frika nga lufta nuk mjafton për të mbështetur një union politik. Nevojitet një eksperiencë e përbashkët historike dhe kulturore. Dhe çfarë i kundërvënë kësaj eurofilët? Jack Straw e tha shkurtimisht kur ishte Sekretar i Jashtëm: “Një komunitet vlerash”. Kjo tingëllon e pranueshme deri kur e mendon – dhe pastaj nuk të thotë asgjë… Mund të jesh britanik qoftë nëse beson në të drejtën hyjnore të mbretërve, apo nëse je komunist, apo një katolik, mysliman, apo Dëshmitar i Jehovait. Kultura dhe historia e përbashkët mund të na japin më shumë liri se sa këmbëngulja aktuale tek një komunitet vlerash

***

John Casey

Valéry Giscard D’Estaing ishte i pari që e tha hapur në vitin 2002: Turqia nuk duhet të jetë kurrë një anëtare e Bashkimit Europian. Nuk ishte çështje kohe, e përshtatjes së Turqisë me kulturën politike të Europës, e harmonizimit ekonomik apo ligjor. Për Giscard, kurrë do të thoshte kurrë, sepse Turqia nuk është vend europian. Pranimi i këtij shteti të madh mysliman, joeuropian, thoshte ai, do të nënkuptonte fundin e BE-së. Një shpërthim i tillë sinqeriteti nga një politikan i lartë europian mbetet gjë e rrallë, pothuaj unike. Udhëheqës të tjerë ishin angazhuar në pranimin e anëtarësimit të Turqisë, por dukej se shpresonin që, nëse nuk flisnin, ndoshta do të harrohej, apo do të dilte diçka për ta parandaluar. Sigurisht, nuk është se mezi prisnin t’ia parashtronin elektorateve të tyre këtë ide. Dikush tjetër ishte po aq i sinqertë sa Giscard, dhe në vitin 2004, tha se nëse Turqia do të hynte në Bashkimin Europian, kjo gjë do të përfaqësonte triumfin e ekonomisë mbi kulturën. Folësi ishte Kardinali Joseph Ratzinger, Papa i ardhshëm Benedikti XVI. Për të, ajo “kulturë” sigurisht që përfshinte trashëgiminë e krishterë të Europës.

Për vite, hyrja e Turqisë në Europë është trajtuar nga Perëndimi – dhe sidomos nga amerikanët – si një çështje strategjie dhe jo kulture. Turqia mund të ndihmonte në pushtimin e Irakut; ajo ishte mike e Izraelit; ajo ishte një shtet mysliman laik. Në të vërtetë, ajo kishte varur një kryeministër dhe rrëzuar dy qeveri, sepse nuk kishin qenë laike sa duhej. Ballkani ishte dikur pjesë e Peandorisë Otomane, shpërbërja e detyruar e të cilës na ka lënë pas shumë prej problemeve që ndeshim sot. Përse të mos tërheqim Turqinë, zemrën e Perandorisë Otomane, duke ankoruar kështu edhe Ballkanin në Europën moderne dhe në të kaluarën e vet historike? Kështu do të rikrijonim diçka që dukej shumë e dëshirueshme në atë kohë: një pjesë demokratike dhe laike e botës myslimane, që do të ofronte një urë drejt Lindjes së Mesme myslimane. Problemi i mbështetjes së argumentave për anëtarësimin e Turqisë, tek strategjitë e veçanta të politikës së jashtme, është se rrethanat ndryshojnë. Turqia nuk “shndërrin” më aq shumë si një shtet demokratik dhe laik, por më shumë si një shtet Islamizues me një nostalgji otomane. “Moderimi” i qeverisë së saj të betuar islamike po fillon të duket si një maskë, që shumë shpejt do të hidhet tutje. Ashtu si Arabia Saudite, ajo nuk frenohet për të bashkëpunuar me fanatikë fetarë, për të rrëzuar regjimin laik në Siri. Çështja turke është një version më radikal i problemit që ka shqetësuar prej kohësh Euroskeptikët britanikë, dhe që mund të dëmtojë ëndrrat e atyre që kërkojnë një “bashkim edhe më të ngushtë”. Si mund të ketë një ndjesi të përbashkët nënshtetësie dhe besnikërie mes qytetarëve të BE, kur nuk ka një gjuhë të përbashkët, ku ka një diversitet të tillë kulturor, dhe ku traditat e veçanta politike dhe ligjore të një vendi – Mbretëria e Bashkuar – ndryshojnë kaq shumë nga ato të vendeve të tjerë?

Ishte një pyetje që u ngrit nga Rousseau kur ai bënte dallimin mes një “zotërie” që komandon shërbëtorët, dhe një udhëheqësi të vërtetë politik, autoriteti i të cilit buron prej një komuniteti politik. Euroskeptikët kanë qenë gjithonë të bindur se Brukseli është më shumë një zotëri burokratik. Për të përshtatur fjalët e Charles de Gaulle, ne kemi një ide të caktuar të Europës. Mund të jetë e mjegullt në skaje, por ka diçka të bëjë me Perandorinë Romake, dhe gjithçka që trashëgojmë prej saj, si dhe diçka të bëjë me Kristianizmin dhe ndërmjetësimin e tij të kulturës latine dhe greke, trashëgiminë e Izraelit. Pastaj është Rilindja, revolucioni shkencor – të gjithë mënyrat që kanë sjellë në Europë modernitetin. Edhe luftërat fetare europiane, konflikti mes luteranizmit dhe katolicizmit, Reformimi dhe Kundër-Reformimi, i kanë dhënë formë një eksperience të përbashkët, dhe paradoksalisht, një ndjesie se si mund të bëhemi bashkë.

Sado ngadalë, historia europiane – për të mos përmendur gjeografinë – i jep përmbajtje idealit europian. Por kjo nuk është ajo çfarë besojnë udhëheqësit e BE. E vetmja pjesë e historisë europiane që u duket e gjallë, është ajo e dy luftërave botërore. Vendosmëria për të parandaluar një tjetër luftë europiane është e admirueshme dhe është në qendër të të gjithë projektit, por frika nga lufta nuk mjafton për të mbështetur një union politik. Nevojitet një eksperiencë e përbashkët historike dhe kulturore. Dhe çfarë i kundërvënë kësaj eurofilët? Jack Straw e tha shkurtimisht kur ishte Sekretar i Jashtëm: “Një komunitet vlerash”. Kjo tingëllon e pranueshme deri kur e mendon – dhe pastaj nuk të thotë asgjë, apo është diçka e kundërshtueshme. Një komb i lirë nuk këmbëngul mbi një komunitet vlerash. Për të paktën 100 vjet, Franca ishte e ndarë mes katolikëve dhe laikëve, rojalistëve dhe republikanëve. Megjithatë ata ishin të gjithë francezë dhe ata e dinin që ishin francezë.

Mund të jesh britanik qoftë nëse beson në të drejtën hyjnore të mbretërve, apo nëse je komunist, apo një katolik, mysliman, apo Dëshmitar i Jehovait. Kultura dhe historia e përbashkët mund të na japin më shumë liri se sa këmbëngulja aktuale tek një komunitet vlerash. Europa e shkëputur nga historia, kultura dhe gjeografia bëhet pafundësisht e zgjerueshme… dhe kandidate për një shpërthim nga brenda.

“The Independent” – Bota.al

SHKARKO APP